Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, një udhëtim në kohë mes artit dhe historisë

28 Prill 2025, 16:31Kulturë TEMA

Në zemër të qytetit të Korçës, aty ku historia takon shpirtin artistik të një kombi, qëndron një ndër pasuritë më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar.

Hapur për publikun në prill të vitit 1980, ky muze përmban një nga koleksionet më të mëdha ikonografike në Ballkan dhe ndër më të rëndësishmit në Europë. Ikonat dhe objektet e kultit që ruhen këtu përfaqësojnë një periudhë të gjerë kohore, nga shekulli i XIII deri në shekullin XX.

Por rrugëtimi i këtij institucioni nuk ka qenë i lehtë. Në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall zyrtarisht shtet ateist, shumë objekte të kultit u shkatërruan. Kishat u mbyllën, besimtarët u persekutuan dhe trashëgimia shpirtërore e vendit rrezikoi të zhdukej.

Pikërisht në këto kushte u ngritën disa prej figurave më të ndritura të kulturës shqiptare, si Theofan Popa, të cilët udhëtuan nëpër fshatrat më të largëta për të shpëtuar ikonat dhe objektet e shenjta, duke i mbledhur në emër të trashëgimisë kulturore kombëtare. Falë punës së tyre, këto vepra të çmuara u ruajtën në Korçë dhe në vitin 1978, me vendim të Këshillit të Ministrave, u miratua krijimi i një institucioni të posaçëm, Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.

 “Ky vendim pati pasoja të rënda dhe në trashëgimin kulturore sepse duke iu veshur iniciativës gjoja të gjimnazit “Naim Frashëri” të Durrësit filluan të prisheshin godinat e kultit. Këtë fat do të pësonin jo vetëm ato godina që nuk ishin të shpallura Monument Kulture por edhe ato që ishin shpallura si të tilla.  Kështu filluan të prisheshin dhe bashkë me ato u prishën dhe dokumentet , kodikët , ikonat , etj.  Një grup shkencëtaresh me shumë kurajo dhe me shumë argumente arritën që të mbronin një numër të madh monumentesh në listën që duheshin të ishin të ruajtura.  U kërkua me shumë këmbëngulje që edhe ikonat që ndodheshin nëpër kisha të grumbulloheshin sepse kishin shumë vlerë. Dhe për këtë punë u ngarkuar PRof. Theofan Popa.  me shumë pasion dhe devotshmëri i mblodhi me mijëra ikona. Duhet të kemi parasysh mjetet që kishte në atë kohë, stafin e ndihmës që kishte vetëm atëherë mund të kuptojmë atë punë me shumë vlera që ka bërë Prof. Popa.” U shpreh Prof. Dr. Pirro Thomo, studiues i arkitekturës së kultit dhe restaurator.

Një vit më pas, puna nisi në ambientet e katedrales “Burimi Jetëdhënës”, të cilat u përshtatën për të mirëpritur këtë thesar kombëtar. Në inaugurimin e tij në vitin 1980, muzeu nisi me një staf të vogël, të gjithë restauratorë e specialistë, nën drejtimin e Avni Bilbilit. Ata, me përkushtim të jashtëzakonshëm, vendosën themelet e një institucioni që do të bëhej simbol i ruajtjes së artit mesjetar shqiptar.

 “Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar u vendos që të hapej në 1980 këtu në Korçë . lindi si domosdoshmëri për të lindur ky muze pasi ishte krijuar një fond mjaft i pasur me objekte të artit mesjetar. Këtu kam parasysh jo vetëm ikonat që bënin pjesën më të madhe të këtij fondi por dhe objekte drusore, metal, mermer apo dhe gurë që duhet të gjenin dritën e ekspozimit.” U shpreh për RTSH restauratorja, Tatjana Vinjau Caca,

Sot, pas 45 vitesh, Muzeu i Artit Mesjetar ndodhet në një godinë moderne dhe funksionale, e rihapur në vitin 2016, falë mbështetjes së Bashkisë së Korçës dhe Ministrisë së Kulturës. Në këtë hapësirë bashkëkohore, muzeu përmban mbi 8,200 objekte, nga të cilat më shumë se 6,400 janë ikona të ruajtura me kujdes në fondin e tij.

