
Nga Feti ZENELI
E diela e 23 qershorit 2023 mblodhi dhjetëra besimtarë në festën përkujtimore të 100-vjetorit të Tyrbes së Baba Ismailit në Gëllavë. Dyertë e objektit të kultit qenë hapur qysh në orët e para të mëngjesit. Dhe besimtarët kishin filluar të dukeshin, po kështu, herët. Një pjesë vinin me kurbanët që kishin taksur në këtë ditë të shënuar. Pastaj, në radhë njeri pas tjetrit, ata ndiznin qirinj dhe kryenin ritet e tjera teksa hynin në Tyrbe, ku sigurisht u bënte udhë, drita e traditës bektashiane: “Të besosh është diçka e mirë, por të praktikosh besimin është akoma më mirë”. Kjo është drita e besimit, që njerëzit e këtyre anëve kanë marrë nga Perëndia, dhe ja kanë përcjell, pastaj, njeri-tjetrit për të ndriçuar rrugën e punëve dhe veprave të tyre të mira në jetë. Ja ashtu siç e përshkruan Naim Frashëri tek “Qerbelaja”: “Urdhëro, Zot’ i vërtetë!/ e më dërgo tatëpjetë/ engjëllinë krah-zjartë,/ fjalë-ëmbl’ e këmbë-artë.”…
BESIMTARËT DHE “BABALLARËT” E GËLLAVËS
Bektashizmi në Gëllavë, ashtu si në të gjithë zonën e Buzit apo dhe në vendin tonë, rrënjët e veta shumëvjeçare, po aq sa në truallin e kësaj treve, i ka të ngulura thellë në jetët dhe zemrat e njerëzve. Banorët e këtushëm, janë të privilegjuar bujarisht, jo vetëm nga Zoti, por dhe nga natyra. Pozicioni gjeografik ku ata lindin e rriten i jep statusin e një “kryevendi”, këtij fshati me histori e tradita të lashta. “Kokë, majë, kryevend”, ky është kuptimi i fjalës “Gëllavë”, dhe emri me të cilën u thirr pas dyndjeve sllave, ky territor urban i barazlarguar nga Mallkastra, Berati, Skrapari, Tepelena dhe Përmeti. Kjo ishte arsyeja, që në vitin 1928, Baba Murat Gëllava, me cilësinë e deputetit në Parlamentin Shqiptar, do t’u kërkonte organeve shtetrore të kohës, që vendlindja e tij të shpallej apo të caktohej qendër tregtare, pse jo dhe qëndër administrative për krahinat rreth e qark saj. Por nuk ja mbërriti dot ta bënte realitet, këtë projekt për bashkëfshatarët e tij, për shkak të ndarjes së papritur nga jeta.
I ndodhur në këto vende, natyra në çdo kohë të ofron pamje mahnitëse. Sidomos tani në kulmin e gjelbërimit. Lëndinat dhe livadhet, që u mbështillen nga të gjitha anët “Tre Çukave”, duken si të vendosura me dorë, dhe ashtu të lidhura harmonikisht, ndoshta duan të ngrihen në supet e tyre drejt qiellit, për të marrë e dhënë mesazhe shënjtërie. Po të ngjitesh sipër në këto maja, nga ku mund të shohësh në 360 gradë ishullin e Sazanin, qytetin e Fierit, Beratin, Kuçovën, Tepelenën, Memaliajn, Gjirokastrën, Delvinën, Sarandën, etj., të duket se, kur librat e shenjtë përmendin parajsën, përshkruajnë pikërisht këto vise. Nga këto lartësi, duke drejtuar vështrimin në jugperëndim, mund të vështrosh kurorën e shenjtë matanë Vjosës, dhe pasi çmallesh me të, hedh sytë në verilindje nga ku Baba Tomori të rrëmben në gji me pamjen dhe ndjesinë hyjnore. Lidhja shpirtërore e njerëzve të Gëllavës me tarikatin Bektashian është krijuar në bazë të bashkëjetesës së përhershme të atdhetarizmit dhe besimit në Zot. Nga të parët tanë janë përcjellë tek ne shembujt e figurave të nderuara, të cilët bënë sakrifica sublime në mbrojtje të lirisë dhe idealeve Bektashiane, përfshi dhe aktet e Ali Pashë Tepelenës, Kapedan Tafil Buzit apo vëllëzërve Frashëri.
Për të hyrë në thelbin e ngjarjeve të veçanta, përfshi edhe këtë të sotmen tek Tyrbeja e Baba Ismailit, gjithnjë duhet të ndjekësh rrugën e historisë. Dhe Gëllava në këtë aspekt është një “pus”, mijëra vite i thellë. Historia e saj daton qysh në shekullin e V-të pas Krishtit. Pak a shumë, i përket kohës së lindjes së Profetit Muhamed. Ky moment është thjeshtë një përkim historik, pa ndonjë ndikim të veçant në llojin e besimit të zgjedhur. Por historia e shkruar e këtij vendbanimi të lashtë është akomë më e vonshme. Përmendet si emër në një dokument pronësie të Peshkopatës së Ohrit, diku nga fillimi i shekullit të XI-të. Gjetjet arkeologjike të enëve qeramike, të qypave me monedha në Malas e Dautaj apo rrënojat në Coraj e Ajdinaj tregojnë se ky territor ka qënë i banuar qysh në lashtësi. Ndërkohë, objektet e kultit në Merdanaj dhe Ajdinaj, “Varret e Kaurit” në Coraj, “Shtëpia e Hasan Ngjelës”, “Vreshti i Gjonit” në Dautaj, “Fusha e Lekës”, etj., tregojnë se këtu, i pari, ka qënë besimi Kristian. Ndërsa gjurmët e besimit islam, janë më të vonshme. Sidoqoftë, bektashizmi u ul këmbëkryq në Gëllavë, duke e bashkuar në “një të vetme”, shërbimin ndaj Zotit me atë ndaj atdheut, sipas motos: “Pa atdhe nuk ka fe”. Janë 9 klerikë që ka nxjerrë ky fshat, midis të cilëve; Baba Murat Cenaj, ish deputet i Parlamentit Shqiptar të kohës së Zogut, Baba Qamil Gëllava, pushkatuar në vitin 1945, Baba Shefqet Mahmutaj, “Martir i Demokracisë”, pushkatuar në vitin 1948, që të dy nga regjimi komunist, apo Dervish Feimi, Dëshmor i Atdheut. “I dhjeti” ndoshta është Baba Medini, ndonëse me origjinë nga fisi Caushaj i fshatit Levan. Por ai u “birësua” me mbiemrin “Gëllava”, jo vetëm për kontributin e dhënë në teqenë e Baba Ismailit, po edhe në çështjen patriotike. Në kohën që ky Baba filloi shërbimin në teqe, kishte nisur dhe lëvizja antiturke në Kosovë, ndërsa në jug të vendit po ngriheshin çetat patriotike. Pjesë e tyre u bë dhe çeta e krijuar prej tij me 13 luftëtarë, për t’u tre-katërfishuar brenda pak javësh. Pastaj njihet me kërkesat e “Kuvendit të Gërçes”, merrë pjesë në “Kuvendin e Sinjës”, në mbledhjen e fshehtë të Mavrovës, takon Ismail Bej Vlorën, shfrytëzon miqësinë me Koço dhe Mihal Apostolin për të sjellë në vendin tonë librat në gjuhën shqipe, shtypur jashtë atdheut, bashkërendon aksionet patriotiko-luftarake me çetat e Çerçiz Topullit, Xhelal Koprënckës, Mihal Gramenos, Veis Sevranit, Kamber Velabishtit, Musa Hekalit, etj., përleshet me rrebelët e Haxhi Qamilit, lufton heroikisht kundër andartëve grekë, ku plagoset rëndë dhe ndërron jetë në Teqen e Zallit. Këto ishin disa aspekte të veprimtarisë së tij kleriko-patriotike në shërbim të kauzës së atdhetarizmit dhe idealeve bektashiane, që u bënë bazë e formulimit të motivacionit nderues: “Besë e bashkim për shpëtimin e Atdheut”, mbi bazën e të cilit, Princ Vidi, në vitin 1914, i akordoi Baba Medin Gëllavës, “Medaljen e Artë”.
Ndoshta dhe për akte të tilla, të shumëfishuar me numrin e fshatrave apo zonave ku shtrihet tarikati bektashian, ndodhet në vendin tone dhe Selia Qendrore e Bektashizmit. Thuhet se aspiratat nacional-patriotike, jo vetëm që janë zhvilluar, por dhe kanë filluar nga celulat e bektashinjëve. Ishte Naim Frashëri ideatori i modelit shqiptar të këtij sekti. Lexoni “Qerbelaja”, për të njohur Abaz Aliun, kush është në të vërtetë dhe ç’përfaqëson ai! Me që rrënjët i kishin si në Kuranin mysliman, ashtu edhe në Biblën e krishterë, bektashinjtë kishin mundësi ta shpinin përpara çështjen e forcimit të bashkimit rreth tyre të njerëzve të ndarë nga fetë e ndryshme. Të njëjtin mision ndoshta duhet të përmbushi dhe tani, kur njerëzit i ka përçarë politika. Domethënë, t’u mësojë, se si duhet të mbesin shqiptarë, pavarësisht, se për një arsye apo për një tjetër, kanë zgjedhur të përkrahin “X” ose “Y” parti. Po, para një “nisme” të tillë, duhet vetemancipim i asaj shkalle, që pushteti dhe politika, në asnjë rrethanë s’mund të meritojnë besim e adhurim “vendesh të shenjta”…
ALBERT MALAJ, SI BESIMTAR, POR DHE SI KRYETAR
Një nga besimtarët e minutave të para, që u shfaq duke kryer ritualin e faljes në Teqen e Baba Ismailit ishte dhe kryetari i ri i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj. Pastaj filloi t’i takoj me radhë të gjithë të pranishmit e mbledhur në sheshin para tyrbes. Dhe nuk është se u jepte kalimthi dorën, por rrinte pak çaste, me këdo që takonte. Të mos isha dëshmitarë i asaj çfarë bisedoi me Agron Iljazin dhe Arjan Zenelin, apo dhe i asaj çfarë i premtoi të riut Hasan Agaj, nuk do të kisha shkruar për të, pavarësisht fjalëve të mira, që kisha dëgjuar paraprakisht nga demokratë e socialistë.
Agroni është me origjinë nga Selckë e Vogël, kufitar me fshatrat e Skraparit, por banon prej kohësh në qytetin e Tepelenës. Sidoqoftë atje në fshat ka xhaxhain e vet, ka njerëz të tjerë të afërt. Por ka dhe prona të trashëguara, në të cilat do të investoj, së bashku me vëllain e tij, Zihniun, i cili prej vitesh punon emigrant në Greqi, por atje ka mbedhur kursime e ka vënë jo pak pasuri. Ndërsa Arjani banon në Selckën e Madhe, në fshatin fqinj me atë të Agronit, përveçse edhe puna si mësues e çon përditë në Selckën e Vogël. Shqetësimi i përbashkët i tyre ishte infrastuktura rrugore. Asnjë investim i bërë në këtë drejtim në vitet e Demokracisë, me përjashtim të një ure të ndërtuar mbi lumin e Shalësit që ndan këto dy fshatra, në mandatin e kryetarit të mëparshëm Gjolek Guci. Por kjo është një urë pa rrugë lidhëse në të dy krahët e saj. Sidoqoftë nuk është një “urë pa lumë”, dhe në fund të fundit, u vjen në ndihmë atyre pak banorëve që mbijetojnë përmes vështirësish pa fund në ato zona të largëta, në kohë rreshjesh kur lumi bëhet i rrezikshëm. Deri në Selckë të Madhe mund të shkohet me mjet, natyrisht në kohë të thatë, por në Selckë të Vogël është tërësisht e pamundur. Madje siç tregonte Agroni, për një urgjencë shëndetësore që kishin patur atje në fshat, kishin marrë rrugët e fshatrave të Skraparit e Beratit, për të dalë në Poliçan. Por në mot të lagësht edhe rruga e Selckës së Madhe bëhet e pakalueshme.
