Edicioni i 19-të i “Sallonit të Vjeshtës”, tema e këtij viti do të jetë “Midis linjave dhe ngjyrave”

19 Shtator 2025, 17:27Kulturë TEMA
Edicioni i 19-të i “Sallonit të Vjeshtës”, tema e

Galeria e Arteve Shkodër dhe Bashkia Shkodër kanë njoftuar hapjen e edicionit të 19-të të “Sallonit të Vjeshtës”, një nga aktivitetet më të rëndësishme të kalendarit kulturor të qytetit.

Njoftimi është bërë përmes faqes zyrtare të Galerisë në rrjetet sociale. Tema e këtij viti, “Midis linjave dhe ngjyrave” (“In Between Lines and Colours”), vjen si një ftesë për artistët që të sjellin punime ku ngjyra dhe forma dialogojnë me kujtesën e qytetit, duke e kthyer ekspozitën në një udhëtim mes të shkuarës, të tashmes dhe qëndresës së përjetshme artistike.

Kuratori i këtij edicioni është një nga emrat më të njohur të arkitekturës dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore në vend, Olsi Plasa. I diplomuar në vitin 1998 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit – Departamenti i Arkitekturës, ai ka mbi 25 vite kontribut në dizajnin urban dhe restaurimin e monumenteve. Nga viti 2019 deri në 2024, Plasa qëndroi në krye të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, duke udhëhequr projekte të rëndësishme për trashëgiminë e kryeqytetit.

Koncepti kuratorial i këtij viti lidhet me idenë e qytetit që lëviz në kohë dhe formë, por në tablonë e piktorit ngjyra dhe godinat mbeten si dëshmi e kujtesës. Afati i dorëzimit të punimeve nga ana e artistëve pjesëmarrës do të jetë data 10 nëntor.

Ky edicion i “Sallonit të Vjeshtës” pritet të shndërrohet në një tjetër festë arti dhe reflektimi për Shkodrën, duke bashkuar brezat e artistëve dhe publikun në një dialog mes ngjyrave dhe kujtesës.

- RTSH-

Lini një Përgjigje