Filma si këto të serisë Alien, për të cilat kam folur në disa ese këtu në Menditime, krahas me të tjerë si ato të serisë Terminator dhe Blade Runner, që i kam referuar gjithashtu, shoqërohen me një kundërti të spikatur: shpesh përfaqësojnë produksione të mëdha, blockbusters, që vlerësohen edhe nga publiku edhe nga kritika për çfarë kërkojnë të jenë – edhe pse pakkush i konsideron si maja të artit kinematografik, meqë mbahen si filma zhanri, fantashkencë dhe horror. Dhe sjellin diçka për të gjithë, duke qenë të kapshëm edhe për publikun me më pak pretendime, atë që shkon në kinema thjesht për t’u argëtuar.
E megjithatë, rëndësia e tyre kulturore e tejkalon fort vendin që kanë, në hierarkinë e artit të kinemasë. Përtej realizimit ndonjëherë të përsosur dhe efekteve vizuale të kalibrit më të lartë, të cilat janë edhe ato pjesë integrale e eksperiencës filmike, produkte t:e tilla zënë vend në imagjinatën kolektive për shkak të mitologjisë që rrëfejnë; një mitologjie bashkëkohore, e cila angazhon publikun në tema dhe koncepte të tilla si ajo e identitetit, marrëdhënies me Tjetrin, raportit të njeriut me botën dhe universin; gjithë duke kërkuar përgjigje për pyetjet filozofike primordiale: çfarë jemi, nga vijmë, ku shkojmë.
Veçanërisht filmat e serisë Alien, nëpërmjet ballafaqimit me Tjetrin absolut – që është alieni xenomorph – u jep formë narrative enigmave dhe dilemave të mëdha që kanë të bëjnë me njeriun dhe post-njeriun, klonimin riprodhimin (shtatzëninë) dhe abortin, sëmundjen dhe epideminë, inteligjencën artificiale dhe shpërbërjen e unitetit psiko-biologjik të njeriut, në kontekstin e hiperzhvillimit teknologjik. Dhe e bën këtë, duke e familjarizuar publikun me arketipet bashëkohore dhe, me gjasë, edhe të së ardhmes.
Një film i tillë mund të interpretohet – dhe në fakt është interpretuar – në disa rrafshe; duke filluar nga ai pop-literal, i alienit si vektor i horror-it përjetim primordial; dhe pastaj një rrafsh teknologjik, ku alieni vihet në marrëdhënie dialektike me androidët nga njëra anë dhe me klonët nga ana tjetër; një rrafsh tjetër, që ka të bëjë me filozofinë e riprodhimit, ku temave tradicionale të shtatzënisë dhe të abortit u shtohen ato të klonimit dhe të hibridizimit të species; një rrafsh që i referohet kundërvënies, po aq primordiale mes njeriut homo sapiens dhe korporatave, të cilat rreshtohen simbolikisht përkrah skllevërve të tyre tashmë androidë dhe madje alienëve; dhe të gjitha këto, në funksion të interpretimit metafizik, që ka të bëjë me identitetin tonë, fizik dhe shpirtëror, përballë universit – i parë ky i fundit si habitat i Tjetrit (Alienit) dhe i Krijuesit.
Me këto tema merret edhe filozofia bashkëkohore, por vetëm arti – letërsia fantashkencore dhe filmi – janë në gjendje që t’ia përcjellin publikut të paspecializuar; madje duke shfrytëzuar atë hapje aksidentale të perceptimit, që ndodh për shkak të eksperiencës horror.
Kjo e fundit – e përballjes me the uncanny – ka qenë gjithnjë në qendër të fantashkencës, duke konkurruar me modele të tjera, si ai i ekspansionit të njeriut në kozmos (Star Trek, Star Wars), jo pa lidhje me përvojën amerikane të “pushtimit” të trojeve në një kontinent “të ri”; ose ai i kozmosit si një habitat i “proletariatit” në të ardhmen, me ngulime e koloni që punojnë në miniera dhe rropaten për zotërit e galaktikës (“The Expanse”); ose modeli i qytetërimit post-apokaliptik, ku teknologjinë e zëvendëson varreza e saj.
Mitologji të tilla janë pjesë e kulturës dhe e qenies njerëzore kolektive, edhe pse për të qarkulluar kanë zgjedhur forma të ndryshme, në pajtim me kohën. Nëse mitologjia greke është riprodhuar më parë në trajtat orale të epikës homerike (dhe jo vetëm), më pas e vazhdoi ciklin duke u trupëzuar në teatrin antik; mitologjia e krishterë, përveç shkrimeve të shenjta, vazhdoi të përcillej edhe nga arti mesjetar dhe i Kohëve të Reja (përfshi edhe pikturën dhe muzikën); shpërthimit teknologjik të shekullit XIX i bëri jehonë mitologjia e fantashkencës letrare klasike (Jules Verne). Edhe tani vonë, mitologjinë e kontaktit me jashtëtokësorët e mbajtën gjallë seri televizive të jashtëzakonshme, si The X Files në vitet 1990; në një rol që dy dekada më herët e pat luajtur seriali optimist Star Trek, lidhur me ekspansionin e njeriut në kozmos.
Filmi u shndërrua në mjet të preferuar për qarkullimin e mitologjive bashkëkohore falë karakteristikave aksidentale – si aftësia për ta shokuar publikun me forcën e imazhit; duke i dhënë vizualitet fantazisë, madje edhe asaj fantazie që i ka rrënjët në pavetëdije. Por sot filmin po e konkurrojnë seriozisht jo vetëm serialet televizive me vlera produksioni gjithnjë e më të larta (Alien Earth), por edhe video-lojërat, të cilat – falë evoluimit të teknologjisë së përpunimit digjital të imazhit dhe inteligjencës artificiale – po arrijnë në mënyrë gjithnjë e më imersive që ta përfshijnë publikun drejtpërdrejt në një univers virtual, ku mitologjia të jetë pjesë e së përditshmes.
Po i mbyll këto shënime me një hartë të koncepteve, të cilën e kam krijuar për të treguar marrëdhëniet semantike të koncepteve kyç, në serinë e filmave Alien dhe të filmave të tjerë që më është dashur të përmend në esetë e mia, duke e lokalizuar rrjetin brenda eksperiencës horror. Kjo hartë – ose graph – mbase lë shumë për të dëshiruar, por shpresoj që kureshtarët do të arrijnë t’i ndjekin fijet siç i kam vizatuar unë dhe të paktën të binden për kompleksitetin e ideve që lidhen me këtë mitologji.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është punuar me Midjourney. Harta e koncepteve është realizuar me Miro. Botohet me leje te TemA.
Shënim: kjo ese është pjesa e tretë e një cikli kushtuar mitologjisë së alienit xenomorph në fantashkencën amerikane. Pjesën e parë, të dytë dhe të tretë mund ta lexoni duke klikuar më poshtë:
Lini një Përgjigje