Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, surprizat e edicionit të 18-të në Korçë

7 Qershor 2025, 12:31Kulturë TEMA
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, surprizat e edicionit të

Një sërë surprizash do të sjellë edicioni i 18-të i Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve, që do të zhvillohet përgjatë gjithë ditës së shtunë, më 7 qershor.

Përgjegjësja e Marrëdhënieve me Publikun dhe Publikimeve pranë Bashkisë Korçë, Lorena Saro, ka bërë të ditur itinerarin që do të ndjekin karnavalet gjatë gjithë ditës e deri në mbrëmje, si dhe ka zbuluar disa nga surprizat e kësaj feste që do të çelë edhe sezonin turistik veror për Korçën.

“Një ngjarje që kthehet çdo vit në një pikë takimi për qytetarët, vizitorët dhe artistët nga e gjithë bota. Atmosfera festive do të pushtojë Korçën që prej orëve të paradites, ku sheshet dhe rrugicat do të mbushen me trupa artistike të veshura me kostume karnavalesh, duke sjellë ritëm, ngjyra dhe hare në çdo cep të qytetit. Gjatë pasdites, te Pazari i Vjetër do të prezantojmë paketën turistike të Korçës dhe albumin e saj. Në mbrëmje, qyteti do të gjallërohet me paradën e karnavaleve”, u shpreh Lorena Saro, specialiste e Marrëdhënieve me Publikun dhe Publikimeve në Bashkinë Korçë.

Sezoni veror në Korçë nuk duhet humbur, pasi një sërë aktivitetesh të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare do të zhvillohen për t’i dhënë edhe më shumë ngjyra qytetit.

“Shpirti i Ballkanit, Mik Festival, LuminaElektronik Festival, Korça BeerFest, janë vetëm disa nga aktivitetet që do të gjallërojnë qytetin.”, tha ajo.

Saro ka ftuar të gjithë banorët, por edhe vizitorët, që të bëhen pjesë e festimeve dhe të zbulojnë magjinë që Korça ka për të ofruar.

- RTSH

Lini një Përgjigje