Libra në birucë

16 Prill 2026, 17:47Kulturë Ardian Vehbiu

Kam dhënë e kam marrë me disa biblioteka private në jetën time – më parë të së tjerëve, pastaj të miat. Gjatë gjashtë vjetëve që jetova në Napoli, munda të mbledh bashkë një koleksion dinjitoz titujsh në italisht dhe jo vetëm; por ato pothuajse më humbën të gjithë, kur kalova oqeanin dhe u vendosa në NYC. Edhe në Botën e Re nuk munguan peripecitë, të paktën deri në 1999, kur biblioteka ime filloi të stabilizohej.

Kur u zhvendosa nga Bronx-i në Brooklyn, në 2012, librat i transportova me kuti kartoni, njëlloj si CD-të. Kutitë i kisha koduar me ngjyrë – të verdhë për librat, portokalli për muzikën. Në shtëpinë e re, ku jetoj sot e kësaj dite, filluam t’i vendosim libra në rafte pa u ngutur, me shpresën që ashtu t’i jepnim bibliotekës edhe një lloj renditjeje. Edhe pse nuk kam qenë kurrë pedant në organizimin e bibliotekave të mia, ca orientime konceptuale gjithnjë i kam ndjekur: fiction dhe non-fiction, ndonjë ndarje sipas gjuhëve (anglisht, shqip, italisht, frëngjisht) dhe pastaj sipas tematikës për librat non-fiction (linguistikë, histori, teori letrare, filozofi, shkencë).

Sot biblioteka jonë është shtrirë në tre dhoma, përfshi edhe dhomën e gjumit; edhe pse më mungon një sistem racional, sërish e kam një idenë se ku është ky ose ai libër; ngaqë vendi në raft më asociohet me temën. Ashtu vetë biblioteka kthehet në një hartë të dijes sime – jo ngaqë i kam lexuar të gjithë titujt, por ngaqë e përfytyroj dijen si një bashkësi kontinentesh, të shpalosura në hapësirë. Ngaqë nuk kam pasur ndonjë kriter racional në renditje, arbitrariteti më shërben tani si kriter – njëlloj siç do të shërbente rendi alfabetik. Mendoj për, të themi, Italo Calvino-n dhe më kujtohet rafti ku gjenden shumica e librave të tij; edhe pse tek ai raft kanë përfunduar pa ndonjë arsye.

Ngaqë sot librat zakonisht i lexoj në format elektronik, për lehtësi përdorimi, më duket ndonjëherë sikur biblioteka po i dobëson lidhjet e veta me leximin – ngaqë librat a në përgjithësi tekstet që lexoj nuk kanë dhe aq të bëjnë me titujt në rafte. Më ka ndodhur edhe mua ta trajtoj një libër të blerë si libër të lexuar; siç më ka ndodhur – më shpesh se ç’guxoj t’ia pranoj vetes – që ta kem harruar një libër që e kam lexuar; dhe mbase edhe që ta kem harruar nëse një libër specifik, në bibliotekën time, e kam lexuar apo jo. Më ngushëllon fakti që shumë libra të mi janë për t’u konsultuar, jo për t’u lexuar.

Por sido që ta rrotulloj argumentin, nuk i shmangem dot krahasimit të bibliotekës me një varrezë – ku rëndësi kanë emrat e të vdekurve, jo përmbajtja e varreve; sa kohë që dijen e ka zëvendësuar indeksi i dijes.

Gjithsesi, shkas për ta rrëfyer këtë histori u bë një pako me libra, nga ato të bartjes në vitin 1912, e cila – bashkë me disa pako të tjera me CD – u harrua në një cep të shtëpisë dhe ka mbetur e pahapur deri më sot; e fundosur poshtë një pirgu me kuti dhe plaçka të tjera, çfarë e bën jo-praktike “hapjen”. Nuk e di se çfarë librash të mi fshihen atje dhe as mund ta marr me mend lehtë. Zakonisht, kur më qëllon që të mos e gjej në bibliotekë një titull që jam i sigurt se e kisha, i them vetes se duhej të kërkoja më mirë dhe ashtu më qëllon që ta gjej jo atje ku kujtoja në fillim.
Kutia e pahapur mund të ketë 20-25 libra, nga ata që kisha në Bronx. Kanë kaluar gati 14 vjet që kur e mbusha dhe e mbylla me shirit ngjitës dhe tani përpjekjet për të marrë me mend se çfarë përmban i kanë zëvendësuar disa fantazi të plogëta, që vendosin atje gjithçka që më ka humbur, gjatë këtij një çerek shekulli. Kjo më kujton disa lojëra me letra, ku – për të shtuar një element paparashikueshmërie – hiqen nga togu fillestar 3-4 letra dhe mbahen mënjanë të kthyera përmbys, që lojtarët të mos i marrin dot saktë me mend letrat që mbeten.

Më pëlqen, megjithatë, kjo pamundësi për ta pasur të plotë inventarin e bibliotekës, sepse më shërben si ngushëllim sa herë që e kërkoj një libër dhe nuk e gjej dot. Në momentin që heq dorë nga kërkimi, them se libri do të jetë “atje”. Madje, po të ulem dhe të bëj tani një listë, të librave që kanë mbetur te kutia e pahapur, do të më dalë një listë me tituj që nuk do t’i nxinin as katër ose pesë kuti. Pa llogaritur këtu ata libra që, i bindur se nuk do të më duhen më, i kam “fshehur” prapa librave të tjerë, për të hapur vend në raft.

Para pak ditësh m’u desh të konsultoj një libër të Umberto Eco-s, Vertigine della lista, që e pata blerë menjëherë sapo doli, në 2009; një vëllim i bukur, i rëndë, i ilustruar me ngjyra; i tillë që do të binte në sy menjëherë në raft. Nuk e gjeta dot. Mendova se të paktën kjo vepër gjendet me siguri te kutia e mbyllur, meqë nuk është nga ato që mund t’i vidhen shikimit ose të maskohen pas veprash të tjera. Dhe m’u duk gjithsesi ironike që, në bibliotekën time të tanishme, e cila mund edhe të përfytyrohet si një renditje a listë relativisht e organizuar sendesh në hapësirë, të mungonte pikërisht ai libër, që u kushtohet listave.

Kam frikë se më lehtë do ta kem ta blej librin e Eco-s sërish, se të guxoj dhe të hap kutinë “e vulosur” me libra; sepse kjo e fundit, sa më shumë vite që kalojnë, vjen e shndërrohet në çelësin sekret të gjithçkaje që vetëdija e njohjes sime e mban ende në sipërfaqe. Gjysmë me shaka, po dua ta përfytyroj si pavedijen e bibliotekës; dhe pavetëdijen nuk mundet njeriu thjesht “ta hapë”, pa qenë i përgatitur për katastrofën.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Ky shkrim është botuar edhe në substack-un tim MENDITIME.

1 Komente

  1. L
    Lexuesi

    E cfare na intereson ky shkrim alla Visar Zhiti apo Pellumb Kulla qe vetem shkruajne per ngjarje banale nga jeta e tyre te cilat “njerezimi” nuk mundet kurrsesi t’i humbase, sepse keshtu kane shkruar edhe te medhenjte Hemingway, Kadare apo Gabriel Garcia Marquez? Zhiti, p.sh. fillon nje esse per Zija Celen dhe pastaj 2/3 e essese paturpesisht mbushet me burgun e tij vulgar. Natyrisht ne kete paturpesi perfshihen edhe botuesit qe e bejne marrezine e madheshtise boshe pjese te biznesit te tyre te ndohtur. Dhe e gjithe kjo farse jep kontribut te jashtezakonshem ne nje vend qe po zhytet perdite ne keneten e humbjes dhe ku keto selfvlera i shijojne vete ata qe i shkruajne.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje