Me rrënjë e me degë

11 Qershor 2025, 15:53Kulturë Ardian Vehbiu

Pashë një ditë statusin e njërit që krenohej – për të mos thënë mburrej – se një analizë e trashëgimisë gjenetike që kish bërë i kish gjetur haplogrupin E-V13, relativisht i hershëm në Europë dhe veçanërisht në Ballkan, dhe që ndonjëherë e lidhin me përhapjen e indoeuropianëve.

Nuk jam në gjendje të them asgjë për këtë haplogrup dhe praninë e tij në individë të caktuar – por shoh se, sipas një harte në Eupedia, ai është mjaft i përhapur në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut, por edhe në disa zona të Greqisë.

Tani, haplogrupet si trashëgimi biologjike nga të parët tanë kanë ardhur nga diku; njëlloj si edhe shqipja që flasim. Janë karakteristika që na lidhin edhe biologjikisht me paraardhësit, ashtu edhe me kulturën a kulturat e tyre. Edhe trupi, edhe gjuha që flasim reflektojnë dhe rimarrin realitete më të hershme – përkatësisht biologjike dhe gjuhësore.

Disa nga ne kanë zhvilluar një kuriozitet të çuditshëm për analizat gjenetike të këtij lloji – madje ka ndonjë që mund të mbushet me entuziazëm, për këtë apo atë haplogrup. Njerëz të tillë e çojnë edhe një hap më tutje absurditetin e mburrjes për “lashtësinë” e gjuhës që flasin – meqë, në mendjen e tyre, analiza gjenetike u ka zbuluar se jo vetëm gjuha që flasin, por edhe ata vetë janë “të lashtë”.

Përtej faktit që një haplogrup nuk mjafton, për t’ua njohur këtyre tipave epërsinë racore dhe për t’i respektuar si të ishin dema ose desh me virtyte të rralla blegtorale, duhet sqaruar edhe se, në çështje të biologjisë dhe të birësisë biologjike, vjetërsia nuk tregon ndonjë përparësi. Përkundrazi, një nga speciet gjenetikisht më të reja në planet – njeriu – ka treguar epërsi ndaj specieve të tjera; njëlloj siç ka treguar epërsi homo sapiens ndaj neandertalit dhe llojeve të tjera, tashmë të zhdukura, të homindëve në lashtësi.

Nëse nuk gaboj, është vetë dukuria e risisë gjenetike, që u siguron specieve që e zhvillojnë epërsi ndaj specieve të tjera; dhe mundëson evolucionin. Te njeriu, erdhi një moment kur evolucionin biologjik e zëvendësoi një lloj evolucioni tjetër – që u siguroi disa grupeve epërsi ndaj grupeve të tjera; nëse me epërsi kemi parasysh kapacitetin për t’u shtuar në numër dhe për të jetuar në kushte klimatike të ndryshme dhe për t’u përhapur në hapësirë.

Për shembull, disa antropologë mendojnë se fiset indoeuropiane patën epërsi, në Europë, ndaj popullsive që jetonin në këtë kontinent më herët; prandaj edhe sot pasardhësit e tyre i gjen në çdo cep të kontinentit, me ndonjë përjashtim (si baskët, hungarezët dhe finlandezët, dhe ndoshta edhe popullsitë turkike). Kjo do të ishte epërsi “demografike”, e ndryshme nga epërsia gjuhësore – që gjen shprehje në përhapjen e gjuhëve indoeuropiane.

Këto janë çështje të diskutueshme; marrëdhëniet mes epërsisë biologjike dhe epërsisë kulturore nuk janë aq të drejtpërdrejta sa ç’i dëshirojnë disa; aq më tepër që harta e përbërjes gjenetike të popullsive të sotme në Europë nuk përkon me hartën gjuhësore të kontinentit; dhe aq më pak përkon dinamika e përhapjes së haplogrupeve me dinamikën e përhapjes dhe stabilizimit të gjuhëve indoeuropiane.

Analizat gjenetike mund të japin një ide për zhvendosjet e popullsive në lashtësi, por çdo përpjekje për t’i përkthyer rezultatet e tyre në terma të historisë dhe të kulturës është e parakohshme. Përkundrazi, transpozimi i konsideratave dhe konjekturave gjenetike në rrafshin e individit është thjesht pa bazë shkencore; që dikush është bartës i haplogrupit E-V13 kjo thjesht provon mbijetesën e haplogrupit E-V13, por nuk thotë gjë për statusin biologjik dhe social të këtij personi – përveçse nëse këtij i duhet për të provuar atësinë.

Do të më thonë se “nuk ka asgjë të keqe” për dikë që të rrëmojë në kromosomin e vet Y dhe të mësojë për haplogrupet e veta. Në thelb, haplogrupi duhet kuptuar si grupim gjenetik i individëve që ndajnë mes tyre një stërgjysh të përbashkët, në vijë atërore (kromosomi Y) ose amnore (ADN-ja e mitokondrive). Dikush mund të jetë krenar për këtë apo atë haplogrup, siç mund të jetë krenar për formën e kokës ose ngjyrën e flokëve a të syve, ose formën e këmbës. Çështja është se kjo krenari mund të shndërrohet – dhe historia tregon se është shndërruar – në përçmim për atë tjetrin, që atë haplogrup nuk e ka. Duket sikur gjenetika e popullatave ofron një bazë më “shkencore” për diskriminimin e Tjetrit – çfarë e bën “krenarinë” e atij tipit dhe shumë të tjerëve më pak të pafajshme se ç’mund të duket në vështrim të parë.

Edhe më problematike mund të bëhen konsideratat gjenetike, kur përfshihen si argumente të autoktonisë dhe të drejtave, qoftë edhe vetëm morale a kulturore, ndaj një territori të caktuar; sidomos po të kemi parasysh se variacioni i sotëm gjenetik është projeksion i zhvendosjes së popullsive në hapësirë dhe në kohë, dhe – rrjedhimisht – edhe i individëve që janë pjesë e tyre; dhe se prania e të njëjtit haplogrup, në një zonë të caktuar, nuk lidhet detyrimisht me prejardhjen e tij (sa kohë që individët dhe grupet më të vogla zhvendosen dhe migrojnë në mënyrë të pavarur nga grupet më të mëdha). Kjo do të thotë edhe se do të ishte më shkencore, që rezultatet e analizave gjenetike të interpretoheshin në mënyrë statistikore.

Te faqja Rrënjët, që mbledh dhe interpreton informacion gjenetik për shqiptarët dhe fqinjët e tyre, lexoj se mes vllehëve që jetojnë në Shqipëri, linjat me prejardhje gjermanike të jenë më të dendura se mesatarja e trojeve shqiptare (Prejardhja gjenetike e vllehëve/aromunëve); çfarë interpretohet pastaj kështu: “Nëse ky dallim nuk do të zbehet me shtimin e rezultateve, ka mundësi që këto linja përfaqësojnë një kontribut pak më të madh gjenetik te vllehët të fiseve gjermanike që u integruan në sistemin ushtarak romak.” Por nëse kjo do t’i shërbente si arsye një vllahu që të fillonte të mburrej me prejardhjen e tij “teutonike”, atëherë do të kalonim nga shkenca në folklor.

Analizat e gjenetikës së popullatave ofrojnë një pasuri të jashtëzakonshme të dhënash, për studiuesit e historisë – veçanërisht për popuj si shqiptarët (arbrit), që nuk kanë shumë histori të shkruar. Por mënyra më e sigurt, si mund të zhvlerësohen dhe të diskreditohen këto analiza, është adoptimi i tyre nga demagogët dhe ideologët kombëtaristë dhe përdorimi i tyre për të argumentuar gjithfarë “epërsish” dhe “përparësish”. Na duhet virtyt, për ta shmangur edhe këtë kurth.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është përpunuar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.

8 Komente

  1. M
    Messerschmitt

    gjakdhjeri gerrku arrixhinji vehbiu qe ne amerike po ha buken me shkollen qe i dhane shqiptaret nuk don ta "kuptoje" se vllehet jane nje grup 99.999999% Ilirik.

