Durrës/ Çelet Panairi "Verë dhe traditë"

21 Dhjetor 2025, 16:09Kulturë TEMA
Durrës/ Çelet Panairi "Verë dhe traditë"

Është çelur në Durrës edicioni i tretë i Panairit “Verë dhe Traditë”, një aktivitet që sjell në qendër të qytetit shijet tradicionale dhe kulturën vendase.

Panairi bën bashkë prodhues të verës nga Durrësi dhe zonat përreth, duke u kthyer në një hapësirë promovimi për gastronominë lokale dhe produktet tipike të zonës.

“Këtë vit vjen me më shumë operatorë ekonomikë, ka pasur një interes të shtuar nga kantinat e verërave nga qyteti i Durrësit dhe fshatrat turistikë përreth. Ka pasur një interes të shtuar edhe nga artizanët gjithashtu, me punimet e tyre të dorës por në fokus trashëgiminë kulturore. Gjithashtu kemi edhe më shumë operatorë të cilët duan të ekspozojnë produktet tipike lokale”, u shpreh Floreta Kërtusha, specialiste Turizmi, Bashkia Durrës.

Pjesë e panairit janë edhe artizanët, të cilët prezantojnë punimet e tyre, të frymëzuara nga trashëgimia kulturore dhe prodhuesit e verërave.

“Ne kemi produktet tona. Jemi kantinë vere, prodhojmë verë dhe marrim pjesë për të tretin vit rresht”, u shpreh Nesti Bello, pjesëmarrës në panair.

“Shumë mirë, shumë bukur”, shton Fatbardha Meta, pjesëmarrëse në panair.

Atmosfera u plotësua edhe me një program artistik të larmishëm, ku u ngjitën në skenë rreth 250 artistë të rinj të qytetit.

“Së pari nisëm organizimin tonë me paradën, në bulevardin kryesor, në të cilin u përfshinë të gjithë qytetarët. Gjithashtu vazhduam me koncertin festiv me këngë edhe gjithashtu me kërcime koreografike”, u shpreh Marsina Aliaj, organizatore e programit artistik.

Panairi “Verë dhe Traditë” po i jep gjallëri qytetit dhe po krijon një atmosferë festive në prag të fundvitit, duke tërhequr interesin e qytetarëve dhe vizitorëve. Panairi do të qëndrojë i hapur deri më datë 21 dhjetor. A.K./TemA

Lini një Përgjigje