Teatri “Migjeni” në Shkodër po i nënshtrohet një procesi të gjerë restaurimi dhe modernizimi. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka ndarë pamje nga punimet, duke theksuar se investimi është financuar nga MEKI dhe synon ta kthejë teatrin në një hapësirë bashkëkohore dhe funksionale.
Sipas tij, aktualisht është duke u realizuar instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit, ndërsa shumë shpejt do të vijojë rishikimi i impianteve elektroteknike të skenës dhe rrjetit, ndriçimit dhe sigurisë.
Po ashtu, projekti i restaurimit përfshin edhe mobilimin e sallës me ndenjëse të reja, për t’i ofruar spektatorëve kushte më komode dhe artistëve një hapësirë më të përshtatshme për shfaqje.
“Po krijojmë kushte optimale për frekuentimin e teatrit. Po rrisim komoditetin e spektatorëve dhe artistëve. Po përgatisim terrenin për zhvillimin e më shumë ngjarjeve kulturore, me një rritje të pritshme prej 30% çdo vit. Shkodra, “Djepi i Kulturës”, ka qenë gjithmonë në pararojë të zhvillimeve kulturore kombëtare, duke ruajtur dhe promovuar identitetin e saj historik e artistik”, shkruan Gonxhja.
Restaurimi dhe modernizimi i Teatrit “Migjeni” shihet si një hap i rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe për zhvillimin turistik, ekonomik dhe edukativ të qytetit.
Ky projekt pritet të ndikojë ndjeshëm në gjallërimin e jetës kulturore në Shkodër, duke e bërë teatrin një qendër më tërheqëse për publikun vendas dhe vizitorët nga jashtë. - RTSH-
Lini një Përgjigje