Më 1 shtator 1939, para 86 vjetësh, Gjermania naziste ndërmori agresionin ushtarak kundër Polonisë, duke shënuar fillimin formal të Luftës së Dytë Botërore.

1 Shtator 2025, 20:48Kulturë TEMA
Më 1 shtator 1939, para 86 vjetësh, Gjermania naziste ndërmori

nga Adri Nurellari

Më 1 shtator 1939, para 86 vjetësh, Gjermania naziste ndërmori agresionin ushtarak kundër Polonisë, duke shënuar fillimin formal të Luftës së Dytë Botërore. Vetëm dy javë më pas, më 17 shtator, Bashkimi Sovjetik sulmoi nga lindja, në përputhje me marrëveshjen e fshehtë të Paktit Molotov–Ribbentrop, duke i dhënë goditjen përfundimtare shtetit polak. Ky koordinim i dy fuqive totalitare jo vetëm që çoi në ndarjen e Polonisë dhe shuarjen e pavarësisë së saj, por ndezi edhe flakën e Luftës së Dytë Botêrore që përfshiu gjithë botën dhe mori miliona jetë.

Shpesh këto dy regjime pushtuese janë paraqitur si dy dogma të kundërta: komunizmi si ekstremizëm i majtë dhe fashizmi si ekstremizëm i djathtë. Por në fakt, ato nuk ishin antipode ideologjikë ishin thjesht armiq të lirisë (herë në aleancë siç qe rasti i Polonisë e herë në rivalitet). Dy anë të së njëjtës monedhë të tiranisë, të bashkuar mendërisht nga urrejtja ndaj individit të lirë.
Totalitarizmat e shekullit XX – qoftë komunizmi, qoftë fashizmi – kishin një strukturë të përbashkët të pushtetit dhe një logjikë të njëjtë të sundimit. Në themel qëndronte dhuna e institucionalizuar si metodë sistematike e mbajtjes së pushtetit, e shoqëruar me polici sekrete, survejim dhe kampe përqendrimi. Të dyja ngritën parti-shtet dhe një lider absolut, duke eliminuar çdo alternativë politike dhe duke e kthyer udhëheqësin në burim të së drejtës dhe të së vërtetës. Në ekonomi, dallimet ishin të papërfillshme përballë thelbit përbashkues: nënshtrimi i tregut ndaj shtetit, qoftë përmes shtetëzimit të plotë (komunizëm), qoftë përmes kontrollit të korporatave nën diktat (fashizëm), çka e rrënonte lirinë e pronës private dhe iniciativën individuale.

Për të legjitimuar këtë rend, të dy përdornin propagandë masive dhe indoktrinim kulturor, duke shuar mendimin kritik dhe duke e riformatuar shoqërinë sipas dogmës së vet. Individit i mohoheshin të gjitha liritë themelore – e fjalës, e fesë, e asocimit– sepse ai nuk shihej si qenie autonome, por si instrument i kolektivit apo i utopisë.

Hayek na paralajmëron se çdo përpjekje për të kontrolluar plotësisht jetën ekonomike e shoqërore të individit përfundon në “rrugën drejt skllavërisë”. Ky është thelbi i përbashkët i komunizmit dhe fashizmit: dy eksperimente që, pavarësisht simboleve të ndryshme, megjithëse paraqiteshin si të kundërta, ishin në thelb projekte të njëjta të pushtetit total: shteti mbi individin, dhuna mbi lirinë, dogma mbi të vërtetën. Historia na dëshmon se tirania nuk ka ngjyrë dhe se kurdoherë që sakrifikohet liria, rezultati që vjen është gjithmonë skllavëria

Lini një Përgjigje