Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, kujtoi me nderim dhe mirënjohje, jetën dhe veprën e pavdekshme të mjeshtrit të madh, Çesk Zadeja (8 qershor 1927- 15 gusht 1997).
“Një pionier dhe figurë që i dha formë dhe shpirt muzikës shqiptare, ku përmes veprës së tij ngriti ura ndërlidhëse mes brezave dhe kulturave, duke sjellë harmoninë dhe bukurinë e muzikës në çdo notë që kompozoi”, shkroi Blendi Gonxhja për themeluesin e kompozicionit shqiptar.
Çesk Zadeja u diplomua në Konservatorin “Santa Cecilia” të Romës. Që në bankat e shkollës ka qenë këngëtar i korit dhe instrumentist i orkestrave shkollore dhe të qytetit.
Në vitet 1946-1947 ka drejtuar redaksinë e muzikës në Radio Tirana dhe më pas dirigjent i Ansamblit të Ushtrisë. Çesk Zadeja u bë i njohur dhe zuri një ndër vendet e korifeut të muzikës sonë pas përfundimit shkëlqyeshëm të Konservatorit “Çajkovski” të Moskës. Fill pas diplomimit ai përfundoi “Simfoninë” me të cilën fitoi çmimin e parë kombëtar.
Zadeja ka dhënë ndihmesën e tij si udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, si pedagog në Konservatorin e Tiranës, si udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ai mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Profesor”, si dhe ka merituar shumë urdhra dhe çmime. Sot e kësaj dite disa veprimtari kombëtare muzikore mbajnë emrin e tij. Një vit më parë Çesk Zadeja u nderua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me titullin e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”.
Publiku i thjeshtë e kujton kompozitorin përmes muzikës të fuqishme të filmit “Skënderbeu”, shkruar në bashkëpunim me një kompozitor rus.
Titulli i lartë u akordua me motivacionin “Personalitet unik në historinë e muzikës shqiptare, që hodhi themelet e shkollës kombëtare të saj; me kontribute të shquara si ideator, realizues dhe drejtues institucionesh qendrore universitare dhe kulturore; personalitet me vlera origjinale në art e kulturë”.
U nda nga jeta në Romë më 15 gusht 1997. A.K./TemA
Lini një Përgjigje