NJË KUJTIM ME PROF. ALI XHIKUN DHE BIBLËN
M’u kujtua një histori me të ndjerin prof. Ali Xhiku, që sapo u nda nga kjo botë.
Më ka dhënë, në universitet, lëndën e Historisë së Letërsisë Shqipe, periudhën e Rilindjes, në vitet 1979-1980. E njihte mirë, orientohej me kompetencë të spikatur, pa e tepruar me gjepura nacionaliste.
Një herë i qëlloi të fliste për “Bagëti e bujqësia” të Naimit. Tha se i pëlqente aq shumë, sa e mbante te koka e krevatit.
Mua, që isha ulur te një bango fare pranë tij, nuk di ç’më shkrepi të them: “Si Biblën!”
Kjo shprehje, për një tekst – zakonisht libër – që e mban njeriu te komodina kur fle, nuk është e shqipes.
E ka italishtja: “tenere sul comodino come una Bibbia”, për një libër të rëndësishëm, që e shfleton dhe e rilexon shpesh, sepse është pikë referimi me autoritet, udhëzues i domosdoshëm për jetën shpirtërore.
Pse “sul comodino”? Sepse pritet që njeriu para gjumit të bëjë vlerësim të ditës që ka kaluar, duke gjykuar ku ka vepruar drejt dhe ku ka gabuar, dhe të kërkojë ndihmë spirituale nga një tekst i shenjtë.
Italishtja e ka, por shqipja jo.
Nuk di si më erdhi ajo shprehje në kokë, as mund të di se ku e kisha gjetur. Ndoshta në ndonjë libër italisht që po lexoja atë periudhë. Por më gjasë ka që ta kisha dëgjuar gjëkundi në radio, meqë Radio RAI-n e dëgjoja shpesh.
Gjëra që ndodhin. Po të mos ishte për atë që Bibla, në një auditor të universitetit, nuk mund të përmendej aq shpengueshëm. Mund të flitej për të si libër obskurantist, i mbushur me gabime ose me fantazi, i përdorur tradicionalisht nga kisha për t’u shpëlarë trutë besimtarëve. Por jo si diçka që njeriu e mbante te komodina afër krevatit.
Në Shqipërinë e atyre viteve, po të mbaje një Bibël te komodina rrezikoje burgun.
Prof. Aliu ngriu, kur e dëgjoi batutën time. U kthye me fytyrë nga unë dhe më tha: “Çfarë janë këto gjëra që thoni, kështu, more? Nga i nxirrni këto?” Dhe pastaj u përpoq të rikthehej në leksion.
Mbase e mbante vërtet te koka poemën e Naimit. Njerëzit aso kohe e mbyllnin ditën me lloj-lloj librash – dhe Naimi nuk do të kish qenë opsioni më i keq. Përkundrazi.
Edhe krahasimi im mund të qëndronte – duke evokuar një studiues të letërsisë shqipe, që shfletonte çdo natë, para gjumit, një nga tekstet themelore të historisë së asaj letërsie, për të gjetur atje përgjigje për gjërat që e kishin munduar, ose për pyetjet që i kishin dalë.
Ose edhe thjesht për psikoterapi, për t’u qetësuar me ritmin nanuritës të gjashtëmbëdhjetërrokëshit naimian, ndjellës i pamjeve panoramike të peizazheve të Shqipërisë pastorale të Rilindjes.
Mund të qëndronte – me përjashtim të fjalës BIBLA, që nuk mund të përmendej e të përdorej me ngjyrim pozitiv.
Feja ishte opiumi i popullit, dhe Bibla ishte mënyra si kjo drogë shpërndahej ditë e natë.
“Gafa” ime vinte e bëhej më madhe, ngaqë kisha folur pa menduar. Më kish “shpëtuar goja”, duke krijuar përshtypjen, te të tjerët, të dikujt që e kalonte jetën në një kontekst kulturor të nginjur me referenca dhe metafora fetare.
Duke e detyruar pastaj prof. Aliun të mbante qëndrim ndaj meje, edhe sikur të mos donte, ngaqë e kish kuptuar se kisha folur KOT.
Prita deri në fund të leksionit, pastaj e ndoqa profesorin mbrapa në korridor dhe i kërkova falje. Nuk di si më erdhi ajo fjalë në gojë, i thashë. Bëra një budallallëk. Ju kërkoj ndjesë që ju vura në pozitë të vështirë.
Prof. Aliu ishte komunist.
Më pa. Më tha diçka pajtuese – diçka si “tregoni kujdes, o djem, për çfarë thoni.” M’u duk sikur iu mbushën sytë me lot. Por prof. Aliu i kish sytë të sëmurë dhe i lotonin shpesh.
Që ishte edhe pak sentimental, kjo nuk diskutohet.
Nuk mund të them, nëse profesori e rrëfeu këtë incident në mbledhjen e organizatës së Partisë së fakultetit. Mbase edhe ka bërë, për t’u mbrojtur nga ndonjë intrigë e mundshme. Po ta kisha pasur emrin Zef ose Gjovalin, mbase edhe do të më kishin thirrur për ndonjë “sqarim” gjëkundi. Nga ana tjetër, në organizatën e Partisë merreshin shpesh me thashetheme.
Por nuk ndodhi asgjë. Ali Xhiku vazhdoi të mallëngjehej me Naimin në leksione, unë vazhdova të dëgjoj në radio RAI gjithfarë programesh, përfshi edhe marrëzi të tilla si radiokronikën e përditshme të Giro d’Italia, dhe mjedisi në Fakultetin Histori-Filologji mbeti çerdhe e larmishme informatorësh, vullnetarë dhe me pagesë. Të cilët me siguri do ta kenë raportuar “batutën” time në të gjitha instancat e mundshme.
Gjithsekush kujdesej për të mbrojtur veten, siç bëra edhe unë – në analizë të fundit – me ndjesën që kërkova.
(c) 2026 AV. Botohet me leje te TemA.
ALIU DUHET TE MBANTE KURANIN ,JO BIBLEN ,,,SE ESHTE MYSLYMAN ,, BIBLEN DUHET TA MBAJNE KRISTJANET ,,ORTHODHOKS ,KATOLIK ,,,UNGJILLIIIIIII