Arbërit që shkruan historinë e një qyteti adriatik
KOPER, Slloveni – Në një mëngjes të qetë pranveror, ndërsa era mesdhetare ngjitet lehtë përmes rrugicave me rrasa guri të qytetit të vjetër, Koperi zbulohet si një qytet me shumë identitete. Pas fasadave të ngjyrosura në pastel, të stilit venedikas, fshihen histori të harruara, të cilat po dalin në dritë falë kërkimeve të reja kulturore të ndërrmarra nga miku i Shqipërisë dhe biblotekari Peter Stoika. Dhe njëra prej tyre është ajo e shqiptarëve që ndihmuan në ndërtimin e identitetit qytetar të këtij porti të rëndësishëm adriatik në shekujt XVI dhe XVII. Në zemrën e këtij qyteti, ku dikur u ngrit Justinopoli, dy familje të mëdha arbëre – Bruti dhe Bruni – lanë gjurmë të thella në jetën politike, juridike dhe shoqërore të Koperit, duke e kthyer atë në një hapësirë të rëndësishme të diasporës shqiptare nën Republikën e Venedikut.
Nga Lezha në bregdetin e Istrias
---------------------------------------
Rënia e qyteteve shqiptare nën sundimin osman në fund të shekullit XV solli një valë migrimesh nga familjet fisnike shqiptare drejt tokave venedikase. Brutët, me origjinë nga Lezha dhe Durrësi, u vendosën në Koper si një familje me ndikim. Njëri prej anëtarëve më të spikatur, Jakomo Bruti, u emërua në vitin 1593 "Kapiten i sllavëve", një pozitë me peshë të madhe mbi zonat përreth. Ndërkohë, Mateo Bruti, që kishte shërbyer më parë në Kurinë Papnore në Romë, u kthye në Koper dhe ushtroi profesionin si jurist, duke fituar respekt dhe autoritet në sistemin ligjor të qytetit.
Në gjurmët e tyre erdhën edhe familja Borisi nga Tivari dhe të tjerë shqiptarë që krijuan një rrjet fisnikësh të integruar në administratën dhe strukturat qytetare venedikase. Ata nuk ishin thjesht refugjatë – ata ishin bashkëndërtues të një kulture urbane të re.
Brunët – juristë, ligjvënës dhe qytetarë të nderuar
--------------------------------------------------------
Pak më vonë, në të njëjtin qytet, arriti edhe familja Bruni, me rrënjë në Shkodër. Ndër më të njohurit ishte Antonio Bruni, i cili në vitin 1668 hartoi statutet e reja të qytetit të Koperit – një akt me rëndësi të jashtëzakonshme për jetën ligjore dhe administrative të komunitetit. Kontributi i tij u bë simbol i integrimit të plotë të shqiptarëve në jetën institucionale të qytetit. Ashtu si Brutët, edhe Brunët ishin të lidhur ngushtë me identitetin katolik shqiptar dhe me përpjekjet për të ruajtur një përkatësi kulturore në një Evropë që po ndryshonte me shpejtësi. Ata ishin diplomatë të heshtur, ndërtues të besimit dhe bashkëpunimit mes popujve të bregdetit.
Pallati Bruti – një libër i gurtë në zemër të qytetit
--------------------------------------------------------
Për këdo që viziton Koperin sot, Pallati Bruti është një ndër pikat më të rëndësishme historike dhe kulturore. Ndodhur në qendrën historike të qytetit dhe aktualisht biblioteka publike e qytetit, ai është një dëshmi arkitekturore e stilit barok dhe i ruan edhe sot stemat e familjes arbëre që e ndërtoi. Muret e tij flasin për një histori të suksesshme të bashkëjetesës kulturore dhe kontributit të diasporës shqiptare në Evropën perëndimore.
Një shesh, një pallat dhe një simbol i ndërkulturës
--------------------------------------------------
Në afërsi të pallatit Bruti ndodhet Sheshi Carpaccio, një hapësirë emblematike e qytetit, e emërtuar sipas familjes së piktorit të madh venedikas Vittore Carpaccio, i cili sipas Peter Stoika është me origjinë arbërore. Ai besohet të ketë pasur lidhje të afërta me Koperin dhe madje të ketë banuar në këtë pallat. Pallati Carpaccio, që ndodhet në këtë shesh, është një tjetër dëshmi e ndërthurjes mes kulturës italiane, sllovene dhe adriatike. Prania e pallatit të familjes Carpaccio në të njëjtën hapësirë urbane me gjurmët e Brutëve e Brunëve, e bën më të prekshme historinë e një qyteti ku kultura arbëre dhe ajo evropiane bashkëjetuan me harmoni.
Një kujtesë që po rikthehet
--------------------------------------
Në vitet e fundit, përmes ekspozitave si "Monumenta Albanica Justinopolitania", organizuar nga Peter Stoika dhe Heset Ahmeti, Kryetar i Shoqatës Iliria në Slloveni , historia e shqiptarëve në Koper është risjellë në vëmendjen publike, duke nxjerrë në dritë dokumente arkivore, dorëshkrime, vula dhe dëshmi të tjera të rëndësishme. Ky është një përpjekje për të ndërtuar një memorie të përbashkët ndërkulturore, e cila nuk i përket vetëm shqiptarëve, por të gjithë atyre që ndajnë historinë e përbashkët të bregdetit lindor të Adriatikut.
Mes shekujve dhe gurëve – një histori që flet shqip
---------------------------------------------------------
Sot, Koperi është një qytet i qetë me rreth 25,000 banorë, një port i rëndësishëm për Slloveninë, por edhe një arkiv i gjallë i ndërkulturës mesdhetare. Nëse dëgjon me kujdes zërat që mbartin muret e Pallatit Bruti, nëse lexon statutet e Antonio Brunit apo sheh përreth Sheshit Carpaccio, do të kuptosh se historia e shqiptarëve nuk është vetëm një histori e largimit, por edhe një histori e ndërtimit dhe kontributit të përbashkët.
Në kohën kur migrimi dhe identiteti janë tema globale, modeli i këtyre familjeve shqiptare në Koper ofron një shembull të shkëlqyer të bashkëjetesës pa humbur rrënjët. Është një histori që sot ka më shumë se kurrë nevojë të tregohet.
© Dorian Koçi
Lini një Përgjigje