
Një prej librave më me influencë të filozofisë dhe teorisë kritike franceze është dhe “Kushti postmodern” i Jean François Lyotard, ardhur në shqip nga Orgest Azizi dhe botuar nga Pika Pa Sipërfaqe.
Në këtë libër, që përveçse teori është dhe raport, Lyotard flet për si duhet të jetë universiteti, si ka qenë dhe si mund të jetë.
Ai teorizon duke marrë shembull disa universitete si ai i Berlinit apo Paris 8 i themeluar pas ngjarjeve të Majit 68 në Francë.
Lyotard i përket brezit të artë të filozofisë franceze dhe për të nuk ke se çfarë të thuash shumë, ai nuk binte shumë në sy por puna e tij ishte e jashtëzakonshme.
Lyotard nuk ishte një filozof i skemave të mëdha apo sistemeve, ai preferonte filozofinë materialiste, të prekshme dhe që e ndikonte përditë jetën e njeriut të vogël borgjez, pra popullit.
Lyotard ishte një profesor i historisë së filozofisë por aspak i mërzitshëm dhe tradicional. Ai dinte të ngjallte kuriozitet dhe dëshirë te studentët e vet.
Nuk ishte një yll rroku si Deleuze, Lacan e Foucault por ishte një milingonë punëtore që çonte ujë në mullirin e dijes.
Protestat e majit të 68, përveçse politike ishin dhe akademike, kërkonin më shumë liri në dije dhe metoda të reja, pra një universitet të lirë, të drejtë dhe progresist. Këtë tezë merr e zhvillon Lyotard. “Kushtin” që të rinjtë (postmodernët) i vënë dijes së vjetër tradicionale.
Nëse doni të mësoni më shumë për Universitetin “Kushti Postmodern” është libri i duhur për ju, lexohet kollaj nga të gjithë.
Lini një Përgjigje