Për këtë fundjavë, gazetari Namir Lapardhaja ka përzgjedhur për të rekomanduar për lexuesit e gazetës TemA esenë e Václav Havel, “Fuqia e të Pafuqishmëve”, një tekst kyç për të kuptuar mekanizmat e pushtetit që mbijeton përmes gënjeshtrës dhe konformizmit.
E shkruar në vitin 1978, në kulmin e represionit komunist në Çekosllovaki, eseja analizon jo ideologjinë si doktrinë, por mënyrën se si sistemi funksionon në jetën e përditshme, duke u mbështetur te bashkëpunimi i heshtur i individëve. Siç thekson Lapardhaja, Havel e zbërthen totalitarizmin jo si dhunë të hapur, por si një rend që kërkon vetëm ritual dhe simulim bindjeje.
Shembulli i famshëm i shitësit që vendos parrullën propagandistike pa e besuar atë shërben për të treguar se si “të jetuarit në gënjeshtër” e mban pushtetin në këmbë, ndërsa një refuzim i thjeshtë moral mjafton për t’ia çarë fasadën. Sipas Havelit, pushteti ka frikë nga e vërteta, sepse ajo i rrëzon legjitimitetin.
Edhe sot, kjo ese mbetet aktuale. Siç nënvizon Namir Lapardhaja, “Fuqia e të Pafuqishmëve” është një udhëzues për të kuptuar se si konformizmi dhe autocensura mund të prodhojnë bindje edhe në shoqëri që formalisht quhen demokratike. Mesazhi është i thjeshtë: pushteti i vërtetë nis aty ku individi refuzon të jetojë në gënjeshtër.