    Përgjigjjuni
    1. D
      Detari

      Haplogrupi E-V13 eshte Arap, afrike veriut. ADN-ne me te vjeter ne Evrope e kane skandinavet dhe Boshnjaket. Me pak fjale, zonat si italia e jugut, albanistoni, greqia ne shumice kane ADN-ne anadolli. Serbet shumica kane ADN si shumica e evropes nga evropa veri-lindore (zona e ukraines) Boshnjaket kane ADN para indo europiane ashtu si dhe Skandinavet.

      Përgjigjjuni
      1. l
        luzati

        Ka shume te drejte Vehbiu percaktimi I Halogrupit me Kronos Y si shenje I prejardhjes nga sterghysherit nuk te jep te drejten per te spekulluar per vjetersine ne troje te caktuara opo zona me predominim autokton

        Përgjigjjuni
        1. P
          Poseidon

          PO NA HIQ KETE TURKO MONGOLIN AMAN SE U BE TEPER I BESDISSHEM.....NDOSHTA OSE SIGURT QE TI NUK E LEXON ,SE NDRYSHE DO TA KUPTOJE QE KY ESHTE NJE TURKOMONGOL QE EDHE PAGUHET NGA QARQE ANTISHQIPETARI PER TE VRARE CDO PERPJEKJE PER TE PERGJITHESUAR ,,,,,SHQIPETARISE....

          Përgjigjjuni
          1. s
            shqiptari

            ore bythqire,Ardian monstra!Cfar te ka gjetur ty qy i sulesh te gjitheve qe thone e deklarojne mendime qofshin edhe te dyshimta!Kush je ti xhanem ?Kutia e se vertetes?Si ai qeni i terbuar sulmon kedo qe permend lashtesine shqiptare me apo arsye.I tjerr e tjerr leshrat e "dijeve"te tua me artikuj te gjate e pa asnje kuptim shkencor.Koqe e fishkur-studioje kete te fundit se vjen nga shqipja e lashte!

            Përgjigjjuni
            1. E
              Eri

              Shqiptarët, sipas analizave të ADN-së, janë pasardhës të popullsive të lashta të Ballkanit me përzierje të vogla nga ndikimet e migrimeve historike. Struktura e tyre gjenetike është kryesisht europiane juglindore, duke dëshmuar një vazhdimësi të gjatë historike në rajon. Megjithatë, trashëgimia gjenetike nuk përcakton në mënyrë absolute identitetin kulturor. Identiteti kulturor është një konstrukt dinamik që lidhet me gjuhën, traditat, përvojat historike dhe marrëdhëniet shoqërore që krijohen me kalimin e kohës. Prandaj, është plotësisht e pranueshme dhe e zakonshme që individët ose komunitetet që migrojnë në vende të tjera të ndërtojnë gradualisht një ndjenjë përkatësie dhe identiteti të ri kulturor — për shembull, shqiptarët që kanë emigruar në Greqi dhe me kalimin e brezave identifikohen si pjesë e kulturës greke. Kjo dëshmon që identiteti kulturor është rezultat i faktorëve shoqërorë dhe historikë, jo thjesht i ADN-së.

              Përgjigjjuni
              1. 6
                666

                As bud'as alla se heqkërkan dot këtë barë jo më ata dy gurë bashkë t'lenë e të bëhet ajo kala me frengjinë e me prag të mitë . Mos i'aroni .

                Përgjigjjuni
                1. A
                  Armăn

                  E vetmja e vërtetë , është që ; jam unë , unë ! Megjithë , se , s'e zotëroni , në ftim , të lexueshëm e paftë ç'i rrodhi tuli e ç'dora i ciku tastet - e gërmofsh . S'jini shprehur nëse profkën e doni yndyror të profilit ; analfabet ! Dhe për fundore pa rimë kjo lënda - prozë - , që hatëri mos t'j'u mbesë , t'i ngelet mozaik - zbulese - , të merret frymë pa pritur age , është ende falas .

                  Përgjigjjuni

                  Lini një Përgjigje