Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste vlerësoi sot kontributin e drejtorit të Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni, i cili sipas tij, do të mbetet në historinë e qytetit si njeriu që shpëtoi arkivën “Marubi” dhe shpëtoi Shkodrën nga një turp i madh kombëtar.
Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me biznesin e vogël në Shkodër për të prezantuar nismat ekonomike të qeverisë në mbështetje të tyre.
Gjatë takimit, Rama solli në vëmendje përfshirjen e arkivit të “Marubit” si pjesë e Regjistrit Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit.
“Para pak ditësh, arkivi i “Marubit” u vulos përfundimisht si pasuri botërore dhe tani mund të themi që jo vetëm me fjalë apo me çfarë ne besojmë, por edhe me ligj, me dokumente, me vulë, me formë, Shkodra ka një kontribut në kulturën e botës. Jam shumë krenar për këtë pasi e kemi kapur në zgrip arkivin”, u shpreh Rama.
Kryeministri vlerësoi veçanërisht kontributin e drejtorit të muzeut, Luçjan Bedeni për punën që ka bërë me arkivin.
“Ka qenë realisht në fije të perit, i mbytur në ca zgëqe, nëpër thasë, një tmerr i madh dhe ju e dini pastaj që ndërtuam muzeun dhe kemi vënë përfundimisht në kontroll arkivin me laboratorin, me të gjitha. Por, përtej ndjeshmërisë dhe vullnetit tonë në Tiranë unë dua që t’i njoh meritën një djali të ri nga Shkodra, që është drejtori i muzeut, Luçjanit, i cili në këndvështrimin tim do të mbetet në historinë e qytetit si njeriu që shpëtoi arkivin dhe shpëtoi Shkodrën nga një turp i madh kombëtar dhe Shqipërinë bashkë me Shkodrën”, u shpreh Rama.
“Është realisht përkushtimi, ajo mënyra shumë personale me të cilën ai e sheh atë pasuri si ta kishte jo të vetën, por si ta kishte pjesë të trupit të vet, që i bën nder, shumë nder, atij djalit. Unë jam shumë i privilegjuar që kam pasur mundësinë ta njoh, sepse realisht ne mund të bënim muzeun, ne mund të bënim financimet e nevojshme, por pa atë djalin unë besoj se do ishte shumë e vështirë. Shembulli vlen për të thënë që ne duhet të kapemi fort pas këtyre gjërave që ka Shkodra”, vijoi Rama.
Kryeministri solli po ashtu në vëmendje edhe punën që po bëhet me Muzeun e ri të Kujtesës në Shkodër.
“Më në fund Shqipëria do të ketë jo vetëm në Tiranë, ku kemi Muzeun e Gjetheve, por që është një tjetër këndvështrim i asaj të shkuare në ferr të popullit tonë, do ketë një tjetër derë ku jo vetëm vizitorët e huaj, por edhe ne, flas gjeneratat e reja do mund të shohin fizikisht brutalitetin e asaj kohe”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje