Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave zhvilloi në datat 12 dhe 13 dhjetor konferencën e parë shkencore ndërkombëtare në Shqipëri mbi artin në hapësirën publike dhe transformimin e qytetit me temë “Qyteti i shpalosur: arti si faktor shndërrimesh”.
Veprimtaria u zhvillua në praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe të anëtarëve të tjerë të Kryesisë së kësaj akademie. Morën pjesë rreth 20 artistë, kuratorë, studiues arti dhe arkitektë nga vendi dhe Bota.
Drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve akad. asoc. Stefan Çapaliku dhe artisti italian dr. Stefano Romano (kërkues shkencor pranë QSA), koordinator, çelën konferencën.
Akad. asoc. Çapaliku u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve dhe bashkëpunëtorëve dhe tha se kjo konferencë synon qasjen ndaj hapësirës urbane përmes këndvështrimit të artistit, reflektimin për formën dhe vlerën që mund të marrin arti dhe kultura kur praktikohen si e mirë e përbashkët dhe diskutime për format e artit publik apo ndërhyrjet në hapësirat publike, që nga kornizimi i këtij arti deri tek projektet neoliberale të qeverisjes, e më gjerë.
Akad. asoc. Çapaliku ia dha fjalën folësit kryesor të konferencës, dr. Vincent Van Gerven Oei-t, i cili prezantoi në mënyrë të zgjeruar temën “Lapidarët e qiellgërvishtësit si propagandë monumentale”.
Më pas, dr. Alessandro Gallicchio mbajti referatin me temën “Edi Hila: Të pikturosh hapësirat e Shqipërisë bashkëkohore”. Në seancën e parë u trajtua edhe një nga çështjet më të prekshme, siç është ajo e godinës së Teatrit Kombëtar në Shqipëri nga dr. Anxhela Çikopano dhe dr. Alert Çeloaliaj.
Në vijim të kësaj konference dyditore, pjesëmarrësit e tjerë si Valerio Perna, Francesco Scasciamacchia, Claudio Musso, dr. Alessandro Gallicchio, dr. Raino Isto, dr. Francesco Scasciamacchia, dr. Claudio Musso, Arba Bekteshi, Pleurad Xhafa, dr. Nickolas Lambrianou, dr. Agron Mesi, Diana Mile, dr. Fabiola Naldi, Melody Robine, dr. Adriana Duka, Edi Muka, e të tjerë trajtuan çështje të përfaqësimit dhe pakënaqësitë në lidhje me hapësirën publike, si dhe çështje të rikonceptimit të kuptimit të hapësirës publike, të përmirësimit të mjedisit urban, të përkufizimit të hapësirave që përshkohen nga një komponent imagjinar e krijues. Çështjet u trajtuan në perspektiva kritike për projektimin dhe konceptimin e hapësirës publike, siç janë perspektiva ontologjike dhe epistemologjike, duke eksploruar sesi kjo praktikë kontribuon në vizualizimin e një imazhi të ri të qytetit dhe një identiteti të ri, megjithëse të fragmentuar, të hapësirës urbane.
Temat e diskutuara përfshinë vertikalitetin, të lidhur me kujtesën historike, veçanërisht në lidhje me zhvillimin aktual arkitekturor të Tiranës. Diskutimet prekën kolapsin e peizazhit në qytet, duke u thelluar në çështjet ekologjike dhe transformimet që ndryshimet klimatike po sjellin në imazhin e qytetit dhe perceptimin tonë për të.
Temat kryesore përfshinë ndërtesat ikonike në qytet dhe marrëdhëniet mes qendrës dhe periferisë, me fokus në raste specifike si Piramida e Tiranës dhe Teatri Kombëtar. Konferenca eksploroi gjithashtu potencialin për të nxitur forma të reja ndërveprimi dhe socializimi në hapësirat publike përmes lojës, duke theksuar idenë e kulturës si një e mirë e përbashkët.
Diskutimet e tjera u përqasën rreth monumentalitetit dhe paaftësisë për të përfaqësuar botën bashkëkohore pas modernizmit. Së fundi, u hulumtuan edhe temat e pronësisë intelektuale për veprat në hapësira publike, përdorimi i mundshëm i fshirjes si mjet metodologjik, ideja e ritualitetit dhe transformimi i hapësirave publike përmes negociatave.
Të gjitha këto tema do të zhvillohen më tej në publikimin e punimeve të konferencës, të cilat do të përfshijnë kontribute nga të gjithë folësit në muajt e ardhshëm.
Lini një Përgjigje