Etno- muzikali “Zare” me vlerat e trashëgimisë të pasqyruara në këngë dhe valle do të vijë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datën 10 qershor.
Nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një muzikal i plotë ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi. “Zare” është një nga shfaqjet më të bukura të repertorit artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Një etno-musikal që ngjitet në skenë me gjithë fuqinë e këngës, valles dhe traditës, për të sjellë një histori dashurie mes dy të rinjve që na kthen pas në kohët kur dashuria jetonte në gjeste të vogla dhe këngë të mëdha.
“Është një shfaqje që këtë herë është ri konceptuar në pjesën muzikore, në pjesën e koreografisë dhe do të jetë një shfaqje shumë e bukur dhe ne e kemi quajtur si një “Shfaqje pasaportë””, u shpreh Sokol Marsi, drejtor i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve.
“Kjo shfaqje ka pasur idenë që të vij sa më aktuale nëpërmjet traditës dhe kjo tregon se rinia e sotme megjithëse konceptet që ende nuk janë zhdukur në shoqërinë tonë, krijon konfliktin por është rinia bazë”, theksoi koreografi, Andrea Kokeri.
Një udhëtim i paharrueshëm mes motiveve popullore, kostumeve autentike dhe emocioneve që vetëm folklori ynë di të “zgjojë”, Etno muzikali “Zare” vjen në vijim të programit artistik këtë muaj.
- RTSH
Lini një Përgjigje