Këngë të emrave të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj botërore u interpretuan në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, në një koncert recital të veçantë, protagoniste e të cilit ishte Klevisa Cara, ish-nxënëse në shkollën e muzikës “Besëlidhja”. Nën drejtimin artistik të vëllait të saj, Briken Cara, dhe grupit artistik ata sollën për publikun lezhjan një performancë të veçantë live, duke shfaqur talentin e të rinjve në skenë.
Motër e vëlla, Klevisa dhe Briken Cara, thonë se janë dashur rreth një muaj përgatitje për të realizuar këtë koncert, që sipas tyre, përmbushi më së miri pritshmëritë e publikut dhe të tyre si artistë.
“Sonte kam performuar Tina Turner, Christina Aguilera, Pirro Çako, Elsa Lila etj., ju falënderoj të gjithëve që ishit këtu”, u shpreh këngëtarja.
“Vështirësitë ishin të mëdha por me instrumentist të mirë dhe të talentuar asgjë nuk është e pamundur”, tha Brikeni.
Mësuesit e muzikës shprehën vlerësime për performancën dhe talentin e të rinjve, duke i konsideruar ata si një gjeneratë premtuese për të ardhmen e muzikës shqiptare.
“Arriti ti realizoj shkëlqyeshëm të gjitha këngët që kishte zgjedhur”, u shpreh mësuesi i muzikës, Zaim Merkulaj.
“Kemi shpresë se do kemi një shoqëri të mirë”, tha Luk Mlugja, mësues muzike.
“Klevisa është një talent i rrallë”, tha mësuesja e muzikës, Roberta Kaca.
Koncerti zgjati rreth 90 minuta dhe u shoqëruar me emocione dhe duartrokite te shumta nga publiku ne sallë. - RTSH-
Lini një Përgjigje