INTERVISTA/ Alda Bardhyli: Libri në Shqipëri shpesh admirohet si objekt i bukur në rrjete sociale

11 Maj 2025, 19:56Kulturë TEMA
INTERVISTA/ Alda Bardhyli: Libri në Shqipëri shpesh admirohet si

Çfarë është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL)?

QKLL është një institucion shtetëror shqiptar i themeluar për të promovuar leximin, përkrahur autorët dhe botuesit, dhe për të zhvilluar kulturën letrare në Shqipëri. Misioni i saj është të përforcojë lidhjen mes lexuesit dhe librit, të krijojë hapësira për autorët vendës dhe të nxisë përkthimin e letërsisë shqipe jashtë vendit. Impakti i synuar është krijimi i një kulture më të gjallë leximi dhe fuqizimi i zërit letrar shqiptar në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Përtej funksionit të saj administrativ, QKLL është një përpjekje për të institucionalizuar letërsinë në një vend ku krijimtaria shpesh është zhvilluar në mënyrë të fragmentuar dhe spontane. Në Shqipëri, ku politika ka pasur zakonisht ndikim të madh mbi çdo formë shprehjeje kulturore, krijimi i një strukture që ka për qëllim mbrojtjen e autorëve dhe promovimin e leximit është një hap drejt emancipimit kulturor. Megjithatë, QKLL gjendet shpesh në tension mes rolit të saj si përkrahëse e zërit të lirë dhe nevojës për të qenë e lidhur me politikat kulturore shtetërore. Përvoja jonë është relativisht e re. Qendra u themelua në 2020, pikërisht për të përmbushur këto nevoja.

Cili ka qenë libri i parë që ju ka “prishur qetësinë”?

E kam të vështirë të them një libër të vetëm, i cili zgjoi jo vetëm kënaqësinë e leximit, por dhe “prishi” qetësinë tek unë. Unë hyj tek ata njerëz që e kam nisur leximin me libra të vështirë. Kjo për faktin se ishin librat e vetëm në bibliotekën e shtëpisë. Kjo bëri që leximi të vinte tek unë si një formë përpjekjeje për të deshifruar tekste e kuptuar dimensione mendimi, tej hapësirës sime të mendimit. Nga ana tjetër zgjoi tek unë kureshtjen mbi një botë që dukej sikur e njihja vetëm unë. Leximi më mësoi artin e zotërimit, dhe të hapësirave që nuk mund të jenë asnjëherë tuajat. Nga leximet e para të autorëve shqiptarë, një nga librat më "tronditës" ka qenë "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" i Ismail Kadaresë. Ai të bënte të kuptoje se letërsia mund të ishte një pasqyrë e realitetit brutal, filozofike, dhe politike e me ngjarje të luftës. Për lexues të brezave më të rinj, ky “zgjim” mund të vijë ndoshta nga autorë si George Orwell, Elif Shafak apo Albert Camus, që lexohen me interes në Shqipëri, shpesh më shumë se autorët vendës. Brezi i ri e përjeton këtë moment shpesh përmes përkthimeve moderne, dhe kjo tregon një ndryshim në mënyrën si përjetohet zbulimi i parë intelektual sot: jo më përmes tragjedive historike shqiptare, por përmes dramave ekzistenciale globale.

Nëse Shqipëria do të shkruante një libër për marrëdhënien me letërsinë, çfarë do ishte?

Ndoshta një roman me titull "Ardhja në vete" me elementë tragjikomikë. Romani i një kombi për marrëdhënien me letërsinë nuk është i lehtë për t’u shkruar. Shqipëria do kishte një protagonist që përpiqet të kuptojë vetveten ndërsa ndërton një identitet të ri post-komunist. Për vetë historinë e saj, Shqipërisë i mungojnë shumë kapituj që koha ia ka hequr pa të drejtë. Me shumë dëshirë do t’i shtoja këto kapituj, që me siguri do ta bënin më interesant këtë libër. Letërsia në Shqipëri kaloi nga glorifikimi propagandistik, në mungesë totale koordinimi institucional dhe një mosvëmendjeje gati-gati, pas viteve ’90, për të gjetur sot njëfarë rikthimi, por ende me mungesë të një koherence të plotë. Është një marrëdhënie e brishtë, që kërkon pjekuri për ta kuptuar rolin e saj në një shoqëri që endet mes konsumit dhe harresës në një bote post-covid dhe me konflikte globale.

A kemi kthyer librin në një objekt muzeal?

Po, ndonjëherë po. Libri në Shqipëri shpesh admirohet si objekt i bukur në rrjete sociale, dhurohet nëpër ceremoni, vendoset nëpër raftet e kafeve, por rrallë lexohet realisht. Kjo vjen edhe nga mungesa e një edukimi të thellë letrar dhe një shoqërie që shpesh e sheh dijen si dekor, jo si mjet për të kuptuar botën. E kemi vendosur librin në piedestal, por nuk i kemi dhënë jetë. Nëpër panaire, shumë libra blihen për të zbukuruar shtëpinë, jo për t’u lexuar. Librat bëhen “props” për fotografi në Instagram, ndërsa diskutimi letrar është fisi i munguar në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale. Kjo e kthen librin në një artefakt, jo në një instrument që formëson mendimin. Kjo është pasojë e një mungese të vazhdueshme të politikave të edukimit letrar që në ciklet e ulëta shkollore. Po besoj më e thellë se kaq mbetet edhe çështja se sa koinçidon libri me lexuesin në imagjinatën e tij të thellë? Pastaj leximi është një proces fizik i mundimshëm dhe sytë kërkojnë diçka më shumë sesa shkronjat... Çfarë ndodh kur letërsia “institucionalizohet”? Institucionalizimi sjell përkrahje, por edhe njëfarë "ndrydhjeje" herë-herë. Për shembull përfitimi nga mbështetja publike mund të jetë shpëtim për shumë autorë, por ai sjell edhe pyetjen: A është ende letërsia një akt rebelimi i gjuhës dhe shprehjes? Në një vend ku shprehja e lirë ka qenë e ndaluar për dekada, letraria është mësuar të flasë me nëntekste. Kur ajo futet në korniza burokratike, ekziston rreziku që të kthehet në një produkt që i bindet skemave të dikurshme apo atyre te aplikimeve dhe jo thirrjes së brendshme te shpirtit. Pra, një letërsi që varet nga fondet publike, ndodh të bëhet më e kujdesshme, më etike apo konvencionale. Në vendin tonë kjo ndjehet kur autorët shmangin temat e ndjeshme, ose stilin eksperimental, për t’u përshtatur me pritshmëritë e komisioneve të vlerësimit dhe ngandonjëherë edhe për të mos u bërë të "pakuptueshëm" për ta. Por ne kemi mbështetur talente të spikatur, dhe të guximshme, si Enxhi Naumi, Liza Brozi, Flogerta Krypi, etj. Këta janë krijues pa skrupuj në kuptimin më të mirë të fjalës artistike.

A ekziston rreziku i autocensurës?

