Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve gjatë muajit prill, me një rritje prej 60 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga drejtoresha e institucionit, Fjoralba Prifti, muzeu është vizituar nga 2.544 persona, nga të cilët 839 ishin turistë të huaj, kryesisht nga Gjermania, Spanja dhe Franca.
“Numri i vizitorëve është rritur me 60 për qind gjatë muajit prill. Francezët kanë një interes të jashtëzakonshëm veçanërisht për Muzeun e Artit Mesjetar,” tregon znj. Prifti.
Me nisjen e sezonit turistik veror, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar dhe ai i Arsimit do të jenë të hapur çdo ditë të javës, prej orës 09:00 deri në orën 19:00, duke ofruar për publikun një eksperiencë të pasur kulturore.
“Parashikojmë që të kemi një fluks edhe më të madh vizitorësh jo vetëm nga vendet e huaja, por edhe shqiptarë,” thotë drejtoresha e Muzeut.
I themeluar më 24 prill 1980 dhe i vendosur në zemër të qytetit të Korçës, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut vendas dhe ndërkombëtar.
/RTSH/
Lini një Përgjigje