Një formë lobotomie

11 Korrik 2025, 20:58Kulturë Ardian Vehbiu

Në një editorial botuar këto ditë në Le Monde Des offensives anticlimat aux remises en cause de l’Etat de droit, la montée des mensonges officiels signe le retour d’une logique stalinienne »), Philippe Bernard përmend një vlerësim të liderit demokrat amerikan dhe guvernatorit të Californisë Gavin Newsom, sipas të cilit sot elektorati nuk ndahet më mes një të majte dhe një të djathte, por mes atyre që u besojnë “shkencëtarëve, ekspertëve dhe autoriteteve” dhe atyre që kontestojnë gjithçka, nga vaksinat tek agresioni rus në Ukrainë. Kjo vërejtje, thotë Bernard, vlen edhe për Europën: turmat kudo janë gati të duartrokasin mistifikimet.

Ajo që ka parë Newsom-i, dhe që më tingëllon shumë afër së vërtetës, do të përfaqësonte një përmbysje dramatike të dallimeve tradicionale mes së majtës dhe së djathtës, sa kohë që tani – edhe në SHBA edhe në Europë – janë trashëgimtarët e së majtës që deklarohen në mbrojtje të institucioneve, të ekspertizës, të shkencës, të autoritetit të dijes, çfarë ka qenë dikur karakteristikë e së djathtës; ndërsa e djathta (të paktën e djathta populiste), është ngritur kundër autoritetit, duke vënë në dyshim deri edhe arritjet më elementare të dijes dhe të shëndetësisë publike.

Madje prirja sot është në rritje, që qytetari, në Perëndim, të mos u besojë më autoriteteve publike. Përgjegjësinë për këtë e ka sa përdorimi madje shfrytëzimi i dijes dhe i institucioneve të pavarura nga politika, për interesat e veta të ngushta; aq edhe revolta anti-elitare e masave, që kanë gjetur zërin e tyre në Internet; dhe një kontaminim i trurit dikur racional të njeriut “oksidental” nga teoritë e komplotit dhe paranoja të tjera, në rrethanat e rënies së alfabetizimit funksional dhe lulëzimit të rrjeteve sociale.

I shkruaj këto sepse shenja të kësaj dukurie nuk mungojnë as te ne, ku kriza e besimit ndaj autoritetit thellohet me të njëjtat ritme si edhe aksesi i gjerë online dhe dominimi i opinionit publik nga mass media si televizionet komerciale dhe portalet, përgjithësisht të nivelit intelektual shumë të ulët. Një faktor tjetër, që ndikon te kjo dukuri sa i përket publikut në Shqipëri, është mungesa e një rezerve të mjaftueshme “racionalizmi”, te brezat e keqedukuar dje me propagandën totalitare dhe sot me metodat gjysmake të shkollës pas 1990-ës.

Në çdo tavolinë që të ulesh në Tiranë, të thonë se ajo që ti di (që “kujton se di”) nuk ka të bëjë me të vërtetën; dhe pastaj të shpjegojnë teorinë përkatëse të komplotit, të cilën e kanë mësuar nga portale të nivelit të tretë, por që i kanë besuar, ngaqë u ka konfirmuar gjëra për të cilat ata vetë kanë dyshuar. Nëse edhe ti mendjehapuri je gati të besosh se narrativa që sjellin mediat e afërta me pushtetin, është e ndërtuar jo mbi bazat e së vërtetës, por për të përligjur pushtetin; sikurse narrativa që sjellin mediat në opozitë me pushtetin është e ndërtuar, edhe ajo, mbi argumente “ad hoc” që duan të diskreditojnë dhe të rrezojnë pushtetin, sërish ka diçka që nuk shkon, te bindja se gjithçka që i rrëfehet publikut shoqërohet me një kundër-narrativë, e cila i shërben së vërtetës; në kuptimin që edhe kjo bindje tingëllon si të ishte ajo vetë teori komploti.

Përgjithësisht, askush prej nesh nuk mund të thotë se shkolla e ka përgatitur për t’u orientuar në një botë komunikimi të sunduar prej mass mediave; dhe jo vetëm prej nesh të shkolluarit në Shqipërinë totalitare, por edhe të tjerëve, të shkolluarve në perëndim.

Në vështrim të parë, duket sikur mediosfera është organizuar sipas një parimi pluralist; kudo gjen gazeta, televizione, radio të ndryshme, publike dhe private, të majta dhe të djathta, fetare dhe laike; Interneti është pluralist me përkufizim; si kurrë ndonjëherë qytetarët e vendeve që pretendojnë të jenë demokratike janë në gjendje të zgjedhin, virtualisht, midis mijëra burimeve të informacionit, madje edhe t’i qasen së vërtetës në rrugë krahasuese. Megjithatë, ka autorë si Farhad Manjoo (në librin True Enough) që prapa këtij pluralizmi shohin rrezikun e segmentimit social, në kuptimin që po ajo teknologji e cila po e bashkon botën në një fshat të vetëm global, po i ndan mendjet nga njëra-tjetra.

Gjithnjë mund të pyetet se si po e përpunon sot informacionin publiku shqiptar, si i interpreton provat dokumentare në një botë të mbytur me video, foto dhe regjistrime zanore; dhe si vendos kujt t’i besojë, në një mjedis ku, për çfarëdo lloj pikëpamjeje, gjithnjë do të gjendet një ekspert (“ekspert”?) që ta mbrojë me shifra dhe argumente prej “eksperti”.

Sot ne kemi jo vetëm opinione të ndryshme, thotë Manjoo, por edhe perceptojmë fakte të ndryshme. Gjithnjë e më shpesh, nuk diskutojmë mes nesh për çfarë duhet bërë, por për çfarë po ndodh. Shkencëtarët politikë e përkufizojnë epokën tonë si të polarizimit të madh; por tani partizanía po nis të na përçudnojë deri edhe perceptimin e realitetit, për të na bërë të dyshojmë se çfarë është reale dhe çka reale nuk është.

Por në Shqipëri unë kam vënë re shpesh edhe diçka tjetër, të rrallë: bashkëjetesën e narrativave dhe bindjeve të kundërta, tek i njëjti person; i cili, sa për të sjellë një shembull, shpie të vaksinojë fëmijën kundër fruthit në mëngjes, dhe pastaj ulet në mbrëmje në kafe, të ndjekë konspiracistin e radhës në TV dhe të bubullijë edhe ai kundër vaksinave; ose që merr rregullisht në mëngjes barnat kundër tensionit të lartë, që ia ka dhënë mjeku, dhe pastaj të shpjegon ty se “big pharma” synon që të reduktojë popullsinë globale; dhe ai i treti, që e ka kaluar COVID-in dhe madje është mjekuar duke siguruar 6 kokrra paxlovid me njëmijë mundime, por pastaj thotë se COVID-i nuk ekziston; dhe ai i katërti që thotë se mjekët e kanë mendjen vetëm te leku, por që pastaj ofendohen rëndë, kur mjeku nuk ia pranon shpërblimin e ekzagjeruar, që ky ia lë me zor mbi tryezë.

Nuk ka dyshim se shoqëritë teknologjike u kërkojnë qytetarëve që të besojnë pa verifikuar; sepse ti, edhe po të duash, nuk je në gjendje të verifikosh vetë sa e sigurt është vaksina anti-Covid e Pfizer-it; prandaj do t’u besosh institucioneve publike, që garantojnë sigurinë e një produkti të tillë të hedhur në treg; ose nuk do t’u besosh dhe do t’i ekspozohesh, me vullnet të lirë, rreziqeve të infektimit me virusin. Për të njëjtën arsye, ti nuk je në gjendje të verifikosh as nëse vaksina kundër fruthit është toksike dhe “shkakton autizëm” te fëmijët, siç pretendojnë disa teori komploti; por a ke vallë kurajë që, i mbështetur te ky skepticizëm, ta lësh fëmijën tënde të pavaksinuar? Me gjasë, kjo kurajë të mungon. Atëherë merr një vendim praktik: edhe e shpie fëmijën për ta vaksinuar, edhe e thua haptazi, sa herë që të jepet mundësia, se ajo vaksinë shkakton autizëm.

Doublethink e pat quajtur këtë dukuri Orwelli te 1984-a – dhe pikërisht, pranimin e opinioneve dhe besimeve të kundërta njëkohësisht, nga i njëjti person, veçanërisht si pasojë e indoktrinimit. Ajo ndarje mendjesh, për të cilën ka folur Manjoo, sot manifestohet – të paktën në shoqëri me aparat intelektual kritik të varfër (të varfëruar) si Shqipëria – edhe si ndarje brenda mendjes, ose një lloj lobotomie konceptuale. Paradoksalisht, sistemi i sotëm i manipulimit të opinionit publik nëpërmjet mediave sociale, që nuk mund të quhet totalitar në kuptimin tradicional të fjalës, e ushqen këtë doublethink a lobotomi 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke ndërmarrë atë që e kanë quajtur “gaslighting”[1] të publikut. Efekti i parë i këtij atentati ndaj subjektit mendues është pezullimi, ose narkotizimi, i të menduarit kritik.

Natyrisht, prindi që shkon të vaksinojë fëmijën kundër fruthit, teksa beson që kjo vaksinë shkakton autizëm, nuk është se mendon që po e ekspozon, me vetëdije, fëmijën e vet ndaj autizmit. Përkundrazi, për të bota ku fëmijët duhen vaksinuar sepse ashtu e rekomandon një autoritet publik është tërësisht e ndryshme, nga bota ku fëmijët e vaksinuar bien viktima të autizmit. Janë dy botë pa pika kontakti mes tyre, ku veprojnë forca dhe ligjësi të ndryshme. Në këtë rast, një disonancë kognitive kthehet në disocim të realitetit; dhe gjasat janë që i njëjti person nesër të vazhdojë t’i vaksinojë fëmijët e vet rregullisht, teksa ua jep votën partive që duan të minojnë, në mos të rrëzojnë autoritetin e shëndetësisë publike.

(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me

*Lobotomia është një formë tashmë e diskredituar e neurokirurgjisë, ku çrregullimet neuro-psikiatrike trajtohen nëpërmjet shkatërrimit të lidhjeve nervore në korteksin prefrontal të trurit, zakonisht duke futur një instrument kirurgjikal në tru nëpërmjet zgavrës orbitale të syrit.

[1] Gaslighting e kanë përkufizuar si një formë të manipulimit psikologjik ku një person e minon me kujdes perceptimin e realitetit të dikujt tjetër, duke e bërë këtë të fundit që të dyshojë në integritetin e vet (shëndetin mendor, kujtesën dhe gjykimin). Në psikologji, gaslighting është një nga format e abuzimit emocional.

1 Komente

  1. S
    Sovrani

    O Ardian e lexova artikullin. Me thënë të drejtën, interesant. Por duket se dhe bie dhe vetë "viktimë" e double thinking. Kur këtë fenomen, padituri, keqdashje, injorancë, konspiracion, etj etj e quan "kind of Lobotomy". Kur Lobotomy shkaktohet realisht nga ndërhyrje e jashtme fizike në tru. Padyshim që është fenomen social që duhet studiuar thellë, pasi jetojmë në epoka virale, ku vetëm popullariteti ka rëndësi edhe pse ata që thuhen ose bëhen janë bullshits. Ndëroja emrin mos e quaj "Lobotomy" por quaje "Shplarje truri" me mut dhe shurrë, padituri e keqdashësi të "turmave" nga individ ose grupime te caktuara për qëllim të caktuar. (Kështu është kur njerëzit heqin dorë nga library, shkolla dhe dijet e vërteta)

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje