Nga Diana Jup Kastrati
Sot paradite pata mundësinë të shoh për herë të dytë një ekspozitë të Salvador Dalisë. Të parën herë, rastësisht në Pragë 13 vjet të shkuara. Ndërsa sot vizitova në Tiranë një ekspozitë mjaft interesante: ilustrimet e “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighieri-t nga dora e artistit gjenial e ekstravagant, Salvador Dalì.
Personalisht njihja nga afër edicionin e kësaj vepre me ilustrime të Gustave Doré-së të shekullit të XIX-të, mbase më i famshmi ndër ilustruesit e ndryshëm të kësaj kryevepre aq sa kur thuhet Komedia Hyjnore asocimi bëhet me Dorenë. Kur sheh ilustrimet me ngjyra të errëta të Gustav Doresë, ngjan sikur Dante ka komunikuar me të paraprakisht.
Doré ka bërë një zgjedhje artistike midis shkollës Romantike e asaj Impresioniste duke u lënë hapësirë përfaqësimeve të peizazheve e personazheve.
Në të kundërt, Dalì, bën një interpretim psikanalitik e onirik të Komedisë, arrin të shkrijë idenë e tij të të mbinatyrshmes, të nënvetëdijes, të surreales me spiritualitetin e temës. Edhe pse përpiqet ta respektojë veprën danteske, në fakt ai nis një udhëtim të brendshëm të vetes përmes kompleksitetit të personazheve të vendosura në të trija pjesët e Komedisë. Gjurma e ekstravagancës daliniane ndjehet në secilën ksilografi.
Ndonëse kritika e konsideron delikat rafigurimin e Beatriçes nga Dalì, dhe i tillë është, por në perceptimin tim unë pashë “blasfeminë” e artistit spanjoll: në atë ksilografi gjemë Danten të përmbytur nga drita hyjnore, teksa Beatriçja paraqitet me të gjitha format femërore të një trupi thuajse të zhveshur, në një kohë kur është i mirënjohur fakti i të shikuarit të saj nga Dante në mënyrë ëngjëllore, qiellore e aspak tokësore.
Ndërsa te ksilografia e Kont Ugolinit gjejmë pikturën e famshme të Dalisë “Persistenca e kujtesës”, por të shndërruar në këtë rast në shqyerjen që i bën njëra figurë tjetrës përmes dhëmbëve të shtuar. Apo tek ksilografia e Lajkatarit gjejmë gjurmët e jargëve në ngjyrë të zezë madje që varen nga një “hundë” e stërzgjatur. Gjithsesi, një ekspozitë që të lë gjurmë e që pata mundësinë ta bëj me rehati në qytetin ku jetoj.
Ndodhet në Galerinë naan në Bllok, e hapur deri më 12 shkurt 2025.
Lini një Përgjigje