Më erdhi mirë, që kryetari i Bashkisë e njihte këtë problematikë, që gjë kuptohej fare lehtë nga mënyra e bisedës së tij. E njihte, jo nga çfarë shkruanin e tregonin të tjerët, por nga ajo që kishte parë me sy e shkelur me këmbë gjatë fushatës. Nuk kishte lënë shtëpi pa shkuar e njeri pa takuar në ato dy fshatra. Midis tyre edhe Kaso Iliazin, xhaxhain e Agronit. Njëkohësisht u kishte premtuar, se punën me rrugët e fshtarave do ta niste nga periferitë në qendër. Kësisoj, dy Selckat do të ishin të parat që do të përfitonin nga investimet e kësaj natyre. Dhe nuk bëhej fjalë vetëm për rrugët kryesore të fshatrave, po dhe për ato të lagjeve të tyre. Natyrisht, edhe duke bashkuar kontributet e shtetit dhe kominitetit. Selcka e Vogël ka dhënë shembuj të mirë në këtë drejtim, nëpërmjet emigrantëve të saj për investime komunitare, si ato për rrethimin e varrezave të fshatit, ndërtimin e një banese për një bashkëfshatarin e tyre, etj.
Alberti nuk kishte më shumë se 24 orë që kishte marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit, dhe sërish ishim në kuadrin e fjalëve dhe premtimeve, por nga mënyra e bisedës kuptohej qartë, që kishim të bënim me një fjalëmatur, premisë kjo për fjalëmbajtje.
Teksa po bisedohej rreth këtyre çështjeve kolektive, do të thoshim, kryetarin e takon një djalë i ri, Hasan Agaj, quhej. Para 5-6 muajësh, ai kishte humbur babain nga një sëmundje e pashërueshme; 4 vite më parë kishte humbur dhe nënën. Bashkë me me vëllain e motrën, mbetur të tre pa babë e pa nënë; pra mbetur pa mbështetje. E pra, ku tjetër mund të kërkojnë mbështetje, përveçe tek shteti, që na rastin konkret ka fytyrën e kryetarit të bashkisë?! Kjo bisedë ja mbushi fytyrën me trishtim, por përgjigjia që i ktheu Hasanit e mbushi këtë të fundit me shpresë e besim.
Qëndroi të paktën 10-15 minuta në bisedë me këta tre persona, që përfaqësojnë dy fshatra të Krahinës së Buzit, nga më të varfërat dhe më të papërkrahurat në Shqipëri. Por kjo zonë ka plotë 28 fshatra, njëlloj të varfëra dhe plotë probleme të tjera social-ekonomike, si dy Selckat e Gëllava. Pastaj u zhvendos tek nje grup tjetër njerëzish, ndoshta për ta vazhduar biseda të tilla me halle e shqetësime njerëzish në vështirësi, sidomos për shkak të mungesës së vazhdueshme të investimeve publike në infrastukturën rrugore. Kjo ishte aryseja që pronari i Vila Sofia, Hetem Barjami, ka investuar gati 100 mijë euro nga fondet e veta për rehabilitimin dhe shtrimin pjesërisht me asfalt të segmentit rrugor nga vendi i biznesit deri në Buz Qendër. Po të kthehemi tek Alberti. Aq pak kohë sa isha i pranishëm në bisedat e tij të mësipërme, më mjaftoi për të kuptuar, si ai kishte ardhur aty, jo për të përsëritur rëndom premtimet e tij të mëprashme, por për t’i bekuar e shënjtëruar ato në këtë ditë të shënuar të besimit bektashi. Nga ana tjetër, konstatova se ishte mjaft mirë i informuar edhe për situatën e objekteve të kultit dhe vendeve të shenjta në territorin që përfshin Bashkia Memaliaj. I kishte ngelur merak që nuk kishte mundur të ndiqte festën e përvitshëme të Teqes së Kiçokut, që zhvillohet çdo 20 Maj, për shkak se ende nuk ishte mbyllur plotësisht proçesi i çertifikimit zgjedhor.
SHOQATA “TAFIL BUZI”, SI PROMOVUESE E TRADITËS BEKTASHIANE
Pjesë e festimeve të 100-vjetorit të Tyrbes së Baba Ismalit ishte dhe një përfaqësi e Shoqatës “Tafil Buzi” nga fshatra të ndryshëm të krahinës me të njëjtin emër, ku bënë pjesë dhe Gëllava, e kryesuar nga zv/Kryetari, Roshi Ajdini. Ridimensioni i rolit të saj në misionin e bashkimit të të gjithë buziotëve kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit, pa dallime partiake, rreth një qëllimi të përbashkët, duke njohur, studjuar, mbajtur gjallë dhe propaganduar traditat, zakonet, folklorin, patriotizmin e shumë vlera të tjera social-kulturore të kësaj treve, ka njohur, këto muajt e fundit, një qasje të re edhe në marrëdhënjet e saj me komunitetin bektashi të zonës së Buzit, e cila mund të konisderohet, pa frikë, si vatra e Bektashizmës Shqiptare. Kjo është arsyeja që shpesh herë pjesë e aktiviteve promovuese, propoganduese dhe festive të kësaj shoqate janë bërë dhe klerikët bektashinjë të zonës së Buzit. Nga ana tjetër, në faqet e gazetës “Trebeshina”, botim periodik i Shoqatës “Tafil Buzi”, duke filluar nga janari i këtij viti, nuk ka numër ku të mos ketë shkrime me një temë të tillë. Konkretisht, në numrin 67, që i përket muajit janar 2023, është botuar shkrimi “Ruani dorëshkrimet e mia. Rroftë Shqipëria!”, kushtuar Baba Ali Skëndit, i njohur ndryshe si Baba Ali Tomorri, i cili u pushkatua nga regjimi komunist në vitin 1948, së bashku me Baba Shefqet Gëllavën, Zenel Shehun, Atë Gjergj Sulin, Syrja Vasjarin, etj. Në numrin e radhës, dalë në shkurt të këtij viti është publikuar një shkrim i mikut të Shoqatës, mësuesit dhe intelektualit Kalivaçiot, Naim Dëra më titull: “Bektashizmi në Trevën e Buzit dhe Teqeja e Gëllavës”, i cili vijoi edhe në numrin 69, të muajit mars. Po kështu në numrin 70, të muajit prill janë botuar dy shkrime me këtë temë, i pari nga Shefqet Bakiaj: “Komari më doli në ëndërr, jo Tirana”, me rastin e 143 vjetorit të lindjes së Baba Xhelo Komarit dhe i dyti: “Mirësitë dhe begatitë e muajit të Ramazanit”, shkruar nga Fatmir Ajdini, kryetar i degës së Shoqatës “Tafil Buzi”, Lushnjë. Në numrin 71 të muajit të kaluar është shkruar për “Teqen e Kiçokut”, e cila çdo 20 maj mbledh rreth saj besimtarë të shumtë nga Krahina e Buzit, por dhe nga krahina të tjera fqinjë, si Përmeti, Skrapari dhe Berati. Ky shkrim është shoqëruar edhe me një krijim në vargje të Syrja Kalemit, kryetar i shoqatës “Tafil Buzi” në Dimal: “20 Maji i Kiçokut”.
Ky bashkëpunim i nisur, shpresoj të njohi zhvillime të reja në të ardhmen. Është një bashkëpunim në misonin e përbashkët për ruajtjen e traditave më të mira të zonës, ku përfshihet dhe tradita e besimit bektashian. Siç ndodh normalisht në raste të tilla të bashkimit të burimeve dhe mundësive, edhe përfitimi është i dyanshëm.
“KURANI” DHE “BIBLA” E VILA SOFIA
Kishin kaluar gati dy orë që kur mbërritën dhe kryen ritet përkatëse besimtarët e parë në Teqen e Baba Ismailit. Petrit Cenaj, nga fisi emërmirë i Baba Muratit, që kujdeset për Tyrben, ishte mikëpritësi i parë, por dhe organizator i kësaj feste. Kryen ritet edhe klerikët e teqeve të tjera, që merrnin pjesë aty, të prirë nga Baba Faiku. Pasi u bënë falënderimet dhe përshëndetjet e rastit, të gjithë të pranishmit u ftuan për drekë, të organizuar tek Vila Sofia, ku festa shënoi kulmin e saj. Sepse këtu hyjnorja kishte zbritur në tokë, ku si Zotit të qiellit, duhet t’i faleshin dhe Zotit të punës. Besimi është një lloj tradite, por jo para punës. Në një farë kuptimi, puna është historia dhe tradita evoluimit të shpirtit, por dhe e vetë qënies njeri. Pastaj, për çfarë u lutën e u falën atje në