E pakohë, gjithëpërfshirëse, klasike dhe novatore, e zhurmshme dhe meditative. E tillë erdhi ekspozitë-instalacioni për figurën dhe veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, zhvilluar ditën e premte në ambientet e Piramidës së Tiranës. Dhjetëra piktura për autorin dhe veprën e tij, realizuar me penel ose të përcjella në formë digjitale, u ekspozuan në pikën më simbolike të kryeqytetit, ku shkrihet qartë e shkuara me të ardhmen, e vjetra me të renë, tradicionalja me novatoren, e huaja me shqiptaren dhe pranojnë harmonikisht njëra-tjetrën.
Organizuar nga Akademia Shqiptare e Studimeve, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, ekspozita-instalacion “Vepra e Kadaresë në artet figurative” mblodhi artistë, piktorë, studiues të artit, miq e dashamirës të veprës dhe autorit, ku spikati interesi dhe, mbi të gjitha, ra në sy ndërthurja e gjeneratave. Ajo dëshmoi se sa shumë pikturë dhe art prodhoi emri, vepra dhe personazhet e shkrimtarit shqiptar më të njohur ndërkombëtarisht, të përkthyer në 45 gjuhë të huaja. Dëshmoi se sa shumë gjurmë lanë te artistët e penelit historitë, narrativat, mitet dhe mesazhet që Kadare përcolli përmes fjalës, në një kohë kur fjala i druhej vetvetes.
“Kadareja është një figurë shumëdimensionale. Ai është shkrimtari, figura më e trajtuar në pikturë në rang botëror. Nuk po flas për Homerin apo autorë të tjerë që janë ilustruar gjatë historisë, por për letërsinë moderne”, theksoi kuratori Abaz Hado, duke shtuar se pikërisht ky zbulim lind detyrimin për ta studiuar më tej këtë figurë, për ta nderuar atë në të gjitha dimensionet e ndikimit që pati në fushat e tjera të artit, si dhe për ta sjellë këtë trashëgimi te brezat më të rinj. “Duam të nxisim fantazinë e studentëve tanë për ta trajtuar figurën e shkrimtarit, por edhe të inkurajojmë krijues të tjerë që ta sjellin në vëmendje dhe, bashkë me të, të trajtojnë vlera të historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë”, shtoi studiuesi. Hado vlerësoi veçanërisht përfshirjen dhe kontributin e studentëve të Universitetit Europian të Tiranës përmes veprave dhe skicave të ekspozuara, që vijnë krahas botimit dhe arkivimit të dy albumeve.
Një gjë të rrallë në kulturën dhe trashëgiminë kulturore botërore e cilësoi studiuesi Ermir Nika, autor i parathënies së albumit “100 Imazhe”, faktin që Kadare është subjekt i kaq shumë veprave, të cilat në një farë forme dëshifrojnë klimën në Lidhjen e Shkrimtarëve, si dhe klimën në Shqipërinë e atyre viteve. “Unë shoh që në këto portrete dhe në çdo pikturë nuk ka një ndarje kohësh. Marrëdhëniet që kanë pasur shkrimtarët dhe artistët mes njëri-tjetrit dëshmojnë se nuk ekziston një ndarje e tillë. Kadareja nuk është trajtuar sipas klisheve të regjimit. Artistët e kanë parë dhe e kanë ftuar njëri-tjetrin në këtë lloj dialogu pa asnjë kompleks, pa censurë apo autocensurë.”
Nika vlerësoi faktin që ky studim për Kadarenë në artet figurative nuk kufizohet brenda Shqipërisë, por sjell në ekspozitë dhe në albume punime të artistëve jashtë kufijve. Jetë e dytë për shkrimtarin e quajti vëmendjen ndaj autorit, i cili u nda nga jeta në korrik të 2024-ës.
Një nga artistet që ka nderuar shkrimtarin me artin e saj, piktorja Natasha Bega, tregoi lidhjen e veçantë që kishte me familjen dhe Kadarenë, duke rrëfyer ndër të tjera bisedën te kafja e tij e preferuar në Tiranë, në kohën kur ai përflitej për Çmimin Nobel.
“Ti ke një të metë të madhe”, do t’i drejtohej ajo shkrimtarit, duke ngjallur jo pak kërshërinë e tij: “Pranon materien hyjnore te të tjerët por jo te vetja. Ti s’ke nevojë për çmime", shtoi më tej piktorja nga kujtimet e saj.
Studiuesi dhe kritiku i artit, Ylli Drishti, e cilësoi ekspozitë-instalacionin si një konkurs të heshtur, të pashpallur, mes dhjetëra punimeve, autorëve, stileve dhe kompozimeve t paraqitura.. “Nëse dikush do ta studiojë me kujdes këtë material, do të vërejë se cilat vepra të Kadaresë i kanë frymëzuar më shumë artistët”, theksoi kritiku i artit. Ai kujtoi se piktura e parë e frymëzuar nga krijimtaria e Kadaresë ishte e Nestor Jonuzit; “Kështjella”, realizuar në 1978, gjendet sot në Galerinë Kombëtare.
Shkrimtari që e ngriti shqipen në një nivel të krahasueshëm me letërsinë bashkëkohore botërore, e cilësoi Kadarenë studiuesi Agim Janina. Me kontributin në letërsi, në gjuhë, në kulturën shqipe, në jetën publike dhe intelektuale, studiuesi Janina tha se Kadare vërtetoi shprehjen se nuk ka pushtet dhe nuk ka sundimtar që mund ta mundë artin, shkruan mapo.
Ai veçoi ndër të tjera personazhin e Kadaresë, për të cilin tha se nga pikëpamja gjeografike nuk është i izoluar, por vjen nga të gjitha anët e globit. “Në veprat e tij gjejmë figura dhe personalitete nga kontinente të ndryshme. Kadare është një personalitet i artit shqiptar që, me modestinë më të madhe, mund të them se na mësoi se si shkruhet gjuha shqipe.”
Kjo ekspozitë-instalacion vjen në kuadër të një nisme dhe një projekti të iniciuar nga Instituti Evropian Pashko, i cili synon studimin dhe dokumentimin e impaktit që Kadare kishte dhe vijon të ketë në artet figurative. Shtëpia botuese UET Press ka botuar në dy vitet e fundit dy albume për Kadarenë: i pari “100 Portrete”, dedikuar vetëm portretit të shkrimtarit, dhe i dyti “100 Imazhe”, vetëm për veprën e tij.
Pas kësaj ekspozite-instalacioni, projekti i Akademisë së Studimeve Shqiptare synon të forcojë narrativën e impaktit të jashtëzakonshëm të Kadaresë në artet e tjera, në muzikë, dramaturgji, kinematografi. Përmes diskutimeve, debateve dhe studimeve të vazhdueshme do të evidentohen vlerat artistike, kulturore dhe historike të ruajtura dhe trashëguara nga ndërveprimi i fjalës së shkruar dhe gjuhës vizuale.
Lini një Përgjigje