Ura e Kamarës mbi lumin Shkumbin

27 Janar 2026, 16:42Kulturë TEMA

URA E KAMARES MBI LUMIN SHKUMBIN

 

Avni Alcani

 

      Ura e Kamares mbi lumin Shkumbin (fig. 1, 2,3 dhe 4) është një nga urat prej guri më të mëdha dhe më të bukura në Shqipëri. Ajo ndodhet pranë lagjes Plan të fshatit Mirakë, në Bashkinë e Librazhdit (qarku i Elbasanit). “Ura e Kamares” e ka marrë këtë emër për shkak të një kamareje (hapësire prej guri) që ndodhet në anën e djathtë të saj (fig. 1). Ajo është ura më e madhe mbi lumin Shkumbin, si dhe një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore në këtë zonë.

      Ura e Kamares është një urë historike e periudhës osmane me vlerë arkitekturore dhe kulturore. Ajo është e vendosur në një pikë strategjike të një rruge të lashtë tregtie, që sot ruan historinë e së kaluarës mbi lumin Shkumbin. Ura bashkonte një degëzim të rrugës, që lidhte krahinat e Çermenikës, Gollobordës dhe Dibrës me rrugën që ndiqte trasenë e rrugës “Egnatia”, për të vazhduar në drejtim të Strugës (Maqedoni), në Selanik (Greqi) dhe më tej deri në Kostandinopojën (Turqi) e largët.

      Ura e Kamares është ndërtuar rreth shekullit të 17-të (viti1600) dhe mendohet të jetë projektuar nga artitekti shqiptar Kasem Imari. Në një varian tjetër të historikut të ndërtimit të kësaj ure, e dëshmuar nga një mbishkrim i shkruar në gjuhën osmane, shkruhej se ura ishte ndërtua në vitin 1715 prej usta Ahmetit nga Elbasani (?!). Ky mbishkrim, i cili sot nuk ekziston më, pretendohet se ishte i gdhendur mbi një pllakë guri, që ka qenë e murosur në kamaren e urës. Vjedhës të panjohur e kanë zhdukur pllakën e shkruar në gjuhën osmane, duke e lënë vendin e saj bosh, gjurmët e së cilës dallohen edhe sot (fig. 1). Pllaka me mbishkrim do të ishte një dëshmi e rëndësishme historike, që do të dedikonte vitit, projektuesin dhe ndërtuesin e kësaj ure.

      Ura e Kamares është një urë asimetrike prej guri, e cila ka një arkitekturë të përsosur. Ajo është ndërtuar me gurë të skalitur në ngjyrë gri, të nxjerra nga mali i Polisit. Ura ka pesë hapësira, apo dritare, në formë harku, dy nga të cilat shërbejnë për rrjedhjen e ujit të lumit dhe hapësirat e tjera për mbrojtjen e urës nga tensionet strukturore. Pjesa e sipërme e urës, që shërben për për kalimin e qerreve dhe të udhëtarëve, është e ndërtuar prej zajesh (gurësh) të rrumbullakët të lumit, të vendosura horizontalisht (fig 3). Gjatësia e urës është rreth 40 m, gjerësia rreth 3.5 m, kurse harku kryesor i saj është rreth 23 m (fig. 2). Ura është e mbështetur mbi një formacion shkëmbor të Malit të Polisit (fig. 1), i cili ndodhet në bregun e majtë të rrjedhjes së lumit, ndërsa në anën e djathtë ajo është e mbështetur mbi zhavorrishten e shtratit të lumit Shkumbin (fig. 4).      

      Ura ka pasur një rol të madh dhe shumë të rëndësishëm, jo vetëm se shërbente si një pikë kryesore kalimi mbi lumin Shkumbin, por edhe sepse shërbente si një rrugë e tregëtisë dhe si një nga arteriet kryesore të lidhjes mes perëndimit, veriperëndimit dhe lindjes. Kjo e bënte urën e Kamares të ketë qenë pjesë kyçe e komunikimit dhe tregtisë në këtë rajon.

     Për vlerat e saj historike dhe arkitektonike, në vitin 1963 Ura e Kamarës është shpallur “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë, duke e mbrojtur atë si një vlerë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare shqiptare.

      Edhe pse një objekt mbi 300-vjeçar, ura e Kamares, për shkak të ndërtimit të strukturës së saj solide, i ka mbijetuar deri më sot sfidave të kohës. Në dekadat e fundit ura ka qenë e kërcënuar nga përmbytjet e fuqishme të lumit Shkumbin, të cilat i kanë dëmtuar harqet kryesore, si dhe e kanë vënë disa herë në rrezik serioz shëmbjen e saj. Ura ka pësuar disa herë dëmtime të ndryshme nga persona të pa përgjegjshëm, që gjatë viteve të fundit e kanë grabitur atë disa herë. Një pjesë e kalldrëmit janë hequr disa gurë, ndërsa pllakat prej guri të parmakëve anësorë kanë pësuar dëmtime të rënda dhe pothuajse kanë dalë jashtë funksionit.

      Banorët vëndas kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse për mbrotjen dhe restaurimin e urës së Kamares, për ta ruajtur këtë monument historik me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.

Ura e Kamarës mbi lumin Shkumbin

Ura e Kamarës mbi lumin Shkumbin

Ura e Kamarës mbi lumin Shkumbin

Ura e Kamarës mbi lumin Shkumbin

Ura e Kamares në foto.

 

 

Lini një Përgjigje