I thonë Belice, me theksin tek ‘i’"/ Një reportazh nga toka që flet me kujtesë

18 Korrik 2025, 21:07Kulturë TEMA
I thonë Belice, me theksin tek ‘i’"/ Një reportazh

nga Alba Kepi

“I thonë Belice, me theksin tek i"— Ishte zëri i një gazetareje që raportonte live, mes pluhurit, panikut dhe heshtjes së thellë që lë pas katastrofa në ato orë të errëta të janarit 1968, kur një tërmet tragjik tronditi Sicilinë Perëndimore dhe zhduku nga harta qyteza të tëra si Gibellina, Poggioreale dhe Salaparuta. Ajo thirrje e ngarkuar me dhimbje, u bë simbol i një kujtese kolektive në një territor të transformuar sot në parajsë pjellore — një tokë që nuk ka harruar, por ka mësuar të jetojë me plagën.

Valle del Belice: toka që nuk heshti

Në zemër të Sicilisë Perëndimore, atje ku kodrat rrokullisen butë drejt detit dhe era mbart aromën e ullinjve dhe vreshtave të lashta, ndodhet Valle del Belice — që rralë e gjen në kartolina turistike, por që flet me zërin e tokës.

Këtu, e shkuara nuk është fshirë.

Është ruajtur nën shtresat e betonit, në rrënojat që nuk u shembën krejt, në kujtesën që nuk u shua.

Tërmeti i vitit 1968 mori mbi 400 jetë, shembi qyteza dhe plagosi shpirtin e territorit.

Kjo plagë mori formë. U shndërrua në Cretto di Burri — një vepër monumentale prej betoni të bardhë, ndërtuar mbi rrënojat e Gibellinës së vjetër nga artisti italian Alberto Burri. Një tapet gjigant i heshtur, ku rrugët e shkatërruara janë përjetësuar me linja të betonizuara. Nuk ka fjalë. Vetëm heshtje që flet më shumë se çdo zë: për dhimbjen, për kujtesën, për artin që lind nga dhembja.

Është arti në kujtesë i Gibellinës qytezë që u zhduk nga tërmeti, e u rindërtua pak më tutje në krahun tjetër të peisazhit sicilian.

Arti që ushqehet nga Mesdheu

Në Gibellina e re, një qytet që u rindërtua jo si kopje, por si eksperiment urbanistik bashkëkohor, arti është një motiv jete.

Arkitektët dhe artistët më të mëdhenj të kohës — si Ludovico Quaroni, Mario Purini dhe Pietro Consagra — krijuan një hapësirë ku arti nuk është vetëm estetikë, por zgjedhje jetese, mënyrë për të ringjallur komunitetin dhe për të përjetësuar kujtesën.

Muze si Fondazione Orestiadi dhe Museo delle Trame Mediterranee mbajnë në gjirin e tyre jo vetëm veprat e artistëve italianë modernë, por edhe objekte nga kultura arbëreshe, Ballkani dhe brigjet e Mesdheut.

Mes këtyre artefakteve, një veshje tradicionale nga Tirana spikat në heshtje: dimiq të bardha, bust i qëndisur me fill ari, një punim i artit dhe dashurisë shqiptare.

"Është dhuratë e një gruaje shqiptare emigrante prej '92 në këtë territor", rrëfen historiania e tregon një tjetër qosh të muzeut me varëse, vathë e breza antikë shqiptarë e arbëreshe të ekspozuara.

Vendosur pranë skulpturave të Arnaldo Pomodoros dhe veprës “Mali i Kripës” nga Mimmo Paladino, ai kostum i gruas shqiptare, ato buzhuteri flisnin për identitetin, qëndresën dhe hijeshinë — një zë që kapërcen kufijtë.

Skulpturat e Pomodoros, me formën e tyre gjeometrike dhe sipërfaqet që reflektojnë dritën në mënyra unike, dialogojnë me historinë dhe kujtesën e vendit. Ato janë si pika ku e kaluara dhe e ardhmja bashkohen në një gjuhë vizuale, duke i dhënë zë heshtjes së tokës dhe dhimbjes së përjetuar.

Në këtë hapësirë artistike, përfshihet edhe vepra “Mali i Kripës” nga Mimmo Paladino — një tjetër simbol i fuqishëm i transformimit të dhimbjes në art dhe shpresë.

