Lulishtari kulturor

2 Shtator 2025, 09:42Kulturë Ardian Vehbiu

Një varg i Kadaresë i cituar nga Visar Zhiti, për “gjakun e [Majakovskit] që skuqte... mbi fytyrën kuqaloshe të Jermillovit kritik”, më bëri të mendoj për antipatinë, në kufi të urrejtjes, me të cilën përcilleshin kritikët letrarë në totalitarizëm.

Vladimi Jermillovi[1] ka qenë vërtet një nga ata që i dhanë të shtyrën përfundimtare në rrëpirë Majakovskit. E pat mbështetur në fillim, por pastaj – me një artikull të vitit 1930 në Pravda – e pat sulmuar komedinë e tij Banja duke e cilësuar autorin si “majtist mikroborgjez”, nga ata që “iu bashkuan proletariatit kur fitorja e tij ish konsoliduar tashmë.”

E çuditshmja këtu është se Jermillovi nuk e kish parë komedinë, por gjykonte vetëm nga një fragment i botuar i tekstit. Referenca e tij ndaj një “note pseudo-majtiste” që ndihej në zërin e Majakovskit nënkuptonte se ky ishte një quasi-trockist; dhe e bënte këtë në një vit kur persekutimi kundër trockistëve kish filluar rëndshëm.

E gjitha kjo, vetëm një muaj para se poeti të kryente vetëvrasjen; dhe ai lloj sulmi ideologjik, kundër një autori të mirënjohur, do të intepretohej dhe me siguri u interpretua si denoncim politik.

Kadareja me gjasë do të jetë ulur në tryezë me Jermillovin në Dubulti dhe do t’i kenë rrëfyer për rolin e tij në vetëvrasjen e Majakovskit. Mbase do të ketë dëgjuar edhe se, kur pas “fletë-rrufesë” së Jermillovit Majakovski reagoi duke krijuar një poster gjigand të cilin e ekspozoi në mjediset e Teatrit Majerhold, me mesazhin se “nuk kish banja të mjaftueshme, për të shpëlarë burokratët e ndihmuar nga kritikët si Jermillovi”, dhe ky i fundit u ankua aq sa poetin ta urdhëronin që ta hiqte posterin, Majakovski pat lënë një porosi me shkrim, mu para se të vriste veten, që “t’i thoni Jermillovit që duhet ta kishim çuar muhabetin deri në fund.”[2]

Edhe pse shkrimtarët në përgjithësi nuk kanë ndonjë simpati për kritikët letrarë dhe do të preferonin t’i mbanin sa më larg veprës së tyre, në një kulturë totalitare si ajo në Bashkimin Sovjetik të Stalinit apo në Shqipërinë e Hoxhës kritiku letrar ngjallte edhe frikë të madhe – ngaqë këqyrej dhe shpesh edhe ishte vërtet ekzekutuesi i vijës ideologjike të Partisë në krijimtarinë letrare. Nëse shkrimtarët e shquar, si Majakovski atje dhe Kadareja këtu mund të përfytyrohen si komandantët e letrave, kritikët letrarë lehtësisht mund të shihen në rolin e komisarëve të letrave. Të gjithë u druheshin gjykimeve të tyre për domethënien ideore të veprave dhe interpretimeve të tyre për elementet e ndryshme të formës. Nëse Partia i donte shkrimtarët dhe artistët “ndihmës të Partisë në edukimin komunist të masave punonjëse”, prej kritikëve letrarë pritej që ta verifikonin këtë pritje dhe të sinjalizonin shmangiet dhe “sabotimet” ideologjike.

Në të gjitha ato raste kur bëhej fjala për vepra të tilla që mund të kishin impakt të madh ndaj publikut – si në letërsi, në teatër, në film, në muzikë, por edhe në artet figurative – kritiku letrar angazhohej për t’i analizuar veprat e reja nga pikëpamja zakonisht staliniste populiste, duke e mbajtur lart vigjilencën ndaj intelektualizmit, liberalizmit dhe zbutjes së luftës së klasave; dhe duke treguar zell të veçantë, kur këtë ia kërkonte ndonjë prej udhëheqjes.

Mund ta kem fajin unë vetë, por në këtë moment nuk po më kujtohet asnjë kritik që t’i ketë dalë zot një vepre, pasi ajo të jetë shpallur si e gabuar a si armiqësore ndaj vijës – duke i lënë autorët e shënjestruar në mëshirën e kritikave nga kori i konformistëve. Detyra e tyre, prej “enforcers” të vijës së Partisë në krijimtari, i zhvishte nga agjencia individuale – duke bërë që bindja e përkushtuar të ishte virtyti i parë që do t’u vlerësohej në CV.

Ka ndodhur, më shpesh se ç’kujtohet, që kritikët të kenë qenë në krye entuziastë për vepra që pastaj janë veçuar për keq nga ideologët dhe kanë përfunduar para gjyqit. Tek e fundit, që kultura shqiptare arriti të përzgjedhë dhe të mbajë në krye shkrimtarë dhe artistë të kalibrit të një Kadareje a të një Agolli, një Anagnosti a një Viktor Gjike, një Çesk Zadeje a një Feim Ibrahimi, meritën për këtë e patën edhe kritikët që arritën t’i dallojnë këta – dhe emra të tjerë që njëlloj meritojnë t’u bashkohen – nga masa e artistëve më pak të shquar. Paralelisht, rrallë ka ndodhur që një shkrimtar a artist të jetë rrëzuar ngaqë e ka sulmuar kritika – sulme të tilla nisnin nga drejtime të tjera: kryesisht nga Komitetet e Partisë. Nuk i vë dot faj kritikës, për represionin ndaj fjalës dhe shprehjes artistike, sepse ky ishte i trupëzuar në marrëdhënien e shtetit totalitar me letërsinë dhe artet; kritikët letrarë ishin ata që përzgjidheshin për të shërbyer si krahu “ideologjikisht i armatosur” i administrimit të “armatës së krijuesve”.

Në rrethanat kur një krijues fillonte të shquhej ndaj të tjerëve dhe të gëzonte favoret edhe të publikut, edhe të kolegëve edhe të udhëheqjes, do të ndodhte natyrshëm që ai të ngjallte edhe zili, veçanërisht mes krijuesve më pak të talentuar, të cilët zakonisht i gjen në solidaritet mes tyre, sa herë që vihet në pikëpyetje parimi i trajtimit të barabartë. Kontradikta mes individit të shquar dhe parimit barazimtar nuk u sheshua dot as në socializëm; mbase duhej pritur që të vinte komunizmi. Mes kësaj zilie, shpesh po aq të pranishme sa edhe admirimi dhe lajkataria, kritikët luanin një rol të dyfishtë: duhej të ndihmonin në popullarizimin e një figure të mbështetur nga udhëheqja, dhe njëkohësisht të bëheshin tribunë të pakënaqësisë që vinte nga poshtë. Për këta e ka fjalën edhe Kadareja kur, në poemën e cituar, e përmend “marshin shekullor të mediokërve”, dhe refrenin e këtyre “ti ishe i madh, por ne ta hëngrëm kokën.” Mediokriteti gjithnjë formon masë, dhe regjime totalitare si ai i Hoxhës te masa amorfe gjenin mbështetjen më të fortë se gjetiu. Kritiku ashtu e gjente veten në rolin e atij që ndihmonte për të rrëzuar “të mëdhenjtë”, duke u treguar këtyre se asgjë nuk mund t’i mbronte, përballë zemërimit popullor.

Ka ndodhur edhe që kritikë letrarë të thirreshin, nga organet e Punëve të Brendshme dhe të hetuesisë, për të dhënë vlerësime rreth krijimtarisë të një personi të arrestuar për motive politike. Por në këtë rol kam dëgjuar të përmenden edhe shkrimtarë dhe artistë të mirëfilltë – si kusht mjaftonte të ishe njeri i besuar. Megjithatë, për shkak edhe të asaj që dënimi ideologjik i dikujt, për një vepër letrare apo arti, do të formulohej me terma të ngjashëm me ato që përdorte kritiku për të gjykuar të njëjtat vepra, shpesh do të dukej sikur kritiku ishte edhe instrumenti i drejtpërdrejtë i dhunës ndaj të shënjestruarve.

Mund të përfytyrohet edhe një ndarje – që mund të shihet edhe si “profesionale” – midis krijuesve dhe kritikëve në çdo kolektiv krijuesish që administrohej e riprodhohej me fondet e shtetit; ndarje e tillë ku kritikët merrnin përsipër rolin e pabukur të kontrollorëve të krijimeve të kolegëve të tyre dhe detektivëve të “krimit” ideologjik. Brenda kësaj skeme vetvetiu të thjeshtuar antipatia do t’u mbetej si rregull në derë kritikëve, por jo aq për defekte të këtyre profesionale a të karakterit, por ngaqë prej këtyre pritej që të ishin antipatikë (paguheshin për këtë detyrë), aq sa të ndillnin frikë dhe ankth mes krijuesve (të cilët edhe ata, shpesh, paguheshin për të pasur frikë dhe ankth). Sic est via Dei.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është punuar me Google Gemini. Botohet me leje te TemA.

[1] Të dhënat që kam sjellë këtu për Jermillovin i kam nxjerrë kryesisht nga artikulli përkatës në Wikipedia.

[2] Në ndonjë burim tjetër, gjen versionin se Majakovski pranon, te ky shënim, se kish bërë gabim që e kish hequr posterin kundër Jermillovit dhe se duhej ta kish vazhduar dyluftimin me të. Gjithsesi, duket se incidenti me Jermillovin ishte në mendjen e poetit, kur ky vendosi që t’i japë fund jetës.

Lini një Përgjigje