“Duam të dëgjojmë mite ngushëlluese,” shkrimtari arvanitas Dimosthenis Papamarkos për luftën, të vërtetat dhe mitet që ngremë rreth heronjve (VIDEO)

15 Mars 2026, 15:00Kulturë TEMA
“Duam të dëgjojmë mite ngushëlluese,” shkrimtari

Përse shoqëria i dënon ata që tregojnë të vërtetat në lidhje me luftën?

Kjo është një nga pyetjet në qendër të një prej tregimeve në përmbledhjen e titulluar “Gjak”, të shkrimtarit me origjinë arvanitase, Dimosthenis Papamarkos, i cili është edhe i ftuari i kësaj të diele në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa.

Papamarkos, i cili jeton dhe punon në Athinë, është një autor i ri mjaft i vlerësuar në letërsinë bashkëkohore greke. Përmbledhja e tij me tregime, “Gjak” – një seri historish të rrëfyera nga arvanitas veteranë të luftës Greko-Turke të viteve 1919-1922 – eksploron plagët psikologjike dhe morale që lë dhuna. Libri është vlerësuar me çmimin prestigjioz të Akademisë së Athinës dhe është pëkthyer në disa gjuhë, si edhe përshtatur për teatër.

Por gjatë bashkëbisedimit, diskutimi ndalet te “Knocker”, ndoshta një nga tregimet më goditëse të librit. Ai ndjek historinë e një arvanitasi veteran i luftës Greko-Turke, i cili ka emigruar në SHBA pas kthimit nga lufta. Në fshatin e tij, ai shihej si hero, por gjatë ceremonisë së fejesës, burri vendos të tregojë me hollësi tronditëse të gjitha mizoritë që ka kryer në luftë: dhunë kundër civilëve, përdhunimin e grave, vrasjen e grave shtatëzëna apo edhe të fëmijëve… Të gjitha akte dhune kaq mizore, sa që e shpërbëjnë në çast imazhin heroic që fshati kishte ngritur për të. Reagimi është i menjëhershëm: të njëjtët njerëz që deri atëherë e nderonin, tani i largohen dhe nuk duan të kenë të bëjnë me të.

Pasi emigrimit në Amerikë, protagonist gjen punë në një thertore, ku detyra e tij është të godasë me vare derrat para se të kalojnë në procesin e therjes. Profesioni i ri reflekton logjikën bruutale, që protagonisti i tregimit duket se e ka pranuar tashmë: shoqëria e toleron dhunën sa kohë mbetet e fshehur, luan një rol të caktuar dhe kryhet larg syve të publikut.

Gjatë intervistës, ndërsa reflekton në lidhje me këtë tregim, Papamarkos shprehet se shoqëritë tona shpesh parapëlqejnë mite ngushëlluese në vend të përballjes me të vërtetat e luftës të rrëfyera nga ata që e përjetojnë në vetë të parë atë. “Kemi nevojë për histori ngushëlluese,” thotë ai. “Duam të besojmë që ne nuk kemi marrë pjesë në këto mizori dhe se ne ishim aty për diçka të mirë.” Sipas Papamarkos, shoqëritë moderne shpesh e mbështjellin luftën me një gjuhë më të pranueshme – duke folur për “ndërhyrje humanitare”, apo misione për rivendosjen e demokracisë – ndërsa fshehim fytyrën e vërtetë të dhunës.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:

Dhuna që fshehim: Shkrimati arvanitas Dimosthenis Papamarkos për luftën, të keqen dhe Ballkanin

1 Komente

Lini një Përgjigje