Festivali ndërkombëtar “Violinistic greetings” vjen në edicionin e 13 me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit

3 Qershor 2025, 09:29Kulturë TEMA
Festivali ndërkombëtar “Violinistic greetings” vjen

Festivali ndërkombëtar “Violinistic greetings” vjen në edicionin e 13 me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit si vetmi festival që i dedikohet tërësisht violinës, tashmë dhe me ndërkombëtarizmin e muzikës shqiptare për violinë.

Organizimet live dhe online të koncerteve të “Violinistic greetings“ sollën përshëndetje e interpretime nga violinistë të njohur të huaj e shqiptarë me një shtrirje gjeografike nga Amerika në Brazil.

Koncerti i parë i këtij edicioni 2025 titullohet “Greetings from Vienna”, është një recital i violinistes Ina Kosturi dhe pianistes Rejsi Prosi, qe realizohet në sallën e madhe të Universitetit të Arteve në datën 4 qershor ora 19, si pjesë e stinës koncertore të Fakultetit të Muzikës.

“Greetings from Vienna” është titulli i një pjesë të re për violinë e piano kompozuar enkas për këtë edicion nga violinistja Ina Kosturi. Ky koncert recital sjell një program të veçantë më 3 vepra shqiptare për violinë dhe dy vepra pothuaj të panjohura për skenën shqiptare të kompozitorëve botërorë Aaron Copland dhe Alberto Ginastera.

Ina Kosturi vjen si performer -composer me” Sonatë” për violinë e piano, ‘Improvisation for violin solo” botuar nga shtëpia e famshme vjeneze ‘Universal Edition’ dhe vlerësimin së fundmi me Cmimin e tretë dhe Honorable Mention në konkursin e rëndësishëm Vienna Classical Competition, “Arnold Rose” Competition, i organizuar në bashkëpunim me Moxarthaus, në nderim të koncertmaestrit të Filarmonisë së Vjenës, violinistit Arnold Rose. Ky vlerësim dhe takimi në zyrat e Universal Edition që gjenden në ndërtesën e famshme Musicverein do e frymëzonin për të krijuar pjesën e re, të titulluar “Greetings from Vienna”, e cila do jetë premierë në këtë recilal e më pas do botohet.

Sonata për Violinë e Piano e Aaron Copland është një sonatë pothuaj e panjohur në skenën shqiptare, e shkruar në vitin 1943, një vepër mjaft interesante.

Një tjetër vepër pianistike i bashkohet pjesëve të recitalit , për të sjellë tingujt e fuqishëm të Alberto Ginastera, interpretuar nga pianistja Rejsi Prosi që aktualisht ndjek studimet master në Universitetin e Muzikës dhe Arteve të Bukura në Graz, Austri. Ajo është fituese e bursës prestigjioze “Live Music Now” Steiermark themeluar nga Yehudi Menuhin, e cmimeve të para në konkurse në Itali, Francë, SHBA, Slloveni dhe Republikën Çeke, përfshirë një performancë si soliste në Carnegie Hall në mars të vitit 2023. Prej vitit 2023, Rejsi është pedagoge e pianos në shkollën e muzikës Seiersberg në Graz Austri.

Veprat kompozuara dhe interpretuara për koncertet e festivalit “Violinistic greetings” nga violinistja Ina Kosturi janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare si me çmimin e dytë dhe “Golden Award“në konkursin “Oscar Rieding“në Celje, Slloveni, çmimin e tretë në “Amadeus Composition Competition“ Vjenë 2023, vlerësimi me çmimin e parë në “Malta Composition Competiton” dhjetor 2023. Në faqen zyrtare të konkursit krahas emrit të fituesit shkruhet dhe emri i shtetit që përfaqëson, dhe në këtë konkurs 10 vjecar mes fituesve dhe pjesmarrësve nga gjithë bota, për herë të parë shkruhej dhe Albania. Një tjetër sukses i dhjetorit 2023 është vlerësimi me çmimin e parë në “Swiss International Composition Competition Lugano, Zvicër si përzgjedhja dhe pjesëmarrja në edicionin e 23 të festivalit të femrave kompozitore “Women Composers Festival of Hartford“ Connecticut USA, në mars 2024. Krijmtaria e shkruar dhe interpretuar për festivalin është botuar nga shtëpia e famshme vjeneze “Universal Edition “, është perzgjedhur në Winter Catalogue 2024- 2025, duke synuar shpërndarjen e kësaj muzike në gjithë botën. Ina Kosturi është një ndër 12 kompozitorët e promovuar të katalogut.


Violinistic greetings dhe shoqata “Bota e Artit” përmenden në CV, katalogë duke cilësuar festivalin e violinës si një festival ku spikat bashkëpunimi me artistë nga mbarë bota.

Lini një Përgjigje