Festivali shqiptar i kitarës, në këtë edicion edhe 16 interpretues nga Europa

15 Qershor 2025, 15:28Kulturë TEMA
Festivali shqiptar i kitarës, në këtë edicion edhe 16

Muzika flamenco dhe ajo klasike jehuan mbrëmë në sallën e Tonin Harapit në Liceun Artistik. Duoja e mirënjohur nga Barcelona, Luis Robisco dhe Ekaterina Zaytseva, dhuruan një ansambël unik muzikor në kitarë.

Dyshja e talentuar e kitaristëve performuan në Tiranë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës, që ka mbërritur në edicionin e tij të nëntë.

Një mbrëmje me tinguj pasionantë, energjikë dhe alternime të interpretimeve të qeta dhe melankolike, shpalosën mbrëmë kulturën iberike, duke i dhënë Tiranës një shije muzikore ndryshe, që shtrihet nga muzika me frymë flamenco dhe andaluziane e kompozitorëve Isaac Albéniz dhe Manuel de Falla, deri te veprat e legjendarit Paco de Lucía.

Festivali Shqiptar i Kitarës, me drejtues artistik kitaristin Denis Bizhga, këtë edicion ka sjellë 16 interpretues nga Europa, konkretisht nga Austria, Gjermania, Spanja, Italia etj., në Shqipëri, me të njëjtin synim: takimin dhe ndërveprimin kulturor.

Ky festival, veç promovimit të kulturës së mirë muzikore, një hapësirë i kushton edhe aspektit edukues për instrumentistët e rinj. Veç Tiranës, stacionet e radhës së këtij festivali do të jenë Kisha e Shëlbuemit në Rubik dhe Himara, ku më 21 Qershor, në Ditën Botërore të Muzikës, do të mbyllë siparin ky edicion me interpretimin e Denis Bizhgës dhe kitaristit nga Kosova, Agron Peni, dhe grupit të tij, Penia Trio, transmeton Tv Klan.

Lini një Përgjigje