Fjala në vendin tim

26 Tetor 2025, 11:08Kulturë Nga Orest Çipa

Gjuha më është athtuar. Guva gurgulluese e shqipes time ka ndalur.

Ka herë, që frymarrja më merret, mekem nga ato që dua ti them por me dashje udhën e fjalës kam zënë!

Duhen rruajtur ekuilibri, përndryshe mbyllen dyert.

Mu në fytyrë të mbyllet dera, nga shoku, familja, lagjia, qyteti, shteti… hap e mbyll syt je dhe s’je.

“Një mot gri nën qiellin, që sa vjen e më i rënduar po bëhet. Sorrat krakërijnë fort e më fort. Tek-tuk ndonjë shpërthim rebel i rezeve të diellit, del nga e fshehta e rreve te mugëta. Gjithçkaje i shtohet një pykpyetje “djegëse” sa zjarri përvëlues i shkreptimës së vetëtimës. E megjithatë çdo flakërim kohe shuhet vetiu, kur dita e vet i vjen (e ajo ditë do vijë)”-mendimi flet e stërsillet syve e veshëve që fshihen nga lakuriqësia e pa-moralit në vendin tim.

Unë ngrij.

Kohët e fundit i kam shpeshtuar monologët e brendshme.

Heshtjen ja kam shtuar qënies tim fizike, asaj që shikojnë të gjithë, por jo vetvetes…

Është dashur që ti vë fre disa “epsheve” vetjake, sic fjala bie, fjalën!

Asaj që një ditë të gjithë do japim llogari, për atë që thamë dhe për atë që nuk thamë!

Tingullit që në mënyrë të çuditshme ngjizet me disa hije e shenja, ja kam shkurtuar hapin, ja kam lidhur dy këmbët e para, siç bën bariu apo fshatari me gjënë e gjallë.

Është e rëndë fjala, pesha e fjalës nuk matet me anjë kandar “tregu” apo ndonjë njësi tjetër matëse… ajo depërton në çdo ndërgjeje njerëzore dhe turfullon gjakun nëpër vena si të ishte vullkan.

Fjala ka shumë peizazhe, ka shumë ngjyra, ka shumë fytyra, ndaj e kam frikë…

E kam frikë për besë!

E për këtë arsye, bisedat me vetveten i kam kthyer në rrutinë. Bisedat me vetveten i kam shtuar me pretendimin se një ditë do marr guximin ti pështyj bashkë me vrerin e akumuluar mu në suratin e atyre që i meritojnë.

E prandaj hesht!

Për ta skalitur më mirë mendimin, gjuhën e godas brenda buzëve të kycura dhe i dëgjoj jehonën në humnerat e meditimit.

Fjala e pathënë tingullon më bukur brenda “tymnajës” vlonjëse, shoqëruar me një buzëqeshje a me një dolli.

Të sklitësh fjalën është punë e rëndë. Duhet matur mirë çdo goditje me daltë …

Sa e sa herë e kam kafshuar gjuhën për të mos humbur dinjitetin.. Sa e sa herë e kam vërsulë si bishë e tërbuar fjalën, po për dinjitetin… e më pas jam skuqur!

Jam skuqur nga turpi i rënies në një gropë me ata që llomotitin pa pushim!

Unë jam një, por ka me qindar si unë… sa shumë statuja paska?!

Fjala të ngre, të ul, të lidh, të zgjidh, të turpëron, të nderon të ndriçon, të errëson, të ngjall, të vdes… fjala … të ngec në grykë në atdheun tim ose i mbyt ata që “kruhen” (kur e bardha është e bardhë).

Fjala është thikë me dy presa në një vend të korruptuar, ajo që thua duhet të tingëllojë bukur, edhe gabim por të tingëllojë bukur !

Fjala është interes … (leku e blen fjalën).

Kur morali vdes, fjala s’pi ujë !

Lini një Përgjigje