Ndërsa, shef i Departamentit të Pikturës në Universitetin e Arteve në Tiranë Prof. As. Dr. Mikel Temo u shpreh se “ ky është një nga muzetë më të rëndësishëm që ka sot vendi.  Është një nga muzetë  që përmbledh një pjesë të mirë të trashëgimisë kulturore përsa i përket artit bizantin dhe post-bizantin. Ky muze u ndërtua për të vazhduar kulturën e ruajtjes së këtyre vlerave të rëndësishme jo vetëm kulturore por dhe shpirtërore. Objektet janë sjellë nga i gjithë vendi dhe është një pasuri shumë e veçantë dhe për qytetin e Korçës.”

Nëpër gjashtë pavijonet e tij, vizitorët mund të shohin rreth 400 ikona të ekspozuara, duke përfshirë vepra të autorëve më të njohur të artit bizantin dhe pas bizantin shqiptar.  Objektet e tjera relike, tekstile, punime në metal, dru dhe gur, i japin këtij koleksioni një pasuri të veçantë.

Një rol të rëndësishëm në këtë institucion ka edhe Laboratori i Restaurimit dhe Konservimit, ku specialistë të kualifikuar punojnë çdo ditë për mirëmbajtjen dhe restaurimin e objekteve muzeale.

Përgjatë viteve, Muzeu ka qenë pjesëmarrës aktiv në ekspozita ndërkombëtare, konferenca shkencore dhe projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke promovuar artin mesjetar shqiptar edhe përtej kufijve të vendit. Po ashtu, Sektori Muzeal siguron eksperiencën edukative dhe ndërvepruese të vizitorëve, duke organizuar guida, aktivitete me nxënësit dhe ekspozita të përkohshme.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar që në hapjen e tij nga viti 1980 ka pasur si qëllim transmetimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të periudhës mesjetare përsa i përket vendit tonë. Muzeu ka një status kombëtar dhe e përfaqëson më së miri dhe denjësisht qytetin e Korçës por ndërkohë është për të gjithë Shqipërinë dhe rajonin.  Vlerat e tij janë të pakrahasueshme dhe patjetërsueshme” u shpre Drejtoresha e Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti.       

  Më shumë se një institucion ekspozues, ky muze është një urë lidhëse mes të shkuarës dhe të tashmes, një kujtesë kolektive që ruan me krenari identitetin kulturor të kombit shqiptar. Ai është cilësuar unik në botë nga ekspertët për numrin e lartë të ikonave që mbart në fondin e vet. Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar nuk është thjesht një vend ku ruhen vepra arti, është një dëshmi e gjallë e shpirtit krijues të shqiptarëve ndër shekuj.

/RTSH/

3 Komente

  1. s
    shallvaret e ramiut

    Kete titull duket e ka shkruar ndonje turkoshak, kur titulli i vertete i shkrimit duhej te ish: Muzeu kombetar i artit kishetar mesjetar.

    Përgjigjjuni
    1. G
      GJAURI

      CA MUZEU KOMBETAR ,,ME IKONAT E ORTHODHOKSEVE ,,,,PO QYLYMAT E XHAMIVE DHE TEQEVE ,,,I KENI NE MUZE ,,,

      Përgjigjjuni
      1. I
        Iliria dhe fiset ilirike.

        Ikonat dhe obiektet fetare jane pjese e kishes dhe Jo e muzeve, ato jane obiekte liturgjike. Kjo qe ndodh ne Shqiperi eshte e njejta politike si ne shqiperi ku me keto pretekste mbani peng pronat dhe obiektet fetare. Komunizem eshte ende ose me sakte nje tufe banditesh te politizuar.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje