Çfarë do të thotë Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e ASHK

24 Qershor 2025, 14:15Kulturë TEMA
Çfarë do të thotë Udhërrëfyesi për

Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Tokën, është miratuar zyrtarisht “Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës 2025–2028”, një plan konkret dhe i zbatueshëm pune, që vendos hapat për transformimin digjital të sistemit të pronësisë në Shqipëri.

Ky udhërrëfyes u prezantua nga drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, e cila theksoi rëndësinë e këtij angazhimi për të ndërtuar një administratë më efikase, më transparente dhe të orientuar plotësisht drejt qytetarit, shkruan atsh.

Sipas saj, digjitalizimi i plotë dhe regjistrimi fillestar, sjell një sërë përmirësimesh.

“Ky proces, rrit besueshmërinë e të dhënave të pronësisë; Siguron akses më të shpejtë dhe më të saktë në të dhëna për qytetarët dhe institucionet; Ul mundësinë për abuzime dhe manipulime me dokumentacionin e pronësisë; Përmbush kriteret e integrimit europian, në veçanti standardet e BE për administrimin e tokës dhe siguron plotësimin me tituj pronësie dhe regjistrimin e tyre në regjistrin kadastral”, tha ajo.

Goxhobelli, vuri në dukje se, përmes këtij procesi digjitalizohet dokumentacioni tekniko-ligjor, kartelat e pronësisë dhe hartat kadastrale, të cilat përbëjnë bazën themelore të të dhënave kadastrale në vend.

“Këto janë dokumente të domosdoshme për të vërtetuar dhe mbrojtur të drejtën e pronësisë”, theksoi ajo.

Ndërsa Regjistrimi Fillestar është një proces i domosdoshëm për plotësimin me titull pronësie dhe regjistrimin e pronës në regjistrin kadastral. Këtij procesi do t’i nënshtrohen 274 zona kadastrale në të cilat nuk është kryer më parë një regjistrim i tillë. Objektivi kombëtar është përfundimi i plotë i regjistrimit fillestar brenda vitit 2028.

Sa i përket afateve, Kadastra informon se deri në fund të 2025-s përfundon skanimi dhe arkivimi elektronik i të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor referues; deri në fund të 2026-s përfundon digjitalizimi i kartelave të pronësisë dhe i hartave kadastrale; po në 2026-n përmbyllet regjistrimi fillestar në 95% të zonave kadastrale të vendit; në 2028-n përmbyllet regjistrimi fillestar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Goxhobelli theksoi se ASHK është e angazhuar ta zbatojë me sukses këtë plan, në bashkëpunim me institucionet publike, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe me fokus të pandërprerë tek qytetari.

“Ky udhërrëfyes përfaqëson një hap vendimtar për të ndërtuar një sistem të integruar dhe të besueshëm të pronësisë në funksion të qytetarëve, ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”, deklaroi ajo.

1 Komente

  1. G
    GJEKCELAJ

    Pershendetje Z. Manja ! Ne pamundesi per te kontaktuar direkt ju apo ndonje nga zyrtaret qendror te adminsitartes tuaj teper hermetike dhe te distancuar ( realisht ) nga problemet e qytetareve, me duhet t'ju them se fjalet, programet dhe shpalljet tuaja jane teper larg realitetit dhe te drejtave te qytetareve. Digjitalizimet dhe veprimet online te shpallura me aq buje, ne fakt, vetem se po ua vonojne apo mohojne me teper qytetareve te drejtat e tyre. Jane njerezit e administrates shteterore ( kudo ne bote ) qe marrin, vleresojne dhe konkludojne mbi te drejtat e qytetareve. Kam kaq vjet qe sorollatem nga administarat juaj shterore dhe ( kryesisht ) nga administrata e ASHK-se duke mos me regjistruar pronen e ligjshme ( te fituar nga trashegimia, me vendim gjykate te formes se prere ). As letrat me poste dhe as ato me email, drejtuar znj. Kocobelli apo zyrtareve te tjere shteteror nuk kane dhene asnje rezultat pasi duket qarte qe, pervec korrupsionit galopant qe ka mberthyer administraten tuaj, vihet re qarte edhe nje shkalle teper e uket e nivelit profesional ( juridik ) ne qender dhe ( vecanerisht ) ne baze. As Kushtetuta e RSH, as vendimet e Gjykates Kushtetuese dhe as legjislacioni tjeter shqiptar nuk i jep te drejte asnje zyrtari shteteror, duke filluar me Presidentin e Kryeministrin, e deri tek minjte dhe gaforret e korruptuara te zyrave te ASHK-se ( vecanerisht ne Lezhe ) qe te interpretojne apo ( aq me keq ) te mos zbatojne vendimet gjyqesore te formes se prere. Ju shpallni digjitalizime, ndersa une ( dhe qindra te tjere si une ) perjetojme diskriminime e mohime te te drejtave tona. Fatkeqesisht, jeni shume larg realitetit dhe te drejtes. Kaq per sot. Gjek Celaj Kanada

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje