“Nga religjioni tek letërsia”, për librin e Shaban Sinanit “Antropologji e religjionit”

22 Korrik 2024, 14:40Kulturë TEMA
“Nga religjioni tek letërsia”, për librin e Shaban Sinanit

Nga Prof.Dr. Josif Papagjoni

Në kolanën e monografive mbi antropologjinë kulturore, e konceptuar në katër njësi monografike: “Antropologjia e identitetit”, “Antropologjia etnojuridike”, “Antropokulturë e antropogjuhësi” dhe “Antropologjia e religjionit”, veçova këtë të fundit për faktin e një lidhjeje më të drejtëpërdrejtë me letërsinë shqipe.
Vepra dhe mendja e studiuesit shkojnë fill te burimet dhe vijnë prej andej në një formë mbushamendëse. Skeptri i tij është autoritar, veçse jo dogmatik. Ja, kam në duar një strukturë argumentimi e vlerësimi që më bind në idetë e shqyrtuara, në ato që janë mish e kockë shqiptare; më tutje shijoj të shkruarit, një shqipe e krehur që i rri hijshëm argumentit. Dhe, mbi të gjitha, cilësia e të menduarit, e cila është e tëra dhe mirëfilli një hipostasi estetike e filozofike se si koncepti religjioz gjen hapësira në vetëshprehjen etnike e në letërsi, si transcedentohet dhe si shndërrohet në një idiolekt të shumëfishtë.
Libri është konceptuar në dy pjesë, në dukje si më vete e të largëta, por saora ti sheh se ato janë konvergjente dhe ushqejnë njëra-tjetrën, sidomos pjesa e pare - të dytën. Në nyjat e para antropologu Shaban Sinani epohet kah historiani dhe deri diku kah teologu i religjioneve sunduese në Shqipëri, filluar qysh nga kumtimet apostolike të priftit të madh Shën Pal në brigjet e Ilirikut.
E cilat janë këto të vërteta që duhen rinxjerrë nga arkmortet e historisë dhe të rilexohen, të riinterpretohen? Të parët janë kodikët e Beratit. Unë e di se Sh. Sinani është nga njohësit më të mirë të tyre. Para se Pierre Batiffol të vizitonte Beratin dhe të binte në kontakt me dy kodikët e praruar Beratinus-1 (shek. VI) dhe Beratinus-2 (shek. IX), duke shkruar të parën monografi kushtuar tyre më 1886, duhet thënë se historia kishtare si pjesë e historisë së qytetërimit iliro-shqiptar ka shumë dëshmi, të cilave studiuesi u kushton vëmendje në kontekstin e një parahistorie, sidomos për të nxjerrë në pah ngjarje dhe të dhëna domethënëse.
Dekodimi që studiuesi u ka bërë shenjimeve të dy kodikëve të Beratit, pos mprehtësisë së hulumtimit dhe ngulmit për të dekriptuar gjithçka, nënkupton sakaq njohuritë e tij të thella në historinë e Krishterimit, Shkrimeve të Shenjta, paleografisë, epigrafisë dhe shkollës shqipe të shkrimit. Në formë shpjegimesh e ndërhyrjesh në qasjen që autori u ka bërë dy kodikëve në nyjën përkatëse të librit, sillet historia e shkrimit të tyre, ekspozimi në 2000-vjetorin e Krishterimit në mjediset e Vatikanit, njohja e vlerave unikale si trashëgimi e kulturës shqiptare dhe gjerazi në trashëgiminë botërore. E gjitha kjo vjen përmes një emocioni të përmbajtur prej autorit, i cili ishte aktor në këtë ekspozim me njohje ndërkombëtare.
Në nënkapitullin “Et pluribus unum”, një nga nyjat që e dimensionon dukshëm brendinë e librit, autori shtjellon me një qartësi që nuk lë dyshim dukurinë unikale të konvergjencës fetare ndër shqiptarë, një fenomen ky aspak i shfaqur përjashtimisht nga prania e faktorit të ri kulturor dhe religjioz në Ballkan në shekullin XIV, pra, nga pushtimi osman dhe feja myslimane që u transportua aty. Toleranca ka qenë veti e brendshme e të sjellurit të shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm pasojë, të themi e skizmës së madhe të Krishterimit dhe “Vijës së Teodosit”, çka rezultoi, siç dihet, me ndarjen e trojeve tona në dy administrime të ndryshme.
Vetëm nga çka sheh te kodikët shqiptarë që nga shekulli IV e deri në shekullin XV vërtetohen pikërisht shpirti ekumenik dhe afeksionet e matura të shqiptarëve ndaj besimeve alternative të Krishterimit, fakt që flet për konvergjencën dhe ekumenizmin e tyre si vetëdije ekzistente dhe në pjekje,
Të një rëndësie të jashtëzakonshme ishin pesë nismat e Papa Clemente XI për njohjen e arbërorëve, dikur të quajtur ilirë, epirotë e maqedonë. Kjo nyje, përveç spërndritjes dokumentare, ka dhe shumë kureshtje. Vjen si një apel për të rrëmuar më tej në arkivat e Vatikanit. Ende nën tymtajat e injorimeve, mosnjohjeve dhe konvertimeve, pesë nismat e këtij Pape të iluminuar rreken ta nxjerrin nga pluhuri i harresës kombin shqiptar.
Pjesa e dytë e librit përqendrohet në raportin midis letërsisë shqipe me Shkrimet e Shenjta. Nuk mund të thuhet se në studimet tona kjo temë është e virgjër, e pacekur nga autorë e studime të tjera, madje dhe në libra. Fjala është te mënyra e të këqyrurit. Sidomos mprehtësia për të nxjerrë në spikamë përqasjet, që nuk lidhen thjesht me subjektet e veprave dhe shtysat e tyre, as vetëm me simbolikën, lëndën mitologjike dhe metaforat biblike, të cilat risemantizohen në realitetin e fundmë shqiptar, posaçërisht dhe në atë letrar si të tillë. Fjala tanimë është për një vështrim të përimtuar, që shkon te zanafillat, zbulesat, kuptimet e fshehta dhe pushteti riciklues i universales, sikundër edhe një pranëvënie tekstesh të përkthyera siç bëhet me “Canticum Canticorum” (“Kënga e këngëve”), ku realizohen pranëvënie që nga Buzuku të “Meshari” i tij, mëpastaj te përkthimi kanonik i Dom Simon Filipajt, ku ka pak sensualitet, dhe te versioni i shpenguar i Mitrush Kutelit, ku ky sensualitet është më aktiv.
Në leximin ndryshe të poezisë së Nolit mendimi prijës i Sh. Sinanit cytet nga ideja se ajo nuk mund të identifikohet më si dukuri e retorizmit të kulturës apo thjesht si mjet i revolucionit. Klisheja këtu thyhet. Sipas tij, duhet tejkaluar “mënjanimi i heshtur i Nolit, duke ua kufizuar leximin vetjak poezive të tij; duke i shmangur prej receptimit mirëfilli estetik e duke programuar në vend të tij një lexues të gatshëm për lexim retorik, oratorik e doktrinar; ose duke ua paracaktuar rrugën e komunikimit të tyre si poezi të shkruara për dëgjim; duke mos ia njohur njeriut politik të drejtën për të pasur një un poetik të tij”.
Pikërisht në këto pesë qasje, studiuesi argumenton dhe propozon që poezia e Nolit të lexohet ndryshe, jo në mënyrë njëlinjore, as si “dukje e parë”. I kujdesshëm në gjetjen e ekuilibrit ai propozon që shpërfillja e kontekstit social, njësoj sikurse ngujimi brenda një subjektiviteti ekstrem, duhet të shmangen që të dyja. I kthjellët dhe gjegjësisht dioptrisë estetike, studiuesi ngulmon se “Albumi” i Nolit nuk mund të interpretohet fatalisht i lidhur me kontestualizimin e qenies së tij si kryeministër i qeverisë së dalë nga i ashtupërcaktuari “revolucioni i vitit 1924” apo nga kinse prirja e tij drejt së majtës politike dhe kinse simpatia për bolshevikët. Ky është produkt i qasjes politike, jo i së vërtetës. Veçanërisht poezitë biblike, shkruar në harkun kohor 1926-1932, paçka se asociacionet dhe alegoritë lidhen pazgjidhshmërisht me realitetin shqiptar të kohës dhe ndjeshmëritë e saj politike, nga ana tjetër ato kanë brenda shpirtin, rrumbullakësinë dhe ontologjinë e tyre, tashmë si poezi, si struktura mentale, si flukse ndjesore, përputhur kodeve poetike.
Kësodore cikli biblik i vjershërimit nolian përfton karakterin e merituar mbikohor, universal, vjen si bulb poetik zanafillor, duke tejkaluar ngjarjet konkrete politike të Shqipërisë dhe të vetë Nolit si personalitet i kohës. Ato shkëputen vetiu prej konteksteve revolucionare, shpesh të sforcuara, dhe gjykimi e vëmendja e lexuesit adresohet drejt konteksteve të mirëfillta semiologjike të “leximit të parë” dhe të “rileximit në kohë”. Kjo nënkupton pikërisht marrëdhënien ndërvepruese midis leximit kontekstual me leximin mbikohor a ndërkohor.
Studimi, ndofta, më i bukur, më interesanti, më origjinali, më i frymëzuari dhe më dijesjellësi i këtij libri, sipas meje, është ai kushtuar poezisë së Migjenit, tek i cili unë gjeta përkitje të vetvetes, por dhe një tjetër sy, që ma ngopi njohjen dhe kureshtjen. Poeti shihet tanimë përtej klishesë së dikurshme të studimeve tona si një “ateist”; përkundrazi poezia e tij vjen e kushtëzuar dhe e lidhur së brendshmi me tekstet biblike-ungjillore: “në shkallën strukturore, në atë mitologjike dhe kulturologjike, në prozodi e metrikë, në tipologjinë e figurës, në nivelin e shembëlltyrës, motivit, tematologjisë, në leksik e idiomatikë, në të gjitha shkallët e ndërtekstorësisë, duke përfshirë atë të citimit me protokoll, si në shkrimin akademik”.
Sinani e thyen korracën e njëhershme aksiologjike ndaj poetit, e cila e pat paraqitur vetëm si zëdhënës të protestës dhe rebelimit, denoncues të varfërisë dhe mjerimit, frymëzues të revolucionit, kriticizmit dhe antikonformizmit, demaskuesit të fesë, klerit dhe monarkisë, gjer dhe si pararendës të realizmit socialist. Të tjera profile, hapësira e ngjyra bujtin në vetëdijen analitike të tij. Ndikimi i Niçes në konceptimin e Perëndisë është i pranishëm në veprën e Migjenit. Ai e bën të heshtë a ta vdesë Perëndinë, por pa e mbyllur në manastir, as si Niçja në muze. Ai ishte përkrahës i Mbinjeriut, jo si pushtet politik absolut, por si strukturë mentale iluministe, që epohet ethshëm kah liria. Migjeni ishte një shkrimtar “outsider”, para së gjithash në raport me rrymën letrare franceskane dhe atë jezuite; ca më pak ai mund të ishte një “shpirt sllav që flet shqip” (Arshi Pipa). Poeti nuk ishte ateist, ai e identifikonte Jezusin jo aq si Mesia sesa “si i vetmi i krishterë që u kryqëzua në kryq”. Pra si misionar dhe i flijuar për njeriun, siç dhe poeti kërkonte ta ngrinte nivelin e vet në këtë rang e mision, domethënë në rangun e “Mbinjeriut mesianik” si një “fe” e re, dhe jo në rangun e një “Zoti klasik”.
Mittemat e poezisë migjeniane kanë bulbe të Biblës dhe ungjijve. Në këtë rrafsh sa të rrëshqitshëm aq dhe të vërtetueshëm (falë komparacionit), studiuesi realizon përqasje sfindante midis “Vargjeve të lira” dhe Shkrimeve të Shenjta, duke i kundruar ato në shkallë strukturore, konceptuale dhe të karakterit sinoptik, në atë të mitit, të subjektivitetit të autorit, të prozodisë dhe të metrikës; më tej të pragmatikës, të ndërtekstualitetit, në shkallën e motiveve, e gjedhes figurative, e një leksikoni gjuhësor. Duke u futur e gjithë poezia në këtë shoshë analitike, selektuese, disiplinore dhe sërenditëse, tanimë shtjellimi i Sinanit bëhet më konkret, kap bulbe referenciale mbushamendëse për çdo nyje, duke gjetur afëri dhe pikëtakime të vargjeve, figurave dhe ideve me konceptet dhe shembëlltyrat burimore biblike. Të gjitha këto pasohen me shpjegime dhe shëtitje nëpër literaturën e gjerë kritike e studimore,
Me shkrimin kushtuar raporteve midis Biblës (Great Code), si kulturë kozmike imperiale dhe letërsisë popullore shqiptare, si kulturë bazike etnopsikologjike, posaçërisht eposit të kreshnikëve, autori rreket të hedhë dritë në ngjashmëritë, lidhjet e pranëvëniet mes tyre, motivet dhe figurat, duke respektuar strukturat ngjizëse, kohore e hapësinore të njërës ndaj tjetrës. Fillimisht ai operon me tezat e më pas kalon në gjasa konkrete; vë re tre elementë ku mund të gjenden afëritë: “ringjallja, shenjtërimi i sakrificës dhe heroi me fuqi mbinjerëzore e një dobësi të fshehtë”. E gjitha kjo lëndë përqaset me sivëllezërit e arealit ballkanik, ecejaket më tutje në tatëpjetat e eposeve të njohura botërore, duke u kredhur edhe më tej në kohë, te zanafillat mitologjike, pagane e të parakrishtera. Lënda poetike e sjellë si përqasje me arealin biblik “Code of Codes” krijon ca dëshmi interesante, të cilat, edhe pse në fillesa, kërkojnë studime më të thelluara nga autori nesër, a nga të tjerë, për t’i hequr velin një pronësie rapsodike që i bën nder hershmërisë etnike të shqiptarëve.

*Marrë nga ExLibris

Lini një Përgjigje