Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit , Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Zija Grapshi.
Grapshi, i njohur nga publiku si “gjyshi i përrallave” ndërroi jetë dje në moshën 94-vjeçare.
“Një figurë e dashur e artit skenik, “Artisti i Merituar” i cili la pas një trashëgimi të çmuar përmes artit të dublimit, duke i dhënë zë shumë personazheve të filmave të animuar dhe përrallave të radios. Kontributi i tij mbetet një pjesë e vyer e trashëgimisë sonë kulturore. Pusho në paqe mjeshtër”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Grapshi ka interpretuar në mbi 160 shfaqje të shumta të teatrit të kukullave. Ai ka luajtur në përgjithësi role kryesore, ku u bë i dashur për fëmijët me rolet e Shvejkut (1957), Ivanit të madh (1959), sidomos me figurën e Baba Vitit (1987).
Më së shumti u bë i njohur dhe i dashur si aktor i Teatrit të Kukullave të Tiranës, ku edhe dha kontributin më të madh.
Kontributi i tij në teatrin për fëmijë dhe përkrahja e artit të kukullave e bëri atë një figurë të dashur dhe të respektuar në komunitetin artistik shqiptar, shkruan atsh.
Lini një Përgjigje