Për të ilustruar dallimin mes mundësisë që një hipotezë shpjeguese të jetë e vërtetë dhe gjasës që ajo të jetë e vërtetë, po sjell një shembull nga një fushë që e njoh relativisht mirë, si ajo e analizës etimologjike të fjalëve.[1]
Shqipen gëlqere e shpjegojnë si huazim nga latinishtja calcāria – (mes të tjerëve, Meyer, Jokl, Çabej, Topalli), një etimologji që nuk është sfiduar kurrë seriozisht, të paktën deri më tash.
Etimologu ose historiani i gjuhës që fillon të punojë me këtë fjalë nuk e ka zor të vërë re ngjashmërinë mes dy fjalëve, gëlqere dhe calcāria[2], por kjo ngjashmëri – në formë dhe në kuptim – nuk provon asgjë. E shumta, mund të shërbejë si një sugjerim a pikënisje, për një hipotezë etimologjike.
Argumenti i parë në favor të hipotezës është se shqipja dhe latinishtja kanë pasur kontakte të dendura në lashtësi dhe në Mesjetën e hershme; të tilla që shumë fjalë kanë hyrë nga latinishtja në shqipen.
Kjo e bën hipotezën gëlqere > calcāria më të besueshme se ndonjë tjetër, që e lidh fjalën shqipe me një fjalë ta zëmë të japonishtes, sa kohë që kontakte të shqipes me japonishten historikisht nuk dihet të ketë pasur.
Në këtë kuptim dhe në rrafshin e praktikës analitike, historia i përjashton vetvetiu disa gjuhë si burime të mundshme fjalësh shqipe, sidomos në nivelin e ligjërimit popullor.
Le të kthehemi te gëlqere > calcāria. Para se mendojë për një huazim, ose replikim të fjalës nga njëra gjuhë në tjetrën, etimologu duhet të saktësojë nëse ka arsye të mjaftueshme që këto dy fjalë të krahasohen mes tyre. Përtej argumentit historik, të marrëdhënieve të protoshqipes me latinishten, arsye janë edhe ngjashmëria formale (gëlqere > calcāria), e cila lë vend edhe për ndryshime të fjalës shqipe në rrjedhë të kohës[3] – sa kohë që po krahasojmë një fjalë shqipe të sotme me një fjalë të latinishtes klasike; dhe ngjashmëria në kuptim – të dyja i referohen oksidit të kalciumit (CaO). Gëlqerja, në fakt, është përdorur gjerësisht si lëndë lidhëse në ndërtimet romake në lashtësi, përfshi edhe ndërtimet në trojet ku sot jetojnë shqiptarët.
Në bazë të hipotezës se shq. gëlqere dhe lat. calcāria kanë mes tyre një lidhje jo-rastësore, gjuhëtarit tani i duhet të shohë mos kjo lidhje është produkt dhe shprehje e një konkordance indoeuropiane (duke qenë edhe shqipja edhe latinishtja gjuhë që i përkasin së njëjtës familje), apo mos i detyrohet huazimit. Mundësia e konkordancës do të përjashtohet[4] nga fakti që latinishtja calcāria është fjalë e rrjedhur me prapashtesë, nga tema calx-calcis, që mes të tjerash ka pasur kuptimin “gëlqere, gur gëlqeror, gur i vogël”, dhe është huazim nga greqishtja e vjetër khalix “gur i vogël”. Më tej akoma, etimologu këmbëngulës vështirë se mund të gjejë ndonjë konkordancë bindëse të shqipes gëlqere në gjuhë të tjera indoeuropiane, që nuk rrjedh nga latinishtja calcāria.
Si të përjashtojë mundësinë e një konkordance, etimologu do të fillojë të testojë mundësinë e huazimit – duke filluar me kahun e huazimit: nga latinishtja në shqipe, apo nga shqipja në latinishte?[5] Në bazë të idesë që kanë krijuar historianët e gjuhës për marrëdhëniet mes protoshqipes dhe latinishtes, kur vjen puna për të zgjedhur kahun e huazimit mes latinishtes dhe shqipes, gjasat janë që origjina e fjalës të jetë latinishtja – si gjuhë e sundimtarëve të Ballkanit në lashtësi, me ndikim jashtëzakonisht të fortë edhe gjuhësor edhe kulturor, të tillë që t’u ketë dhënë fjalë të shumta të gjitha gjuhëve me të cilat ka pasur të bëjë. Kjo nuk e përjashton, megjithatë, mundësinë tjetër, që edhe protoshqipja t’i ketë dhënë fjalë latinishtes – siç mendohet se ka ndodhur me fjalën thikë e cila ka kaluar në latinishte si sica.
Por argumenti në favor të latinishtes si pikënisje e huazimit është më bindës – dhe jo thjesht mbi premisa historike dhe kulturore, por edhe mirëfilli leksikore. Nëse shqipja gëlqere është fjalë e izoluar në gjuhë (derivate si gëlqeror, gëlqerexhi etj. janë shumë të vona), në latinishte jo vetëm calcāria është fjalë e prejardhur nga calx, calcis, por edhe i përket një familjeje morfoleksikore që përfshin, mes të tjerash, fjalë si calculus dhe pastaj, pak më të larguara, calculātiō dhe calculātor.[6]
Këtu mund të shtohet edhe që calcāria latine ka qenë term i një teknike ndërtimi specifike, që u soll në Ballkan nga romakët – çfarë do ta bënte huazim kulturor.
Tani që lexuesi mund të ndjekë hap pas hapi këtë paraqitje – detyrimisht të thjeshtuar – të etimologjizimit të një fjale shqipe si gëlqere, mund t’i sugjeroj që t’i shqyrtojë edhe një herë argumentet, për të parë të gjitha ato raste kur hipoteza e punës është gjykuar si e vlefshme në bazë të një probabiliteti për të qenë e vërtetë – probabilitet herë më i ulët dhe herë më i lartë, por që asnjëherë nuk është një (e vërteta absolute).
Për shembull, gjasat që ngjashmëria mes gëlqere dhe calcāria t’i detyrohet rastësisë, ose një konkordance indoeuropiane janë shumë të ulëta por jo zero; të ulëta por jo zero janë edhe gjasat që calcāria të jetë një fjalë që latinishtja ta ketë huazuar nga shqipja; më pak të ulëta duken gjasat që kjo fjalë të ketë hyrë në shqipe jo nga latinishtja, por nga ndonjë gjuhë romane e Mesjetës, p.sh. venecianishtja ose dalmatishtja ose rumanishtja (calcar, calcaros), dhe kjo për shkak të disa ndryshimeve që ka pësuar fjala shqipe në formë (p.sh. sonorizimi k > g, ose metafonia a>e), të cilat flasin për moshë të madhe të huazimit.
Etimologu – dhe historiani i gjuhës në përgjithësi – nuk ka mënyrë tjetër, për të verifikuar hipotezat e veta, se vlerësimi i gjasave të tyre për t’iu përgjigjur realitetit; meqë probabiliteti në kontekstin e historisë së gjuhës është vështirë të matet a të kuantifikohet, mbase duhet folur më mirë për plausibilitet. Në kuptimin që dijetari formulon një konjekturë, e teston atë duke e krahasuar me të kundërtën (p.sh., “po sikur ta ketë huazuar latinishtja fjalën nga shqipja?”) dhe duke marrë parasysh rrethana historike dhe kulturore, derisa vjen momenti kur hipoteza i duket e mbështetur kënaqshëm; çfarë do të thotë që hipoteza tani i duket me gjasë (probabël).
Testimi sipas probabilitetit e vendos hipotezën diku midis mundësisë (possibility) dhe së vërtetës së palëkundur – si ato që ndeshim në sistemet aksiomatike.
Tani, ata mes nesh që nuk janë në gjendje të dallojnë mes mundësisë (posibilitetit) dhe gjasës (probabilitetit) gjithnjë do të vërejnë se është gjithnjë e mundshme që të sillet një shpjegim i ri ose alternativ; për shembull, që fjala gëlqere të ketë hyrë në shqip nga një gjuhë e lashtë ballkanike, për shembull trakishtja, e cila nga ana e vet ta ketë marrë nga latinishtja; ose, më keq akoma, që krejt latinishtja të ketë rrjedhur prej shqipes. Këto hipoteza nuk janë në vetvete absolutisht të gabuara, por vetëm shumë të pagjasa, prandaj hulumtuesi nuk i merr parasysh, përveçse po të ketë dështuar me hipotezat e tjera. Edhe shpjegimet pseudo-etimologjike, që i interpretojnë fjalët si të ishin fjali të përngjitura, sado absurde që të tingëllojnë nuk mund të përjashtohen a priori; shqipja ka fjalë që janë përngjitje shprehjesh ose fjalish, të tilla si shtojzovalle, qoftëlargu, dhe në parim kështu, nëpërmjet kondensimit të fjalive, mund të jenë formuar edhe fjalë të tjera. Nëse etimologu nuk e merr parasysh një shpjegim të tillë për fjalën specifike që po analizon, për shembull gëlqere, kjo ndodh ngaqë i duket i pagjasë, në krahasim me shpjegimin etimologjik klasik.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Flux. Botohet me leje te "TemA".
[1] E them këtë i vetëdijshëm se të flasësh për gjasa në një fushë të studimeve si gjuhësia historike kërkon gjithnjë proviso-n që po flasim për evidencë (prova) më shumë cilësore se sasiore, sa kohë që probabiliteti që kjo apo ajo hipotezë të jetë më afër së vërtetës nuk mund të matet, as të përllogaritet numerikisht.
[2] Nëse nuk e vë re këtë ngjashmëri, “etimologu” është ose i rremë, ose po gënjen veten.
[3] Frang Bardhi ka formën këlqereja, lat. calx. Sonorizimi i k-së nistore ndeshet edhe në huazime të tjera të ngjashme, si gështenjë nga castanea, gërnetë nga ita. cornetta, gaforre nga gr. e re kavouri, etj.
[4] Kur them “përjashtohet”, kam parasysh atë që mundësia bëhet krejt e pagjasë; jo që përjashtohet a priori. Megjithatë, edhe në fushën e etimologjisë historike, ka propozita (dhe hipoteza) që përjashtojnë njëra-tjetrën, duke shkelur parimin logjik të mos-kundërtisë. Për shembull, hipoteza se një fjalë shqipe ka hyrë në këtë gjuhë nga latinishtja e përjashton hipotezën se ajo fjalë shqipe është formim i brendshëm i gjuhës; dhe ky përjashtim – me bazë logjike – ndodh pavarësisht nga gjasat që secila prej atyre dy hipotezave të jetë më afër së vërtetës.
[5] Ekziston edhe një mundësi e tretë: që edhe shqipja edhe latinishtja ta kenë marrë fjalën nga një gjuhë e tretë. Për shembull, shqipja mokën/mokër është e krahasueshme me latinishten machina, por të dyja këto fjalë rrjedhin nga greqishtja e vjetër (dorishtja) makhaná. Këto raste janë të posaçme dhe nuk do të analizohen këtu.
[6] Edhe emri i elementit calcium, i sajuar nga kimisti britanik Humphry Davy në 1808, është ndërtuar mbi temën calx, calcis.
Ne kete artikull ky birbua vjen verdall si pordha neper brek dhe nuk thote asgje sepse ai niset nga nje premise e gabuar se gjoja 'latinishtja eshte gjuhe me e vjeter se shqipja", sepse ai ben pjese ne ate grupin e pseudoakademikve shqiptar qe nuk e pranojne prejardhjen e shqipes prej iliro-pellazgjishtes, prandaj gjithe analiza qe ben eshte e gabuar. Ai pretendon se romaket sollen artin e ndertimit ne Shqiperi dhe mohon tezat se para shfaqjes se romakeve ne historine boterore ishin pellazget ata qe ndertuan pallatet ne Krete dhe muret pellazgjike ne akropol te Athines , se ishin etrusket ata qe ndertuan Romen. A mund ta mohoj Ardian Vehbiu faktin se ishte gjenerali i zi romak Pal Emili ai qe shkaterroi 700 qytete dhe fshatra ne Ilirine jugut dhe ne Epir kur i mundi epirotet ne vitin 168 para krishtit. Pra Iliria kishte qytete para pushtimit romak dhe ato qytete nuk i kishin ndertuar romaket por iliret. Fjala gelqere e shqipes nuk e ka origjinen nga fjala latine " calcaria" more qyqi qorr, por nga nje fjale me e vjeter e shqipes qe lidhet me malin dhe gurin - " gërxhia". Gërxhe = shkembenj prej guri. Shqiptaret e vjeter ose iliro - pellazget e kane ditur me perpara se Ardian Vehbiu se gëlqerja nuk eshte gje tjeter vecse gur i djegur. Me heret ne Shqiperi "gëlqerja" quhej "gërqere". Gërxhe = gërqere = gëlqere. Nga fjala "Gërxh" rrjedh edhe emri i Greqise sepse te paret tan nuk e quanin ashtu si sote " Greqi" por "Gërqi" qe nenkuptonte nje vend malor si dhe eshte ne fakt. Pra edhe emri i Greqise e ka origjinen nga shqipja dhe spjegohet vetem prej shqipes. Vazhdoni ju - Ardian Vehbiu dhe shoket e tu ti bini fyellit ne vrimen e fundit dhe ashtu si Cabej ti nxirrni shqiptaret me origjine aliene. ( te kuptohemi nuk e mohoj vepren e madhe te Prof Cabej dhe veprimtarine etij si albanolog i shquar, por ai gaboj kur mohoj origjinen pellazge te shqiptrve dhe te gjuhes se tyre).