Sipas artistit Robert Aliaj Dragot, Shkodra Elektronike ka befasuar dhe ajo çfarë ka arritur muzikalisht me “Zjermin” nuk lë asnjë vend për zhgënjim.
I ftuar virtualisht në programin special për dyshen që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, z. Aliaj komentoi plot admirim paraqitjen e grupit shkodran që herën e parë kur tingujt e muzikës së tyre kumbuan në sallën e Festivalit të Këngës në RTSH.
“U habita si fitoi Shkodra Elektronike. Nuk pata asnjë surprizë në gjithë ecurinë e këngës. E dija që do të kishte një evoluim. Nuk kisha zhgënjim, sepse e kuptova nga vizioni i Kolës dhe Beatriçes, kuptova dimensionin ku ata qarkullojnë muzikalisht,” u shpreh këngëtari dhe piktori shqiptar.
Pavarësisht renditjes në vend të 8-të dhe pritshmërisë se mund të radhitej më mirë, z. Aliaj mendon se gjithçka me përfaqësimin e fundit shqiptar ishte dinjitoze.
“Është negativitet të prishësh festën me atë që ‘ja, do kishte marrë më shumë pikë’. Jo, mori shumë mirë. Është përfaqësimi më dinjitoz në atë festival edhe nga pikëpamja e zgjedhjes, e asaj që çuam atje, çfarë ne thamë. Treguam se mund të flasim në një gjuhë multidimensionale, më bashkëkohore dhe në pozita të barabarta me vende që kanë eksperienca që të gjithë i dimë në muzikë e art,” tha ai.
Për sa i përket vetë Eurovizionit, artisti kontrovers nuk i përmbajti rezervat për “lojën politike” që luhet pas kuintave të garës muzikore europiane.
“Nuk mund t’i gjykojmë juritë nga këto dimensione. Festivali Europian është një festival ku gjithmonë ka triumfuar ‘kiçi’. U bënë shumë pazare dhe kjo është pjesa e lojës, pra, të kishim marrë parasysh këto firot. Është më shumë propagandistik, është politik,” u shpreh z. Aliaj.
/RTSH/
Lini një Përgjigje