Arsimi i mesëm profesional është një mundësi shumë e mirë që plot të rinj të jenë më të kualifikuar për tregun e punës, sidomos në fushën e teknologjisë dhe komunikimit.
Në këtë prizëm, Shkolla Profesionale Teknike Korçë, organizoi edicionin e 3-të të aktivitetit “Ditët e hapura”, ku u ftuan të merrnin pjesë nxënës të talentuar të klasave të 9-ta, të cilët ekspozuan krijmtaritë e tyre të veçanta, me mbështetje edhe nga stafi i përkushtuar pedagogjik i shkollës.
I pranishëm në këtë aktivitet, prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, u shpreh se, “prindërit duhet të ndërgjegjësohen për t’i orientuar fëmijët e tyre edhe drejt shkollave profesionale, ndërsa gjithmonë e më shumë duhet të shihet mundësia e shtimit te profileve sipas nevojës së tregut të punës”.
Prefekti u uroi suksese të tjera pjesëmarrësve në këtë aktivitet i cili ishte një mundësi e mirë për të ndihmuar të rinjtë të bëjnë zgjedhje të informuara për të ardhmen e tyre. Nxënësit e apasionuar pas teknologjisë dhe komunikimit u njohën nga afër me drejtimet profesionale dhe kushtet moderne të mësimit në këtë shkollë profesionale. /atsh/
Lini një Përgjigje