Titulli Mbarëkombëtar Çmimi “Jakov Xoxa” – në Letra, 2025–2026: Të nominuar Andreas Dushi dhe Adil Olluri

29 Prill 2026, 15:48Kulturë TEMA
Titulli Mbarëkombëtar Çmimi “Jakov Xoxa” –

Ky Titull Letrar është një nismë e pasardhësve të njërit prej shkrimtarëve më përfaqësues të letërsisë shqipe të xhek. XX, sikurse Jakov Xoxa, e mbështetur njëzëri nga shumë personalitete të botës akademike dhe letrare, mes të cilëve Rexhep Qosja, Ali Aliu, Shaban Sinani, Xhevahir Spahiu, Neritan Ceka, Bardhosh Gaçe, Shefkije Islamaj, Klara Kodra, Natasha Lako, Valentina Leskaj, Diana Çuli, Mevlan Shanaj, Timo Flloko, Kim Mehmeti, Aleksandër Çipa, Fatos Çoçoli, etj., etj.

Çmimi “Jakov Xoxa” – në Letra ka gëzuar po ashtu mbështetjen e institucioneve shqiptare, si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Universiteti i Arteve, Bashkia Tiranë, Bashkia Fier si dhe jashtë kufijve gjeografikë të Republikës së Shqipërisë, nga Qeveria e Kosovës – Kryeministria, Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës, Universiteti i Tetovës (Maqedonia e Veriut), Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, apo shoqatave dhe fondacioneve të ndryshme.

Po kështu, aktivitete të zhvilluara nën këtë Titull Letrar kanë marrë mbështetje ndërkombëtare, si Programi IPA Interreg Itali–Shqipëri–Mali i Zi, Puglia Culture (Rajoni i Pulias, Itali).

Në Jurinë e Titullit shquhen emrat e akademikëve Rexhep Qosja – Kryetar i Jurisë, Ali Aliu, Shaban Sinani, Xhevahir Spahiu, Bardhosh Gaçe, poetes Natasha Lako, gazetarit dhe publicistit Aleksandër Çipa, etj.

Objekti kryesor i titullit Çmimi “Jakov Xoxa” – në Letra është stimulimi i brezave të rinj letrarë, të cilët filluan aktivitetin krijues pas viteve ’90 të shekullit të kaluar.

Gjykimi dhe vlerësimi i krijuesve mbarëshqiptarë letrarë është bazuar mbi kriterin e integritetit të veprës së autorëve (në vite).

Në Edicionin e kaluar (2024–2025), u gjykua dhe u vlerësua vepra e mbi 40 autorëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe u nominuan për Titull 7 (shtatë) prej tyre.

Edicionin 2024–2025 të Titullit e fitoi me vota unanime shkrimtarja dhe studiuesja Majlinda Rama.
Në Edicionin 2025–2026, u gjykua dhe u vlerësua vepra e mbi 35 krijuesve që plotësonin kushtet e kritereve të Rregullores dhe autorët e nominuar për Titull janë si më poshtë: (në rend alfabetik):
* Andreas Dushi,
* Arian Leka (nga Shqipëria),
* Adil Olluri,
* Gëzim Aliu (nga Kosova),
* Selajdin Saliu (nga Maqedonia e Veriut);
Fituesi i Titullit në Edicionin 2025-2026 do gëzojë stimul material:
- Një shumë Cash, e cila do të mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Kosovës;
- Botimi i një vepre të pabotuar nga autori fitues, mbështetur nga Titulli në fjalë.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje