Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, prezantoi tre shqiptarë të suksesshëm në fushat e tyre, të cilët kanë ndjekur rrugë të ndryshme jetësore dhe profesionale.
Ndër të ftuarit ishte Erisa Kuçuku, psikologe dhe psikoterapeute, e cila ofron shërbime psikoterapie për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e jetës në mënyra më të shëndetshme dhe produktive. Ajo ka vendosur dijen e saj në dispozicion të disa nismave solidariteti shoqëror për ata që kanë nevojë për mbështetje, sidomos në ndihmë të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rama theksoi se “njerëzit më të fortë nuk janë ata që tregojnë forcë para botës, por ata që luftojnë dhe fitojnë beteja për të cilat të tjerët nuk dinë asgjë”.
Një tjetër i ftuar ishte Besart Papa, skulptor, i cili ngriti një muze arti në Tiranë kushtuar veprave të të atit, artistit Thanas Papa. Muzeu është i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe ruan rreth 250 punë të artistit, duke e kthyer hapësirën e dikurshme të atelierit të vitit 1958 në një institucion muzeal.
Kledis Rexho, violinist që jeton dhe punon në Francë, është i treti nga të ftuarit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas ka vijuar studimet në Francë, ku sot punon në Orchestre Philharmonique de Monte Carlo. Rexho ka shoqëruar solistë ndërkombëtarë si Frank Peter Zimmerman, Nathalie Dessay dhe Renaud Capuçon dhe ka performuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si Paavo Jarvi dhe Neeme Jarvi.
Ai ka publikuar projektin muzikor me soprano franko-amerikane Emilie Rose Bry, ku interpretuan së bashku “Margjelonë” e kompozitorit shqiptar Prenk Jakova, pranë Kullës Eiffel në Paris. A.K./TemA
Lini një Përgjigje