Një kujdes i veçantë producenti dhe organizatori i këtij festivali kishte treguar për përzgjedhjen e teksteve të këngëve, duke gjetur një terren të pasur në vargjet e poetëve shqiptarë dhe tekstshkruesve që kanë bërë historinë e festivaleve të këngës si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Arben Duka
Yjet mbi amfiteatrin buzë lumit Erzen dhe yjet që lanë shenjë në muzikën e lehtë shqiptare. Ishte kjo atmosfera që shënjoi edicionin e gjashtë të festivalit Festa e Këngës, organizuar nga producenti dhe kantautori i mirënjohur Gjergj Leka.
Me synimin për të mbajtur gjallë traditat e mira të muzikës së lehtë shqiptare përmes kësaj iniciative personale, në këtë edicion Leka u bëri homazh emrave të mëdhenj si Pjetër Gaci, Vaçe Zela, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Tonin Tërshana, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Agim Prodani e Anita Take, Kastriot Gjini, Alqi Boshnjaku, Agim Krajka, Jorgo Papingji e Kujtim Laro, Teodor Keko, Agim Doçi e Betim Muço.
Emrat e tyre erdhën të gdhendur në Çmimet që u shpërndanë për të 19 konkurrentët, një përfaqësim i disa brezave.
Nga Kozma Dushi, Alida Hisku, Rajmonda Kamberi, Zina Zdrava e Arta Babaramo tek emrat si Kejtlin Gjata, Dea Amoniku, Era Hasanaj e shumë të tjerë. Talente të reja që u përgatitën nën kujdesin e pedagogeve të përkushtuara të kantos si Anjeza Shehu-Agolli, Alma Strazimri, Ema Kançi e Kiara Juba.
“Kam qenë edhe unë i ri, nuk kam lindur plak”- do të thoshte Kozma Dushi, ndërsa iu kënduan urimet për 70 vjetorin e lindjes, të cilin e kremtoi pak ditë më herët. Duke iu referuar të rinjve që u ngjitën në po të njëjtën skenë festivali, këngëtari kujtoi fillimet e tij në muzikë dhe gjithashtu mësuesin e tij të paharruar, këngëtarin e madh të operas Xhoni Athanas.
Një kujdes i veçantë producenti dhe organizatori i këtij festival i kishte treguar për përzgjedhjen e teksteve të këngëve, duke gjetur një terren të pasur në vargjet e poetëve shqiptarë dhe tekstshkruesve që kanë bërë historinë e festivaleve të këngës si Jorgo Papingji, Agim Doçi, Arben Duka. Një përpjekje e gjatë në kohë e Gjergj Lekës, i cili është i njohur për muzikimin e vargjeve të Ismail Kadaresë, “Në Parkun që mbuluan fletët”. Vitin e kaluar Leka solli në këngë vargje nga Lasgushi e Migjeni, Dritëro Agolli e Teodor Keko.
“Nuk patën kohë t’i shihnin të muzikuara vargjet e tyre,” - u shpreh Leka duke bërë një homazh për poetët e ndjerë, duke ua dedikuar këtë edicion tërësisht tre poetëve, Papingji, Doci e Duka.
Një nga surprizat e mbrëmjes ishte edhe performanca e drejtores së përgjithshme të televizionit News 24, e cila interpretoi këngën “Nuk e dija kisha vdekur” me tekst të Agim Doçit, i cili u nda nga jeta një vit më parë dhe u nderua nga festivali me Çmimin “Kastriot Gjini”.
Kjo ishte hera e dytë që gazetarja ngjitet në skenë si këngëtare, pasi edicionin e kaluar të Festa e Këngës erdhi me një këngë përshëndetëse në duet me Gjergj Lekën.
Leka përcolli gjithashtu një mesazh për sulmin ndaj News 24, duke i vlerësuar të gjithë gazetarët e televizionit si heronj.
Ai u ndal te fillimet e bashkëpunimit me News 24 rreth 7 vjet më parë, një bashkëpunim i frytshëm dhe që ka gjetur respektin e Fokus Media Grup në lirinë e tij artistike. Leka shpjegoi se edhe tekstin i Agim Doçit për këngën “Nuk e dija kisha vdekur” u zgjodh me kast për të shprehur revoltën përmes satirës.
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe dy Çmime speciale; Çmimi “Avni Mula” për producentin muzikor Kristi Bello dhe kontributin që ka dhënë jo vetëm në këtë festival, por edhe për të mbajtur gjallë traditën e muzikës cilësore. Bello është njëherazi dekan i studentëve në Universitetin Europian të Tiranës dhe pedagog në Departamentin e Arteve të Aplikuara. Me punë ne tij Bello ka arritur të spikatë një sërë talentesh të rinj dhe të ngrejë klubin studentor UET Talent me studentë të Arteve Muzikore e Skenike duke vënë në skenë shfaqje teatrore e muzikore.
Çmimi “Mirënjohje” shkoi për gazetaren Kozeta Kurti dhe kontributin e saj të gjatë në art si gazetare e kulturës, por edhe si organizatore e një sërë festivalesh.
Edhe këtë vit, festivali pati mbështetjen e News 24, Radio “News 24”, “Flumen Park”, “Bio Produkte Merja” e Uji Lajthiza.
Lini një Përgjigje