
Nga Slavoj Žižek, Project Syndicate
Sudani sot është bërë shembulli më i mirë se si Perëndimi i zhvilluar kontribuon në krijimin e kushteve për konflikte të dhunshme dhe migracion masiv në pjesë të botës të pasura në burime natyrore. Por, nën fasadën e pasioneve “primitive” etnike që shpërthejnë në “zemrën e errësirës” afrikane, mund të dallohen qartë konturet e kapitalizmit global.
Nëse kërkon një figurë që të përfaqësojë më së miri tendencat më të këqija të epokës brutale në të cilën jetojmë, emrat që gjithkujt i vijnë në mendje përfshijnë Yahya Sinwar (lideri i Hamasit në Gaza), Binyamin Netanyahu, Kim Jong-un, ose Vladimir Putin. Por, kjo ndodh kryesisht sepse jemi të bombarduar me lajme për këta udhëheqës. Nëse e zgjerojmë këndin për të përfshirë tmerret që mediat kryesore perëndimore në pjesën më të madhe i injorojnë, drejtuesit e luftës civile në Sudan dalin në pah edhe më shumë. Tiranët e rinj të vendit po shfaqin një mizori dhe indiferencë tronditëse ndaj popullit të tyre (ose atyre që jetojnë në rajonet që kontrollojnë), duke penguar sistematikisht ndihmat humanitare por, edhe duke përvetësuar një pjesë të konsiderueshme të tyre.
Situata në Sudan shpërfaq një logjikë ekonomike globale që në shumicën e rasteve ka mbetur e fshehur. Demonstratat masive të vitit 2019 rrëzuan diktatorin Omar al-Bashir, sundimi i të cilit të paktën ruante një imazh paqeje dhe stabiliteti pas shkëputjes së Sudanit të Jugut (një vend kryesisht i krishterë që tani është zhytur në luftën e vet civile). Pas një qeverie jetëshkurtër tranzicioni dhe pas shpresave për demokratizim, Sudani u përfshi nga një luftë brutale mes dy tiranëve myslimanë: Gjeneral Abdel Fattah al-Burhan, udhëheqësi i Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) që mbetet formalisht kreu i shtetit, dhe Mohamed Hamdan Dagalo (ose Hemedti, që do të thotë “Muhamedi i vogël”), komandanti i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe një nga njerëzit më të pasur në vend. RSF është përgjegjëse për disa nga mizoritë më të mëdha të konfliktit aktual, përfshi masakrën e Khartoumit më 3 qershor 2019, kur më shumë se 120 protestues u vranë, qindra u plagosën, mijëra gra u përdhunuan dhe shumë shtëpi u plaçkitën. Kohët e fundit, forcat e Dagalo-s shkaktuan një cikël të ri dhune më 15 prill 2023, kur nisën një sulm të gjerë ndaj bazave të SAF në të gjithë vendin, duke përfshirë edhe kryeqytetin, Khartoum.
Ndonëse të dy palët shprehin një angazhim të paqartë ndaj demokracisë, askush nuk i merr seriozisht deklaratat e tyre. Kjo, pasi ajo çfarë duan të thonë në të vërtetë është: “Së pari të fitojmë luftën; pastaj të shohim.” Një qasje e tillë është e kuptueshme për palët e përfshira. Një diktaturë disi dashamirëse, si regjimi i Paul Kagame në Ruandë, mund të jetë alternativa më realiste që mund të pritet.
Çështjen e ndërlikon më tej roli i forcave të jashtme. Për shembull, raportohet se Grupi Wagner i Rusisë, Ushtria Kombëtare Libiane (nën komandën e Khalifa Haftar), dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë furnizuar RSF me mjete ushtarake, helikopterë dhe armë duke e bërë atë më të armatosur se SAF. Ndërkohë, SAF po kërkon mbështetësit e vet, një prej të ciëve mund të jetë Kina.
Megjithatë, RSF ka një tjetër avantazh të madh: Dagalo kontrollon një rajon me rezerva të shumta ari, që i mundëson atij të blejë armët që i nevojiten. Kështu, na vjen në mendje e vërteta e hidhur me të cilën po përballen shumë vende në zhvillim:
Ka po aq gjasa që burimet natyrore të kthehen në burim dhune e varfërie, sa ç'ka gjasa që ato të mundësojnë paqen dhe mirëqenien e një vendi. Shembulli më tipik i këasj është Republika Demokratike e Kongos (RDK), e cila prej kohësh është e mallkuar nga të qenit një vend i pasur me minerale si diamanti dhe ari. Nëse nuk do t’i kishte këto burime, RDK do të ishte vërtet një shtet i varfër por, ndoshta më i lumtur dhe më i paqtë. RDK është gjithashtu një shembull i qartë i mënyrës se si Perëndimi i zhvilluar kontribuon në krijimin e kushteve që çojnë drejt emgrimit masiv. Nën fasadën e pasioneve “primitive” etnike që shpërthejnë në “zemrën e errësirës” afrikane, mund të dallohen qartë konturet e kapitalizmit global.
Pas rrëzimit të Mobutu Sese Soko në vitin 1997, RDK pushoi së ekzistuari si shtet funksional. Rajoni i saj lindor tani përbëhet nga territore të shumta të sunduara nga krerë ushtarakë lokalë, ushtritë e të cilëve rekrutojnë me forcë fëmijë duke i droguar ata, ndërsa njëkohësisht mbajnë lidhje biznesi me korporatat e huaja që shfrytëzojnë rezervat minerale të rajonit. Këto marrëveshje i shërbejnë të dyja palëve: korporatat marrin të drejta për shfrytëzimin e minierave pa paguar taksa shtetërore, ndërsa krerët e luftës marrin paratë që iu duhen për të blerë armë. Shumë prej këtyre mineraleve janë pjesë përbërëse e laptopëe, telefonave celularë dhe produkteve të tjera teknologjike që përdorim. Kështu që, thelbi i problemi nuk janë "zakonet barbare" të popullsive lokale; problemi janë kompanitë e huaja dhe konsumatorët e pasur që blejnë produktet e tyre. Hiqini ato nga ekuacioni dhe gjithë ngrehina e luftërave etnike shembet.
Siç dëshmohet nga shpërbërja de facto – ose më saktë “Kongo-izimi" – i Libisë pas ndërhyrjes së NATO- dhe rrëzimit të Muammar al-Gaddafi në vitin 201, RDK nuk bën përjashtim. Që nga ajo kohë, pjesa dërrmuese e territorit të Libisë sundohet nga banda të armatosura lokale që shesin naftë drejtpërdrejt te klientët e huaj, duke na kujtuar vendosmërinë e kapitalizmit për të siguruar furnizim të qëndrueshëm me lëndë të parë me kosto të ulët. Kjo është arsyeja pse shumë shtete të mallkuara për të patur burime të shumta natyrore mbeten të dënuara në fatkeqësinë e tyre.
Rrjedhoja tragjike e gjithë kësaj është se asnjë prej palëve të përfshira në këto konflikte të gjata nuk janë të pafajshme dhe asnjëra nuk ka plotësisht të drejtë. Në Sudan, problemi nuk është vetëm RSF; të dyja palët po luajnë të njëjtën lojë brutale. Situata nuk mund të reduktohet te një popull “i prapambetur” që nuk është gati për demokraci, sepse në të vërtetë bëhet fjalë për vazhdimësinë e kolonizimit ekonomik të Afrikës – jo vetëm nga Perëndimi, por edhe nga Kina, Rusia dhe vendet e pasura arabe. Nuk duhet të habitemi që Afrika Qendrore po dominohet gjithnjë e më shumë nga mercenarët rusë dhe fundamentalistët myslimanë.
Yanis Varoufakis ka shkruar me elokuencë për transformimin e kapitalizmit në “tekno-feudalizëm,” të shfaqur qartë tek monopoli de facto që kompanitë e mëdha teknologjike kanë mbi tregjet e tyre përkatëse. Megjithatë, në vende si Sudani dhe RDK, ndodh diçka që i gnjan më tepër feudalizmit mesjetar. Në fakt, të dyja përshkrimet janë të vërteta. Ne po jetojmë gjithnjë e më shumë nën një kombinim të feudalizmit të kompanive të mëdha teknologjike dhe atij analog. Kjo është arsyeja pse Hemedti – më shumë se Elon Musk – është miëshërimi i vërtetë i epokës sonë. /Përgatiti në shqip për gazetën TemA, Bjorn Runa
Lini një Përgjigje