Po, edhe ndodh, sidomos kur ekspozohesh para nevojës për mbështetje statutore dhe financiare dhe varesh për më tepër nga institucionet publike, është krejt e mundur. Por, krijuesit e mirëfilltë nuk bëjnë kompromise të tilla. Megjithatë: ka një tendencë për të mos “acaruar” askënd. Kjo ndikon në cilësinë dhe thellësinë e letërsisë, duke bërë që ajo të mos jetë më një akt rebelimi apo nxitje për reflektim, por një produkt i butë. Por kjo është një tezë e të parit nga aspekti kritik. Por nëse kritikojmë kritikën, mund të thoshim se arti më i mirë nuk ka nevojë të bërtasë, aq më pak të jetë tendencioz apo agresiv. Arti më i mirë është nuancor, jo radikal, apo me kontraste të thella që krijojnë hapësira moskuptimi të zhveshura nga mikrobota lidhëse e shpirtit. Të rinjtë shqiptarë dhe letërsia e huaj – humbje apo pjekuri? Ka elementë të të dyjave. Nga njëra anë është humbje e lidhjes me rrënjët letrare, nga ana tjetër është shenjë e hapjes kulturore. Fakti që të rinjtë shqiptarë njohin më mirë autorë si Murakami, Dostoevsky apo Sally Rooney sesa ndonjë autor bashkëkohor shqiptar, është tregues i mungesës së ndërveprimit mes sistemit arsimor dhe kulturës bashkëkohore kombëtare. Por kjo nuk është domosdoshmërisht negative: është pjesë e një epoke ku kufijtë kulturorë janë më të hapur se kurrë. Megjithatë, pa një rrënjë të fortë te vetja, hapja kthehet në shpërndarje, jo në pasurim. Sfida është qe të balancohet kjo dyanshmëri: të mos ndjehemi “provincialë” në raport me botën, por të mos harrojmë zërat tanë origjinalë dhe deri diku ngjizës e traditorë. Kjo kërkon që shkollat, libraritë dhe institucionet të promovojnë më shumë autorë shqiptarë bashkëkohorë, pa komplekse. Dhe Qendra jonë e bën pikërisht këtë. Çfarë do të thotë kur ruajmë poetët në tekste, por heshtim për shkrimtarët e gjallë? Kjo është forma më e qetë e harresës kulturore dashur padashur. Të “ruash” poetët vetëm në tekste shkollore është një mënyrë për të thënë që letërsia është diçka që i përket së kaluarës. Ndërkohë që shkrimtarët e sotëm kanë nevojë për vëmendje publike, media, debat dhe përfshirje mediatike dhe arsimore edukative. Në Shqipëri, shumë autorë të mirë botohen, por nuk lexohen, sepse mungon diskutimi publik rreth tyre. Qendra e Librit mendohet t’i promovojë, ngandonjëherë i adreson mediat televizive apo letrare, por mbetet e nevojshme të krijohen hallka të tjera lidhëse që komunikimi i një vepre të jetë i plotë. Dhe Qendra do të vazhdojë të sugjerojë dhe propozojë për elemente të reja në këtë ndërlidhje.

Çfarë nuk ka kuptuar ende Shqipëria për Kadarenë?

Kadare vazhdon të shihet nga shumë si një “monument kombëtar” – gjë që në një farë mënyre e ngrin figurën e tij. Kjo bën që kritika, studiuesit të kenë ende drojë t’i afrohen veprës së tij. Ka ende pak guxim për ta trajtuar Kadarenë si subjekt kritik, për ta analizuar pa frikë veprën e tij. Vepra e tij është një ftesë për të lexuar historinë tonë, jo vetëm për ta lavdëruar atë. Vepra e Kadaresë është një vepër, e cila e ndihmon kombin shqiptar të kuptojë më mirë veten, të gjejë vazhdimisht rrugën e tij. Mbase çfarë nuk ka kuptuar ende Shqipëria për Kadarenë është që ai nuk kërkonte t’i besohej atij thjesht si autoritet, por të lexohej si një autor i shqetësuar dhe sfidues ndaj kohësh. Kadare ka qenë shumë më tepër sesa një “shkrimtar i madh kombëtar”. Ai ishte një sistem më vete: i letërsisë, i raportit me pushtetin, i kulturës si formë mbijetese dhe qëndresës. Shqipëria ende përpiqet ta klasifikojë, ta "zbutë" rolin e tij, ta vendosë në një kornizë të lehtë për ta pranuar, por në të vërtetë ai është një figurë komplekse, tepër e fortë, që sfidon vetëdijen tonë letrare dhe historike. “Kohë për Rrëfim” e risjell këtë kompleksitet pa mitizim, por me thellësi.

Bisedoi:Bjorn Runa/Tema