Që në fillim të veprës së tij “Vitet e rinisë”, Enver Hoxha shkruante: “E admiroja Francën dhe popullin e saj për historinë e tyre, por, gjithashtu, admiroja dhe respektoja njerëzit e saj për krenarinë e paraardhësve, për ndjeshmërinë e tyre, për fatin e vendit të tyre”. Kadare, duke folur për figurën dhe rolin e shkrimtarit në veprën e tij “Ftesa në studio” shkruante: “Dashur pa dashur, me një vullnet tiranik ose pa vullnet, në mënyrë metodike ose kaotike, shkrimtari krijon një territor artistik...”, dhe më pas shton: “Është e tepërt të kujtojmë se kjo është një perandori disi më e veçantë, themeluesi i së cilës, shkrimtari, është edhe zot edhe skllav, sundimtar edhe rebel3”.
Nëse nuk do të dinim asgjë për këto dy personazhe, do të kishim përshtypjen se i pari është një shkrimtar dhe tjetri një lloj diktatori. Por, në fakt, është krejt e kundërta. Enver Hoxha ishte diktatori më i egër i Evropës Lindore që sundoi Shqipërinë për gati 50 vjet.
Pasi mbaroi Liceun Francez në Korçë, Hoxha u nis për në Monpelje (Montpellier) të Francës, ku qëndroi për tre vjet si bursist, pa arritur të përfundonte studimet. Në imagjinatën kolektive të shqiptarëve gjatë diktaturës, imazhi i Francës kultivohej si imazhi i një vendi që është qendra e botës për nga qytetërimi, filozofia dhe për francezët mendohej se ishin njerëz të shquar. Diktatori ynë arriti të manipulonte një popull të tërë për të besuar se komunizmi dhe socializmi janë modele absolute dhe të vërteta, dhe se izolimi total i vendit ndodh vetëm sepse në anën tjetër të kufijve tanë është një botë plot me armiq, dhe se terrori apo lufta e klasave, glorifikimi i Partisë dhe diktatori janë legjitimë. Gjatë 50 viteve, pothuajse i gjithë populli duartrokiti liderët e tij komunistë dhe diktatorin e tij, në të njëjtën kohë kur burgjet u mbushën me kundërshtarë të regjimit. Por ideja që diktatori ynë kishte një formim frankofil, e bëri pak më tërheqëse figurën e tij. Në të njëjtën kohë, shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave, Ismail Kadare, shkroi shumicën e veprave të tij në diktaturë.
Ndaj, 50 vitet e diktaturës përfshijnë dy pasazhe të rëndësishme për historinë e popullit shqiptar, atë të diktatorit dhe atë të shkrimtarit të madh. Por si bashkëjetuan së bashku? Është shumë e vështirë të shpjegosh këtë enigmë. Një nga arsyet më të mira mund të jetë frëngjishtja, ose më parë gjuha frënge dhe Parisi. Sepse kryeqyteti i Francës ishte edhe kryeqyteti i ëndrrave për shqiptarët e shekullit të kaluar. Duke qenë se diktatori ynë kishte njëfarë simpatie për Francën dhe për qëndrimin e tij universitar atje, pushteti komunist dha edhe bursa për studentët shqiptarë të cilët përzgjidheshin dhe dërgoheshin për studime ose specializime pasuniversitare në Francë. Pra, Franca ishte një nga vendet e rralla perëndimore që “tolerohej” nga komunistët shqiptarë. Në të njëjtën kohë, Ismail Kadare u bë i famshëm në mbarë botën kur u përkthye në frëngjisht. Pra, një pjesë e enigmës mund të shpjegohet nga gjuha franceze dhe pikërisht këtu gjejmë edhe një lidhje shtesë midis dy personazheve (diktatorit dhe shkrimtarit) që ishte përkthyesi Jusuf Vrioni. Ai, në të njëjtën kohë, përktheu veprat politike dhe kujtimet e diktatorit tonë, por edhe veprat e Kadaresë. Ky trekëndësh i përbërë nga Hoxha, Kadare dhe Jusuf Vrioni karakterizon, përgjithësisht, epokën tonë të diktaturës për sa i përket imazheve tona për Francën dhe Parisin dhe për sa i përket shkrimit. Ky trekëndësh është disi i ngjashëm me trekëndëshin dantesk: ferri, purgatori dhe parajsa. Jusuf Vrioni, përkthyesi i madh i frëngjishtes, u dënua nga regjimi i Hoxhës dhe kreu 12 vjet burg politik në burgjet më të ashpra të Evropës Lindore, pra në burgjet e Shqipërisë. Ishte “ferr” për të. Kadare jetoi dhe shkroi në “liri të kontrolluar” në një lloj “purgatori”, sepse herë pas here do t’i duhej të bënte mea culpa-n e tij ose do të duhej të ishte I vëmendshëm apo edhe të mbante “kryqin mbi supe”, siç shkruante vetë, për të mos përfunduar i harruar apo në burg. Më në fund, Parajsa ishte vendi ku Enver Hoxha e bëri jetën si të ishte mbret, Blloku, një parajsë e vërtetë në mes të varfërisë së popullit të tij dhe izolimit total.
Por të tre ishin të lidhur dhe të bashkuar nga frëngjishtja.
Në përfytyrimin kolektiv të shqiptarëve në kohën e diktaturës, francezi dhe Franca kishin kuptimin e përparimit kulturor, ishin modeli ideal i jetës, kulti i së bukurës, kuptimi sublim i jetës. Në atë kohë, shqiptarët i thoshin shqiptarët njëri-tjetrit se lideri ynë, falë francezëve, e bëri Shqipërinë qendrën e komunizmit botëror. Ky ishte mendimi i përgjithshëm që mbretëronte në atë kohë në Shqipëri. Nuk duhet harruar se çfarë mendonin shqiptarët gjatë diktaturës. Në ndryshim nga frëngjishtja, një gjuhë tjetër, anglishtja, u mallkua dhe, në imazhin tonë kolektiv, kjo gjuhë u konceptua si gjuha e kapitalizmit agresiv që shtyp njerëzit. Në Shqipëri, në vitin 1924 u ngrit një shkollë e mesme teknike, e quajtur “The American Lyceum” nga amerikanët, të cilët u mësonin studentëve shqiptarë në anglisht. Pothuajse të gjithë nxënësit e kësaj shkolle u futën në burg me akuzën se ishin spiunë amerikanë. Mehmet Shehu, ish-kryeministri dhe numri 2 i diktaturës, i cili u vetëvra në vitin 1982, u akuzua nga Enver Hoxha si spiun i Harri Fulltz-it, p.sh.
Sot është e vështirë të shpjegohen mijëra faqet e shkruara nga diktatori ynë dhe puna e vështirë për t’i përkthyer ato në gjashtë gjuhë, nga të cilat frëngjishtja është gjuha kryesore. Diktatori ynë vuante nga ideja se ishte edhe një shkrimtar i mirë. Vëllimet e pafundme me kujtime që botoi, eklipsonin të gjithë letërsinë politike të kohës. Për të përkthyer veprën e tij u desh një shtëpi e tërë botuese me qendër në Tiranë. Kjo paranojë ishte disi një lloj shansi për të ndryshuar jetën e një prej anëtarëve të familjeve më të pasura të Shqipërisë, Jusuf Vrionit, babai i të cilit ishte ministër dhe ambasador i mbretit, Zogut, në Paris. Por, me ardhjen e komunistëve në pushtet, ai u gjend në burg për 12 vjet. Por frëngjishtja dhe përkthimi përcaktuan fatin e këtij njeriu sepse, kur ishte gati 40 vjeç, iu bë në heshtje një lloj rehabilitimi, në mënyrë që të mund të përkthente veprën e diktatorit.
Vetë Kadare ka shkruar: “Parisianizmi. Një nga kurthet më delikate në jetën e shkrimtarëve që fati e sjell të kenë lidhje me Parisin. Ai vetë më kërcënoi kur isha tridhjetë e pesë vjeç, “nel mezzo del cammin di nostra vita”. Kur isha ende nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç shkrova një poezi me titull “Paris”. Ishte viti 1953 dhe të shkruaje për kryeqytetin e famshëm borgjez, pa e sharë, nuk ishte e zakonshme”.
Personazhi tjetër, Enver Hoxha, në librin “Vitet e rinisë” rrëfen jetën e tij si student i varfër dhe revolucionar në Paris. Të krijohet përshtypja se diktatori e ka ruajtur me anë të të shkruarit dëshirën për t›u kthyer në Paris, sepse herën e fundit ka qenë në vitin 1946. Kadare, si shkrimtar i madh, ka ndjerë që vepra e tij duhet të jetojë në Paris, ndërsa Jusuf Vrioni, falë gjuhës që mësoi si gjuhë amtare dhe falë kontributit të pamasë për kulturën shqiptare, mundi të kthehet në Paris si ambasador i Shqipërisë në UNESCO, kur ishte mbi 70 vjeç. Kadare kalon aty herë pas here, ndërsa ai, diktatori, nuk u kthye kurrë atje.
Le të kthehemi tani te historia jonë për të parë se si u ndërthur jeta e këtyre tri personazheve. Për këtë temë, Jusuf Vrioni shkruan: “Në atë kohë, rreth vitit 1963, më lindi ideja për të përkthyer “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”... Suksesi i “Gjeneralit...” në Francë do të më ndihmonte shumë në karrierën time.” Po, suksesi ishte shumë i madh dhe shumë shpejt Kadare u bë një shkrimtar me famë botërore... Paradoksi ishte që emri i përkthyesit nuk ishte në ballinë të librit, sepse ai ishte një ish i burgosur politik. Por vjen një ditë dhe urdhërohet të merret me përkthimin e veprave të Enver Hoxhës. Jusuf Vrioni shkruan: “Pra, u gjenda në një situatë paradoksale: nga njëra anë po përkthej një mjeshtër të madh të imagjinatës dhe poezisë, dhe nga ana tjetër mishërimin e ngurtësisë dhe përfaqësuesin e fundit të vijës së ashpër. Unë dhashë në frëngjisht dy botë antagoniste që do të lidheshin me dy lexuesit shumë larg njëri-tjetrit. Për Kadarenë kam punuar lirshëm në shtëpi, nga ana tjetër, për Enver Hoxhën, përkthimi ishte i mbështjellë me një atmosferë paranoje dhe fshehtësie, tipike për regjimin8”.
Kur vepra e Kadaresë u bë e njohur gjerësisht, të gjithë pyesnin se si është e mundur që një shkrimtar i tillë që fliste për totalitarizmin, që nuk kishte lidhje me socrealizmin, e zhvilloi veprimtarinë e tij në të njëjtën kohë me bashkatdhetarin e tij nga Gjirokastra, diktatorin Enver Hoxha. Për këtë argument, Alen Boske (Alain Bosquet) që bëri një intervistë të gjatë me Kadarenë dhe një nga shqetësimet kryesore të tij ishte pyetja për Kadarenë për marrëdhëniet e tij me pushtetin komunist dhe me Enver Hoxhën, dhe Kadare u përgjigj:
“Në atë kohë, shumë vite më vonë, askush nuk e ëndërronte që komunizmi do të shembet kaq papritur. Të gjithë ishim të bindur se do të vdisnim nën atë regjim...”
Për sa i përket letërsisë dhe kulturës së Shqipërisë socialiste, ajo ishte letërsi dhe kulturë mediokre në shumicën e rasteve, por shumica e shqiptarëve besonin se socializmi që u ndërtua nga komunistët dhe që drejtohej nga një lider që mbante veten si të iluminuar, si Enver Hoxha, ishte një sistem vlerash më i drejtë se ai i kapitalizmit.
Kadareja u bë një lloj ndërgjegjeje kolektive dhe vepra e tij shërbeu si mjet për të na projektuar në Perëndim, për të na lidhur me një botë të cilën të gjithë e ndjenim si pjesën e natyrshme tonën, dhe në të njëjtën kohë, të anatemuar prej komunistëve. Në këtë rast, frëngjishtja shërbeu si një mënyrë identifikimi me një botë që na mungonte. Teoritë e komunikimit thonë se mund të flitet për identifikimin jo vetëm të një individi, por edhe të një kombi. Më duket se bashkimi i këtyre tri personazheve, Hoxhës, Kadaresë dhe Vrionit, na shërbeu për t’u identifikuar me një gjuhë dhe një qytetërim modern si frëngjishtja.
Së fundi, më pëlqen të citoj një thënie nga libri i Jusuf Vrionit, i cili kujton një fjali nga Siorani (Emil Cioran, filozofi frango-rumun) që thoshte: “Ëndërroj për një botë ku mund të vdesësh për një presje...” /mapo/
Ilir ! Me vjen per te vjellur kur shoh se edhe individe si ti, me njefare dinjiteti, keni rene pre e sindromes se mohimit dhe negativizmit, gjykimit bardh e zi, mallkimit te cdo gjeje te krijuar para 1990 dhe lavderimeve boshe. Per Vrionin dhe ndonje tjeter si ai duhet te ndjejme keqardhje, por perrallisjet tua, dhe te seres tende per " mallkimin e anglishtes ", kur gjuha angleze, jo vetem studiohej ne Fakultetin e Gjuheve te Huaja por edhe ne shumicen e shkollave te mesme te Shqiperise, vecse ulin dinjitetin tuaj. Po keshtu, te pohosh se " Për sa i përket letërsisë dhe kulturës së Shqipërisë socialiste, ajo ishte letërsi dhe kulturë mediokre në shumicën e rasteve, por shumica e shqiptarëve besonin se socializmi që u ndërtua nga komunistët dhe që drejtohej nga një lider që mbante veten si të iluminuar, si Enver Hoxha, ishte një sistem vlerash më i drejtë se ai i kapitalizmit.", flet shume per mungesen alarmante te realizmit dhe personalitetit. Letersia dhe kultura e asaj kohe nuk ishin dhe as mund te ishin te nivelit te shteteve me te zhvilluara, djepe te kultures boterore, por krahasuar me letersine dhe " kulturen " e sotme shqiptare kane qene te pakten 100 here me lart. Ndoshta ti dhe shoket e tu keni deshiruar dhe pritur letersine dhe " kulturen " e " Vrimes ", Big Brotherit, Perputhen, Ferma e sembes e te tjera banalitete aktuale. Une besoj fort se ai regjim beri shume mire qe s'i lejoi perversitete te tilla te cilat sot i shiten popullit si modernizem, perendimorizem etj.. Sa i perket " sistemit te vlerave te kapitalizmit " po te citoj nje prej historianeve me te famshem franceze, i cili thote: " Pas viteve 1990 perendimi kishte thuajse gjithcka materiale per t'i ofruar botes dhe pothuajse asgje morale ".