VIDEO/ “Shi me Baltë” – Poezia e Mero Bazes promovohet në Universitetin Ismail Qemali në Vlorë

14 Dhjetor 2024, 14:47Kulturë TEMA
VIDEO/ “Shi me Baltë” – Poezia e Mero Bazes promovohet

Këtë të premte, u promovua në mjediset e Universitetit të Vlorës vëllimi me poezi “Shi me Baltë” i autorit Mero Baze.

Në aktivitetin e zhvilluar nga ky universitet, morën pjesë figura të rëndësishme akademike të tij, si edhe artistë e intelektualë të njohur të qytetit. Fjala hapëse u mbajt nga rektorja e universitetit, Prof. Dr. Aurela Saliaj, e cila duke prezantuar autorin foli edhe rreth raportit se si publiku njeh gazetarin Mero Baze dhe poetin Mero baze.

Më pas, në lidhje me vëllimin poetik “Shi me Baltë”, foli edhe ish-rektori i Universitetit të Vlorës, Roland Zisi, i cili aktualisht drejton Departamentin e Letërsisë. Zisi diskutoi në lidhje me risitë që sjell në poezinë shqipe ky botim antologjik I Bazes, ndërsa u përqendrua edhe te origjinaliteti dhe identiteti i poezisë së tij.

Pas prezantimit, autori iu përgjigj pyetjeve nga auditori rreth letërsisë e poezisë, por edhe jetës politike në vend. Gjithashtu, ai foli për shtysën që i ka dhënë drejt letërsisë lidhja me artin e polifonisë labe dhe tekstet e këngëve të kësaj krahine, për të cilat Baze tha se kanë qenë baza e parë e formimit të tij, para se të edukohej në shkollë dhe në karrierën e tij si gazetar.

Në fjalën e tij, Baze u ndal edhe tek roli që polifonia labe ka luajtur në transmetimin e ngjarjeve të Luftës së Vlorës.

“Në gjithë historinë moderne të shqiptarëve, nga Rilindja, Pavarësia e deri më sot, asnjë betejë nuk është një betejë e fituar me zemër dhe me një ideal patriotik që ka frymëzuar njerëzit, siç është Lufta e Vlorës. Historiografia jonë e ka mënjanuar atë për arsye politike. Heronjtë e Luftës së Vlorës nuk ishin heronjtë e Luftës partizane dhe e lanë në hije. E ka në hije edhe historia e sotme.

E gjithë historia e Luftës së Vlorës mund të zbardhet vetëm nga këngët për të. Ishte një luftë pa reporterë, pa gazetarë, pa kamera, vetëm me rapsodë popullorë dhe dëshmitarë.

Këngët pas çdo beteje kanë vizatuar çdo të vrarë, çdo sukses apo çdo disfatë të luftës.

Asgjë më të rëndësishme pas Skënderbeut se Lufta e Vlorës nuk ka prodhuar Shqipëria. Dhe çdo detaj i asaj lufte, me shpirt në dhëmbë, është i përjetësuar në këngët labe, në mungesë të kronikanëve. Nëse mbledh në fshatrat e Vlorës folklorin dhe bashkon këngët e çdo fshati, ti mund të shkruash historinë e Luftës së Vlorës përmes tyre. Është si një puzzle. Fotografia e asaj lufte janë këngët, në mungesë të historianëve. Dhe atë luftë e ka bërë shpirti i Labërisë. Nuk e bënin dot politikanët e Shqipërisë.

Në ato këngë ti sheh historinë tënde, ndjen zjarrin e saj. Dhe kjo është fuqia e fjalës,” u shpreh ndër të tjera Baze.

Lini një Përgjigje