“Mali i Kripës” është një strukturë 15 metra e lartë, e ndërtuar me beton, fibra qelqi dhe gurë të vegjël, që ngjan me një kodër të mbuluar me kripë. Nga ky mal, dalin në mënyrë të rastësishme tridhjetë kuaj të zinj, secili me një kokë të stilizuar si brirë dhie. Këta kuaj janë figura të zakonshme në veprat e Paladino, që shpesh shfaqen si elemente mitologjike dhe arkaike. Në këtë instalacion, ata paraqiten jo si tërësi, por si fragmente të shpërbëra, duke krijuar një imazh të një bote të shkatërruar dhe të papërfunduar.

Toka që kujton, kujtesa që ushqen

Valle del Belice nuk është një destinacion për turistët që nxitojnë. Është për ata që dinë të dëgjojnë tokën, që ndiejnë frymëmarrjen e rrënojave dhe vlerën e punës me durim.

Është për ata që e kuptojnë se toka nuk është vetëm prodhim, por marrëdhënie. Se kujtesa nuk është vetëm histori, por udhërrëfyes i të ardhmes.

Në fund të ditës, kur dielli zvarritet pas vreshtave dhe ajri mbushet me aromën e dheut të ngrohur, e kupton se këtu jeta nuk është ndarë kurrë nga toka — dhe se Belice, me theksin te “i”, nuk është vetëm një emër. Është një mënyrë për të kujtuar, për të jetuar dhe për të ndërtuar me kujdes.

Nga dhimbja në jetë: bujqësia që rrënjos të ardhmen

Në këtë tokë të trazuar, bujqësia nuk është thjesht ekonomi. Është mënyrë për të jetuar, për të kujtuar dhe për të mos e humbur lidhjen me rrënjët. Kodrat e Belices, të mbuluara me vreshta dhe ullinj që ndjekin konturet e tokës si gishtat e një dore, janë dëshmi e një sakrifice, punë e dashurie të thellë për territorin.

Në këtë hapësirë zemërgjerë të natyrës gjen dy ekselenca të agrokulturës italiane-

Planeta dhe Vaccaro janë dy shembujt më kuptimplotë të kësaj rilindjeje.

* Planeta, me histori 5 shekullore që nis nga Menfi, ka ndërtuar një filozofi që prej 17 brezash lidh prodhimet e saj me mjedisin, territorin artin dhe komunitetin. Mes vreshtave e fushave cdo bimë e hektarë kultivohet me kurajo e inovacion e në protokollin Planeta Terra,një bujqësi që prodhon me dije, me qëndrueshmëri, dhe me kujdes për biodiversitetin, natyrën, territorin.

* Vaccaro, në Salaparuta, është një tjetër histori me rrënjë. Vreshta në lartësi të ndryshme, varietete autoktone prodhimtare e produkte toke dhe përkushtimin e një dashurie familjare — një bujqësi që ruan identitetin dhe e trashëgon nga një brez te tjetri.

Në të dyja këto sipërmarrje, vaj ulliri, vera dhe mikpritja nuk janë produkte, janë histori që derdhen në gotë, në pjatë, në tokën që i rrit.

Partana – Tokë e sigurt

Në mes të këtij oazi pjellor ndodhet Partanna, një qytezë me pak më shumë se 9 mijë banorë që ruajnë traditat dhe prodhimet e saj autentike. Emri i qytetit, i mundshëm prej fjalës arabe “Barthamnah”, që do të thotë “tokë e sigurt”, reflekton karakterin dhe qëndrueshmërinë e komunitetit që ka kaluar sfida të mëdha, përfshirë edhe tërmetin shkatërrimtar të vitit 1968.

Partanna është e njohur për prodhimet e saj bujqësore cilësore, ku spikat sidomos Qepa e Kuqe e Partanës — me formë diskoidale dhe lëkurë të kuqe të ndezur, me një aromë të veçantë që përdoret kryesisht në receta tradicionale që përshtaten me sezonin.

Në qendër të qytezës ndodhet Kisha Madre (Chiesa Madre), një monument i rëndësishëm arkitekturor dhe shpirtëror, ku komuniteti bashkohet për festat familjare dhe ceremonitë më të rëndësishme fetare.

Partanna nuk është thjesht një vend ku prodhohet; është një qendër urbanre ku kultura, tradita dhe natyra bashkohen në harmoni, duke treguar se si një komunitet mund të përshtatet me kohën dhe sfidat, pa humbur lidhjen me rrënjët e tij.

Në këtë anë re Sicilsë Valle di Bellice me theksin tek "i", jeta ecën me ritmin e origjinës e kjo pllajë sot kërkon të kuptohet për atë që ka dhënë e që jep.

Lini një Përgjigje