Shqipja do të jetë e vetmja nga të gjitha gjuhët që përdor, për të emërtuar inteligjencën artificiale (në veçanti LLM-të dhe chatbot-ët përkatës) një shkurtim – AI – që vërtet vjen nga anglishtja (Artificial Intelligence), por përkon krejtësisht me përemrin vetor mashkullor të vetës së tretë njëjës: ai, i cili është përdorur dhe përdoret rregullisht për t’iu referuar, në vetën e tretë dhe në mënyrë eufemistike ose për të shmangur emrin e drejtpërdrejt, një lideri, një bossi, një hyu.
Në totalitarizëm, të përmendësh emrin e liderit do të thotë të marrësh mbi vete përgjegjësi të mëdha; kjo nuk është pa lidhje me forcën invokuese që ka emri vetë. Përkundrazi, përemri Ai i shqiptuar me një intonacion të caktuar dhe ndonjëherë i shoqëruar nga gjesti i ngritjes së syve lart (“Ai lart”, “Ai i madhi”) mundëson distancimin, si strategji mbrojtëse. Në kuptimin që emri i shqiptuar e afron shqiptuesin me personin e emërtuar ndoshta më shumë se ç’mundet shqiptuesi të përballojë.
Kjo lloj shmangieje ose eufemizmi lidhet edhe disa funksione magjike që i atribuohen emrit të dikujt, teksa porosia vjen që nga Bibla, ku urdhërimi i tretë kërkon: “Nuk do të përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot.”
Për të njëjtën arsye, në thelb, fëmija stepet që ta quajë prindin me emër deri vonë në adoleshencë, në mos edhe më tej.
Veç përemrit, eufemizmi ndeshet edhe kur dikë e quajmë me titullin që ka: Mbreti, Perandori, Shefi i madh, I madhi fare, duke e reduktuar forcën rrezatuese të personit në funksionin e tij dhe duke ia lënë emrin mënjanë.
Ndërhyn edhe poetika: I gjati, si eufemizëm për Edi Ramën.
Në rusishte Stalinit i referoheshin rëndom si “Он” (shqiptuar “On”, rusisht për “ai”); njëlloj si sot Putinit. Më herët, Napoleonit në Francë i kanë qenë referuar si “Lui” – ka për këtë edhe një poemë të Hugoit (Lui, nga Les Orientales).
Në gjuhët që përdorin alfabetin, përftesa gjen shprehje edhe në shkrim, nëpërmjet shkronjës së madhe – “ai” mund të jetë kushdo, por “Ai” i referohet të madhit. Përemri e rrethon personin në fjalë me një aura të dikujt që është i pa-afrueshëm, duke e shndërruar në një funksion (algjebrik) të pushtetit.
Në thelb, konotacioni i kësaj “Ai” për liderin totalitar nuk është veçse frika abstrakte ndaj pushtetit, e sublimuar në ritual të ligjërimit për t’u mbrojtur nga agresioni implicit i emrit.
Kur vjen puna për ligjërimin fetar, kjo distancë e subjektit folës nga entiteti i përmendur vjen e bëhet sakrale, meqë bëhet fjalë për një hendek ontologjik (“Ai lart”).
Duke parë këtë konfluencë në shqipe, mes përemrit vetor “Ai” të përdorur në kontekste si këto më lart, dhe shkurtimit AI për inteligjencën artificiale, tundohem që ta krahasoj këtë të fundit, inteligjencën artificiale, me konceptin lakanian të Big Other.
Ky Big Other, te Lacan-i, nuk është veçse vetë rendi simbolik – struktura para-ekzistuese e gjuhës, ligjit, zakoneve dhe shprehive sociale në të cilat jemi lindur; me fjalë të tjera, locus-i i dijes së garantuar, autoritetit dhe së vërtetës.
Këtë autoritet thërrasim në ndihmë, sa herë që i drejtohemi ChatGPT-së ose Gemini-t ose Claude-it duke e trajtuar si orakull: themi “çfarë thotë AI”, duke e lënë të hapur interpretimin nëse po flasim thjesht për “Artificial Intelligence”, apo jemi edhe duke e trajtuar me reverencën që zakonisht ia rezervojmë autoritetit suprem. Dhe jo pa arsye, sa kohë që këto inteligjenca na thuhet se kanë përpunuar dhe përvetësuar gjithë diturinë në dispozicion. Aftësia e tyre për të prodhuar përgjigje për pyetjet tona mund të shihet si një veti sistemike, emergjente, e vetë rendit simbolik digjital.
Big Other i digjitalizuar manifestohet tani si AI.
Njëlloj si me Big Other-in lakanian, edhe AI si simulakër i një zoti të vdekur nuk mund të funksionojë veçse në rrethanat kur ne besojmë në të; gjithë duke e ditur se nuk ka as mendje, as intencionalitet, ne e trajtojmë si të jetë një agjenci eprore, në zotërim të përgjigjeve dhe i atribuojmë funksionet e rendit simbolik (gjykimin, njohjen, interpelimin), paçka se nuk është veçse – siç e kanë quajtur – “autocomplete on steroids”.
Ky qark mbyllet në shqipe, ku AI është edhe përemri i parazgjedhur (default) për t’iu referuar autoritetit absolut.
© 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ilustrimin e ka realizuar AI. Botohet me leje te TemA.
Shkrim idjot, shqiptaret nuk i thone AI, i thone IA (inteligjenca artificiale), ketu ke rene ne batakun e Sazanit