Tyrbe, besimtarët? Sigurisht për gëzimin e shpirtit të tyre! Një shpirt që nuk rri thjeshtë pasiv brenda trupit, por shpërthen në përqafime, buzëqeshje, në lot malli, në artikulime urimesh; por dhe në shpresë e besim që tejkalon momentin e bëhet pjesë e së ardhmes. Kur vjen tek Vila Sofia, të gjitha këto cilësi shpirti kanë emrat: Hetem dhe Natasha Barjami. Në saj të shpirtit të tyre mikpritës, vlerave të fisnikërisë që mbartin e përcjellin, ata e kanë shndërruar bujtinën “Vila Sofia” në një objekt kulti e besimi, ku “Kurani” dhe “Bibla” shkrihen në një libër të vetëm, në një doktrinë. Është doktrina e mirëpritjes dhe mikpritjes, që mbase zanafillën e ka në traditën e lashtë se vetë historia mbi 1500-vjeçare e Gëllavës. Por është edhe doktrina e punës dhe prodhimeve cilësore, ku natyra dhe dora njerëzore bashkojnë forcat. Ja pse familja mbretore shqiptare gjatë gjithë kohës vinte e merrte mjaltin, këtu në Corraj të Gëllavës. Ndoshta dhe çajin e malit apo sherebelin. Ka të paktën 2-3 vite, që këtu tek “Vila Sofia”, mikpritja përbën një realitet të prekshëm, të veshur me një cipë gati hyjnore. Nëse perifrazojmë shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare, këtu bëhet “…përpjekja për të shndërruar në një gjysëmhyni njeriun më të zakonshëm, mjafton që ai të…” marrë udhën e “të trokas” në derën e kësaj “shtëpie” bujare. “…Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia…”, thotë Naim Frashëri tek “Bagëti e Bujqësi”. Madje, “që nga ana e anës”, siç thonë në këto zona. Vizitorë nga Majorka e Spanjës, gjetëm atë ditë tek “Vila Sofia”. U miqësuan shumë shpejt me “mysafirët” e festës bektashiane, u bënë pjesë e gëzimit dhe dëfrimit të tyre, duke kërcyer së bashku, nën ritmin e melodive të valleve popullore. Harruan se kujt feje i përkisnin; pinë raki e ngritën dolli, si “bektashinjë” të vërtetë. Po dhe ndonjë fjalë shqip, nuk e lanë pa mësuar.
Po shkon tek tek 3500-a numri i vizitorëve të huaj tek “Vila Sofia”. Vetëm 4-5 muajt e fundit është shtuar 500 prej tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për turist të zakonshëm, nga vende rreth e qark Shqipërisë, po për turistë cilësorë, kryesisht nga vendet perëndimore, si; Amerika, Zelanda e Re, Brazili, Alaska, Hollanda, Danimarka, Gjermania, Franca, Austria, Italia, Zvicera, Suedia, Belgjika, Finlanda, Norvegjia, etj. “E pëlqejnë shumë natyrën e zonës; relievin, pyjet, bimësinë, produktet bio, ajrin e freskët me “0” lagështi…”, thotë Hetemi me modesti. Por dhe mikëpritja e veçant që u rezervohet këtu, si me kushte akomoduese dhe cilësi gatimesh, ka rolin e vet.
Tradita e mikpritjes tek “Vila Sofia” lidhet ngushtësisht me karakterin e vet “të zotit të shtëpisë”, ku nderi dhe faqja e bardhë janë parime të rëndësishme të jetës së tij. Kështu ka qënë tërë jetën, në çdo punë që ka kryer. E vija re shqetësimin e Hetemit për t’i kënaqur në mënyrën më të mirë të mundshme “mysafirët” bekatashian, shumica e të cilëve ishin bashkëfshtarët e tij. Sepse realisht kishte shumë pjesëmarrës dhe kapacitetet pritëse janë të limituara, pavarësisht investimeve për zgjerimin e tyre të ndërrmarra në muajtë e parë të këtij viti. Dhe kur u sigurua, se shërbimi do t’i ofrohej në mënyrë të barabartë e të përpiktë çdokujt që merrted pjesë në këtë drekë, u ul të festonte e gëzonte bashkë me të tjerët...
Gezuar myslymanet shiit ,,,bektashinj Bajramin e Madh ,,,se dita e Ashures ishte mbas muajit te Ramazanit ......
...mashtruas qe kerkonin mish e raki nga injorante. Pyet mamane tende da here shkonte tek dervishi. Ptuuuuuu bastarde qe edhe kulturen pellagjike labe doni ta njollosni me fene e nje evgjiti nga iraku.