Korça në ritmin e “Lulu Fest”, 150 artistë sjellin tingujt e rajonit

25 Tetor 2025, 15:11Kulturë TEMA
Korça në ritmin e “Lulu Fest”, 150 artistë sjellin

150 artistë nga vende të ndryshme të rajonit, janë mbledhur në qytetin e Korçës, për edicionin e parë të “Lulu Fest”.

Në një postim online, kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo shpjegoi se, edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore – “Lulu Fest”, është një tjetër dëshmi e gjallë e traditës dhe shpirtit kulturor që e bën Korçën unike.

“Dita e parë e festivalit nisi me ekspozitën “Kur koha marshon” në Zonën Këmbësore, vijoi me Masterclass-in në Qendrën e Artit dhe Inovacionit, dhe kulmoi me Paradën e Bandave, që pushtoi bulevardet e qytetit me muzikë, hare dhe emocion”, tha ai.

“Lulu Fest” është më shumë se një festival, është një homazh për artin frymor, për traditën korçare dhe për mjeshtrit që e kanë bërë këtë qytet të tingëllojë ndryshe”, theksoi Filo.

Ai theksoi se “Lulu Fest” është një traditë e re që sapo ka nisur, me ritmin e shpirtit korçar.
Festivali frymëzohet gjithashtu nga banda historike “Vatra”, që ka qenë simbol i kulturës muzikore korçare mbi një shekull më parë dhe që Filo tha se është një trashëgimi që duhet ringjallur te brezat e rinj.

Festivali vijon edhe gjatë kësaj fundjave, më 25 e 26 tetor, ku do të ketë dhe performanca të shumta në rrugët e qytetit dhe në sheshin qendror të Korçës.

“Ky është edicioni i parë i një festivali që e kemi konceptuar me dashuri dhe respekt të veçantë për traditën korçare, por edhe me një vizion të qartë për të ardhmen kulturore të qytetit”, tha Filo.

Momenti kulmor do të jetë koncerti i madh në fund të festivalit, kur të gjithë artistët, vendas e të huaj, do të interpretojnë së bashku veprën “Dua më shumë Shqipërinë”. /atsh/

Lini një Përgjigje