
Nga Farrah Jarral, The Guardian
Fjala e lirë është në krizë të përhershme, ose të paktën kështu do t’iu bënin të besonit disa. Ankesat se liria e fjalës gjendet nën sulm, vijnë kryesisht nga e djathta politike, nga figura publike që, me një vështrim të thjeshtë, duken të jenë jashtëzakonisht të lirë për të thënë dhe bërë çfarë të duan, pa e vënë re ironinë e faktit se e bëjnë këtë përmes platformave me audienca të mëdha.
Shpesh, mbrojtësit e zjarrtë të lirisë së shprehjes motivohen nga disa interesa çuditërisht të ngushta në dëshirën e tyre për ta ushtruar lirinë e fjalës. Të distancuar nga rrënjët fisnike të antiautoritarizmit të traditës liberale britanike, këto figura – si Nigel Farage, për shembull – preferojnë t’i përdorin platformat e tyre për të goditur ata që gjenden poshtë tyre, grupe të margjinalizuara që tashmë vuajnë ndërkaq nga përndjekja. Në vend të fjalës së lirë, ajo çfarë ata kërkojnë në të vërtetë është liria nga pasojat e shpërfaqjes së pikëpamjeve të tyre. Atë që e djathta e etiketon si “kulturë censure,” siç shkruan filozofja Arianne Shahvisi, në shumicën e rasteve është thjesht një version i super-zmadhuar i asaj që ne të tjerët e përjetojmë gjatë gjithë kohës: pasojat e gabimeve dhe paragjykimeve tona. Nëse bën diçka të neveritshme, njerëzit natyrisht do të distancohen nga ti, veçanërisht nëse refuzon ta pranosh gabimin dhe të kërkosh ndjesë.”
Por, sundimtarët tanë teknolibertarianë kanë vendosur së fundmi ta bëjnë lirinë e shprehjes edhe më të lirë. Meta, kompania që ka në pronësi median sociale më të madhe në botë, njoftoi më herët gjatë këtij viti se do të ndalonte verifikimin e fakteve për 3 miliardë përdoruesit e saj në Facebook. Mark Zuckerberg e përshkroi këtë lëvizje si “rikthim të lirisë së shprehjes”. Ndërkaq, pasi mori kontrollin e Tuiterit, tanimë i njohur si ‘X’, Elon Musk shkarkoi 80% të inxhinierëve që punonin për sigurinë dhe besueshmërinë e platformës, duke rezultuar në atë që është cilësuar si një “përmbytje nga dezinformimi dhe diskursi toksik.” ‘X’ ka humbur miliona përdorues në një eksod të vazhdueshëm, teksa njerëzit drejtohen drejt platformave më dinjitoze në internet.
Nga ana tjetër, pas njoftimit të fundit të Meta-s, një valë memesh krejtësisht të pabazuara në fakte kërkojnë të nxjerrin në pah absurditetin e politikës së re, disa në mënyrë më therëse se të tjerat. “Mark Zuckerberg, themelues i Facebook dhe pedofil i dënuar, i vdekur në moshën 36-vjeçare, thotë se faqet e mediave sociale nuk duhet të verifikojnë postimet”, është një shembull. E kuptoni lojën e tyre?
Problemi qëndron se përkufizimi i “lirisë së shprehjes” sot është shumë larg origjinës së tij si e drejta e njerëzve të zakonshëm për të folur pa u ndikuar nga pushteti, si përshembull qeveritë. Por sot ai është shndërruar në një term të zbrazët, një kërkesë për të vepruar pa kurrfarë kufizimi, një ndarje e thjeshtë mes “e ke” ose “s’e ke”. E përdorur si një fjalëkalim i shenjtë, ajo shoqërohet shpesh me një keqcitim iVolterit për mbrojtjen deri në vdekje të së drejtës së tjetrit për të kundërshtuar. Kjo devotshmëri e shtirur është thuajse gjithmonë e rreme. Mbrojtja e një parimi të shenjtë social është një mbulesë e mirë për ata që në realitet janë thjesht provokatorë, sharlatanë apo edhe kriminelë. Stephen Yaxley-Lennon, agjitatori i ekstremit të djathtë që e quan veten “Tommy Robinson”, është shembulli i përsosur i një personi kontributi i dyshimtë i të cilit në shoqëri po e çonte drejt harresës, derisa hipi në trenin e artë të lirisë së shprehjes. Siç e shpjegon Nesrine Malik: Yaxley-Lennon “arriti ta riformatojë veten nga një rrugaç i dënuar në një luftëtar parimor”, duke “shfuqizuar kritikët e tij, sepse tani ta sulmoje atë nuk ishte kritikë ndaj politikave të tij, por ndaj së drejtës së tij për liri shprehjeje.”
Por nuk është fjala vetëm për kriminelët e dënuar. Të ankohesh se nuk të lënë të shprehesh, është një mënyrë mjaft e mirë për të fituar vëmendje, admirues dhe para, edhe kur anashkalon kontradiktën absurde se ankesa të tilla bëhen në një media kombëtare apo në një podcast të njohur. Sipas profesorit të medias Gavan Titley, kjo “është një mënyrë e transparente, por mjaft efikase, që një personalitet i afirmuar në publik, ta shndërrojë veten në një person të virtytshëm por të margjinalizuar, çka e lejon atë të paraqesë ide të diskredituara si propozime serioze.” Thënë ndryshe, akuza e ethshme për censurë është kthyer në një lloj erëze, e cila i jep shije edhe pikëpamjeve më pa shije dhe më të pabaza.
Nëse doni një shembull të mbrojtjes selective – e për rrjedhojë të pasinqertë – të lirisë së shprehjes, mos shkoni më larg se njeriu më i pasur në botë. Platforma e tij sociale ‘X’ “synon të jetë sheshi publik i internetit duke promovuar dhe mbrojtur lirinë e shprehjes”. Por jo lirinë e shprehjes së @elonjet, një llogari që gjurmonte avionin privat të Musk-ut në kohë reale duke përdorur të dhëna publike, derisa u pezullua bashkë me llogaritë e disa gazetarëve. Jo, lloji i preferuar i lirisë së shprehjes në universin Musk përfshin pretendime të rreme se autori i masakrës së tmerrshme në Southport ishte një mysliman dhe se, në verën e vitit 2024, Britania e Madhe ishte në prag të një lufte civile për shkak të emigracionit masiv. Është rrënqethëse të mësosh tani se pak para sulmit të tij të frikshëm, Axel Rudakubana kishte parë në fakt videon e dhunshme të një therjeje në Sidnei, postuar në rrjetin ‘X’. Një video, që kompania në pronësi të Musk, nuk kishte pranuar ta hiqte.
Ka ardhur koha të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se askush nuk dëshiron vërtet një liri shprehjeje pa kufij dhe se opinionet rreth kufizimeve të saj, dhe arsyetimi pas këtyre kufizimeve, ndryshojnë në varësi të axhendës së secilit. Të ngresh në qiell lirinë e shprehjes si një vlerë abstrakte të izoluar, pa kontekst social, kushte historike apo konsideratë për pabarazinë në fushën e diskursit publik, është ose naivitet ose dëshirë e qëllimshme për të mjegulluar të vërtetën. Ne kemi nevojë për një strategji për të dalluar oportunistët, dhe pushteti duhet të jetë në qendër të çdo debati të mençur mbi lirinë e shprehjes. Kush ka më tepër pushtet? Cilat janë qëllimet e tyre politike? Kush përfiton dhe si? Cilat janë qëllimet pas fjalimeve të tyre dhe cilat pasojat? Ndërsa ne mund të presim përjetësisht që oligarkia teknologjike të bëhet pak më e sinqertë në lidhje me këto çështje, të paktën të përpiqemi të mbajmë në gjendje të mirë pune detektorët tanë të gëngjeshtrave.
Nëse elita teknokrate nuk do të bëhet më e ndershme, të paktën ne mund të mbajmë sensorët tanë të gënjeshtrave në gjendje të mirë pune.
Lini një Përgjigje