Dhjetori në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor është arsyeja më e bukur për të hyrë në botën e festës, të muzikës dhe të emocionit.
Këtë fillim muaji, TKOBAP ndau me publikun një program të pasur artistik i cili do të zhvillohet përgjatë gjithë dhjetorit. Kryefjala e këtij kalendari artistik është rivënia në skenë e operas “Il Trovatore”, me rikthimin e emrave të mëdhenj të operistikës shqiptare.
Të tjera aktivitete me rëndësi janë koncertet korale që ndezin atmosferën e fundvitit, ritmet dhe ngjyrat e Ansamblit Popullor, e deri te ngjarja më e dashur e çdo fundviti, “Arrëthyesi” i Tchaikowsky-t. Këtë vit përralla magjepsëse e “Arrëthyesit” vjen e shoqëruar nga një konferencë krejt e veçantë që do të zbulojë historinë e tij të fshehtë.
Në datën 5 dhjetor do të shfaqet koncerti i grupit koral “Zanat” si dhe koncerti “Festojmë së bashku”, koncert me rastin e ndezjes së dritave të pemës. Në datën 6 do të mbahet koncert koral në Amfiteatrin e Tiranës.
Datat 11, 12 dhe 13 i janë rezervuar operës së Verdit, “Il Trovatore”. Ndërsa në datat 15, 16, 17 dhe 18 do të zhvillohet koncerti i Ansamblit Popullor, “Kërcim pa kufij”, në bashkëpunim me Agjencinë e Diasporës.
Në datën 19 dhjetor vjen koncerti “Gruaja në operën e dashurisë” dhe data 20 dhjetor i është dedikuar Korit të Zërave të Bardhë, me koncertin për fëmijë “Krishtlindje në Opera”.
“Arrëthyesi” do të ngjitet në skenën e TKOB për 6 net, 23, 24, 26, 27, 29 dhe 30 dhjetor. Ku interesant është fakti se provat gjenerale të “Arrëthyesit” do të jenë të hapura për t’u ndjekur nga fëmijë dhe familje.
TKOBAP përmes një publikimi në rrjetet sociale tha se, çdo ditë e këtij muaji hapet si një kapitull i ri i një përralle që na bashkon të gjithëve në një skenë të vetme. A.K./TemA
Lini një Përgjigje