Libër ngushëllimesh për Anagnostin, Kosova nderon mjeshtrin

4 Shtator 2025, 09:05Kulturë TEMA
Libër ngushëllimesh për Anagnostin, Kosova nderon mjeshtrin

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë ka nderuar figurën e regjisorit të madh Dhimitër Anagnosti, duke hapur librin e ngushëllimeve pas ndarjes së tij nga jeta më 1 shtator.

Në fjalën e tij, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u shpreh se ndarja nga jeta e Anagnostit është një humbje e madhe për kulturën dhe shoqërinë shqiptare.

“Shoqëria shqiptare, kineastët, aktorët, populli shqiptar ka humbur një prej korifejve, një prej atyre që e qëndisnin filmin shqiptar. E njoh si një metodist të mirëfilltë, si një regjisor shkolle, plot për artin kinematografik. Parapëlqeja tek ai atë momentin e punës së jashtëzakonshme që ai bënte me aktorët, por mbi të gjitha kemi humbur personin që sillte në ekran karakterin e plotë të shqiptarëve. Me filmat e tij, ai e zbërthente jetën shqiptare në tërë koloritin e vet dhe ka arritur ta përcjellë shkëlqyeshëm këtë te publiku. Filmi i tij ka ushtuar fort,” tha Malaj.

Dhimitër Anagnosti mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, i vlerësuar për veprat që pasqyruan jetën, karakterin dhe shpirtin e shqiptarëve në ekranin e madh.


Me një karrierë 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma, 10 dokumentarë dhe 15 skenarë, duke u bërë një nga figurat që la pas një trashëgimi të vyer për artin shqiptar. /euronews/

Lini një Përgjigje