Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato mori pjesë dje në koncertin përkujtimor të organizuar në 52-vjetorin e e Kryengritjes së Spaçit.
“Të njëjtat hapësira ku pak më shumë se tri dekada më parë të burgosurit duruan vuajtje të papërshkrueshme, sot jehoi muzika dhe poezia. Kjo muzikë, kjo poezi ishte mënyra me të cilën të burgosurit politikë shprehën vendosmërinë e tyre për të rezistuar”, theksoi Gonzato në një postim në rrjetet sociale.
“Në 52-vjetorin e Kryengritjes së Spaçit, ne mbështetëm Fondacionin Kujto dhe Fondacionin Konrad Adenauer në organizimin e një koncerti përkujtimor në këtë burg famëkeq të diktaturës komuniste”, u shpreh ai.
“Ne donim t’u bënim homazh heronjve të kryengritjes dhe të siguroheshim që të ruajmë kujtimin e vuajtjeve dhe guximit të tyre, edhe për të mirën e brezave të ardhshëm. Sot të rinjtë mundën të dëgjonin drejtpërdrejt rrëfimet për vuajtjet dhe kushtet çnjerëzore të përjetuara nga ish-të burgosurit politikë”, shtoi ambasadori i BE-së.
Gonzato nënvizoi se, Bashkimi Evropian mbështet fuqimisht përpjekjet për t’u përballur me të kaluarën, sepse drejtësia, demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë të gjitha pjesë e procesit të anëtarësimit.
“Koncerti në Spaç ishte më shumë sesa një homazh, ishte një kujtesë se plagët e së kaluarës janë ende të hapura. Një mënyrë e fuqishme për ta mbajtur gjallë kujtesën kolektive. Një vit më parë, kur vizitova burgun e Spaçit për herë të parë, mora një angazhim për të ndihmuar ata që vuajtën nga brutaliteti i regjimit komunist që më në fund të gjejnë drejtësi. Ndërsa Shqipëria po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ajo duhet të përballet me të kaluarën. Ajo duhet t’u japë drejtësi atyre që vuajtën”, theksoi Gonzato.
/atsh/
Lini një Përgjigje