Dua Lipa zgjedh librin e muajit maj: “So Late In The Day” nga Claire Keegan

30 Prill 2026, 11:59Kulturë TEMA
Dua Lipa zgjedh librin e muajit maj: “So Late In The Day” nga Claire

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit e saj librin e përzgjedhur për muajin maj, duke rekomanduar veprën So Late In The Day të autores irlandeze Claire Keegan.

Në përshkrimin e saj, Dua Lipa e cilëson librin si një “perlë të vogël”, duke theksuar se, ndonëse është i shkurtër dhe mund të lexohet për më pak se një orë, ai mbart thellësinë e një romani të madh.

Ngjarja zhvillohet rreth personazhit Cathal, një burrë i zakonshëm që përjeton një ditë të pazakontë në Dublin. Edhe pse në pamje të parë dita duket e zakonshme, lexuesi kupton shpejt se diçka nuk shkon, ndërsa detajet zbulojnë një histori më të thellë personale, përcjell KultPlus.

Libri trajton marrëdhënien e tij me të dashurën franceze, Sabine, duke nxjerrë në pah sjellje të vogla, por domethënëse, që ndikojnë në raportin e tyre. Sipas Dua Lipës, autorja e shpalos këtë histori me një finesë të veçantë, duke evidentuar forma të përditshme dhe shpesh të pavërejtura të qëndrimeve gjinore.

“Është një lloj parabole për mizogjininë e zakonshme dhe një kujtesë për atë që mund të humbasësh nëse nuk je i gatshëm të ndryshosh,” shprehet artistja.

Ajo shton se libri është shkruar pa dramë të tepruar apo gjykim, por me elegancë dhe ndjeshmëri, duke e bërë një lexim që të shtyn ta rilexosh për të zbuluar shtresat e tij të fshehura.

Lini një Përgjigje